Në tetë vende të rajonit Shqipëria lë pas vetëm Kosovën për nivelin e ulët të pagës minimale. Por FMN në një raport të fundit sugjeron që Shqipëria dhe Serbia duhet të ulin pagën minimale si një mjet për nxitjen e punësimit
Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në rajon, pavarësisht një politike sistematike për rritjen e saj në dy dekadat e fundit. Sipas një hulumtimi të “Open Data Albania” vërehet se Shqipëria lë pas vetëm Kosovën, e cila për 6 vite shtet ka një pagë minimale 130 euro, ndërsa Shqipëria e ka 156 euro. Të gjitha vendet e tjera në zhvillim në rajonin tonë paraqiten me një nivel më të lartë të pagës minimale. Ndërsa në një raport të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar sugjerohet që paga minimale duhet të ulet si një masë për reduktimin e kostove të punës.
Krahasimi
Paga minimale është paga më e ulët, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj, dhe përcaktohet si e tillë me vendim të Këshillit të Ministrave. Në Shqipëri, paga minimale mujore në shkallë vendi aktualisht është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Kufiri minimal i pagës është referencë për pagesën e sigurimeve dhe tatimeve mbi pagën, të cilat nuk mund të paguhen poshtë këtij niveli. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i fundit pas Kosovës. Shteti më i ri i Ballkanit aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 euro në muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170 euro në muaj. Dallim tjetër bën Maqedonia, ku paga minimale në këtë vend vendoset sipas sektorit të punësimit, ku paga minimale më e ulët është 178 euro në muaj. Vendet e Europës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit. Pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 euro në muaj. Më pas renditen Belgjika, Irlanda, Franca, Britania e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve, dhe tarifa më e ulët arrin 7 euro për 48 orë pune në javë. Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200  eurot në muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare.
 FMN kundër rritjes së pagës minimale
Kostot e punës, që janë pagat dhe sigurimet shoqërore në disa vende të rajonit, sidomos në Shqipëri janë bërë pengesë për të krijuar më shumë elasticitet në tregun e punës. Pikërisht për këtë qëllim, FMN-ja në studimin e saj i rekomandon Shqipërisë dhe Serbisë të ulin pagat minimale. Gjithashtu, FMN-ja i rekomandon Shqipërisë që të përmirësojë legjislacionin në lidhje me kostot që duhet të paguhen në rast të largimeve nga puna. Ndryshe nga shumë vende të rajonit, Shqipëria ka mbrojtje të lartë në rast të ndërprerjes së kontratave. Duke grupuar në tri njësi faktorët që ndikojnë në punësim, si e kuqja, e cila presupozon që shteti ka krijuar një ambient të rëndë për punësimin; portokallia, që faktorët ekzistues nuk e zhvillojnë punësimin; dhe zona jeshile tregon vendet që gjenerojnë punësim. Shqipëria ndodhet tek zona portokalli, me më shumë faktorë që pengojnë rritjen e punësimit. Sipas FMN-së, performanca e dobët e tregut të punës në vendet e Ballkanit është një shqetësim kyç social që dëmton rritjen ekonomike afatgjatë dhe afatmesme, si dhe paraqet sfida të mëdha për politikëbërje. Normat e ulëta të punësimit dëshmojnë faktin që të papunët rrezikojnë të humbasin aftësitë e tyre, duke e bërë më të vështirë gjetjen e një pune në të ardhmen.
 Vendet                                    Paga minimale
Kosova                        130
Shqipëria                     156
Greqia                         684
Kroacia                        405
Mali Zi                        193
Maqedonia                  178
Serbia                          188
Turqia                          425
( Pagat në euro)