Bashkë me bakrin janë eksportuar dhe afër 25 mijë ton zink si dhe sasi ari, argjendi, kadmiumi, indiumi, seleni, teluri etj. Nga kjo rezulton shifra afër 900 milion dollarë përkundrejt 205 milion dollarë të ardhura të publikuara nga ODA
Mora shkas nga shkrimi në Revistën JAVA të datës 26.04.2014 lidhur me të dhënat për rezervat e bakrit. Si specialist nuk mund të qëndroj pa reaguar para asaj panorame të paraqitur nga  “Open Data Albania” (ODA). Së pari e përshëndes ODA-n për paraqitjen e statistikave mbi xeherorët e bakrit në Shqipëri , sasinë  dhe gjendjen aktuale  të kësaj dege. Së dyti si specialist që kam punuar dhe konsumuar pothuajse një pjesë të rëndësishme të jetës lidhur me industrinë e bakrit, dua të bëj një analizë mbi mundësitë e nxjerrjes dhe përpunimit për të arritur një shfrytëzim sa më kompleks të përbërësve të këtyre xeherorëve. 
Bakri në natyre gjendet në xeherorët në tre trajta: 1. Nativ- bakër i lirë i pa lidhur kimikisht me ndonjë element tjetër  kimik i cili nuk është gjetur në vendin tonë.  2. Bakër oksid –ku bakri është i lidhur me oksigjenin dhe si oksid gjendet i ndërfutur në shkëmbinj të tjerë, që gjithashtu nuk disponohet nga nëntoka jonë. Gjë për tu përmendur për këtë lloj xeherori  është se rezervat më të mëdha në botë të këtij lloj xeherori janë në Kili (Amerika Latine) 3. Bakër sulfur – ku bakri është i lidhur me squfur dhe elementë të tjerë – i cili disponohet nga nëntoka jonë dhe se nga zbulimet e deritanishme këto rezerva janë afër 32 milion tonë.
Problemi  shtrohet  sesi shfrytëzohet kjo pasuri e popullit shqiptar? Çfarë përfiton shteti  shqiptar nga kjo pasuri e dhënë edhe me koncesion? Përpara se të shtjelloj këto pyetje, desha të përshkruaj kush ishte industria e bakrit në Shqipëri deri në vitin 1990!
 
Para viteve ’90
Industria e bakrit në Shqipëri ishte një industri me cikël të mbyllur, zbulimi bëhej nga shërbimi gjeologjik shqiptar  i kryesuar nga gjeologë kompetentë  dhe shkencëtarë të diplomuar në universitetet më të mira në botë në fushën e gjeologjisë dhe në fakultetin e Gjeologji-Miniera në Universitetin e Tiranës. Mbi bazën e raporteve të zbulimit ishin hapur miniera si Rubiku, Gjegjan në Kukës që në vitin 1959, Kurbneshi Mirditës, më vonë zbulimet Tuc e Qafbari, Fush-Arrëz, Spaç, Thirre e Fanit, Kaçinar, Palaj e Karme në Shkodër, Nikolic-Kukës, Rehovë-Korçë etj. Sasia maksimale e nxjerrjes së xeherorit të bakrit në Shqipëri në vitin 1989 (Anuari statistikor  1990) kapte shumën  1.135 mijë ton, nga ku xeherori  i pasur  me më shumë se 2,5% bakër në sasi 270-300 mijë ton drejtohej  për në uzinat metalurgjike të bakrit në Kukës, vendosur në punë në vitin 1964, Rubik vendosur në punë në 1939 dhe e rivendosur sërish në vitin 1945 pas ndërprerjes nga Lufta e Dytë Botërore si dhe në Laç (me teknologji të re) e vënë në pune në vitin 1979 me kapacitete respektive përpunuese  160 000, 80 000 dhe 50 000 tonë /vit . Xeherorët e varfër  në sasi  700 – 800 mijë ton me përmbajtje bakër   më shumë se 0.6%  i  nënshtroheshin pasurimit në fabrikat e Kurbneshit – e para fabrikë e ngritur në vendin tonë që në vitin 1956 me teknologji gjermane, duke vazhduar me fabrikën e pasurimit Reps, Fushë-Arrëz në bashkepunim me kinezët  dhe Rehovë –Korçë, Rrëshen,Vau  i Dejës dhe Nikolic-Krumë të projektuara  dhe ndërtuara me forcat tona.
Nga të gjitha fabrikat nxirrej koncentrat bakri dhe koncentrat piriti .  Koncentrati i bakrit  i marrë në sasi  afër 62 000 tonë/vit  me 14 – 25 përqind bakër dhe afër 45 përqind squfur drejtohej në tre uzinat e bakrit për përpunim të mëtejshëm. Uzina e bakrit Laç furnizohej me afër 25 mijë ton  koncentrat  mqs në këtë uzinë ishte i mundur shfrytëzimi  i gazit sulfuror  për prodhimin e acidit sulfurik  në sasi afër 60 mijë ton, i cili përdorej për prodhimin e superfosfatit.
Acidi sulfurik për nga vlera simbolizohej si buka e industrisë sa që në portat e ndërmarrjeve të industrisë kimike nëpër botë  ishte shkruar  “Acidi Sulfurik është baraz me bukën e industrisë. Natyrisht në dy uzinat e tjera, Kukës e Rubik, gazi sulfuror hidhej në atmosferë duke shkaktuar dëm mjedisor të pallogaritshëm, që kuptohet se pass vitit 1990 nuk mund të mbaheshin  më në punë, pa u rikonstruktuar . Produkti  i tre uzinave metalurgjike është bakri blistër me  99 – 99.27 përqind bakër dhe diferenca prej 0.73 – 1 përqind, papastërti e cila  përbëhej nga hekuri, squfuri, oksigjeni, nikeli, ashtu si edhe grupi i metaleve të çmuar, ari,  argjendi si dhe gjysmë percusat, selen e telur etj. Vlera e këtyre elementeve ishte  e konsideruesheme. 
Për pastrimin e mëtejshëm të bakrit blister  në sasi  15 mijë tonë/vit  prodhuar në  vitin 1989 nga tre uzinat e bakrit  Kukës, Rubik e Laç drejtohej në uzinën e rafinimit të bakrit Rubik të ndërtuar në vitin 1966. Në këtë uzinë pas pastrimit të bakrit nëpërmjet elektrolizës, produkti bakër elektrolitik në sasi afër 80 përqind drejtohej për në uzinën e Telave në Shkodër, një uzine moderne që kishte lartësuar emrin e Shqipërisë  për prodhimet e saj në panairet ndërkombëtare të kohës . Në këtë uzinë prodhoheshin tela e kabllo bakri referuar vitit 1989, afër 12 mijë tonë, ku vlen të përmendet, 450 tonë tela shumë të hollë të dimensionit të fijes se flokut  (0.05 mm diametër). Diferenca e bakrit që nuk konsumohej nga kjo uzinë, i drejtohej eksportit si bakër katodik me shkallë pastërtie  99.999 përqind. Si nënprodukte të rafinimit (elektrolitik) merrej ari dhe argjendi në formë kallëpesh standart me cilësi 99.999 përqind në sasi  respektive 185 – 190 dhe  4500 – 4800 kg/vit, që dorëzohej në thesarin e shtetit. Përveç arit e argjendit, nga shllamet (papastërtitë) e ndara nga bakri nxirreshin Seleni dhe Teluri si gjysmë përçues me destinacion eksporti si dhe Nikeli në trajtë sulfat Nikeli për nevoja të brendshme dhe për eksport. 
Kjo ishte gjendja dje! Po sot ku jemi? Aktualisht shumë zhurmë, propagandë, por asgjë për shtetin apo për popullin shqiptar. Ne “gëzohemi  “me shifrat e dollarëve e eurove që përvetësojnë koncensionarët dhe që i transferojnë në vendet e origjinës, ndërsa vetë mbetemi  populli më i vuajtur në Europë me shkallë të lartë papunësie për pasojë krimi, varfëri, polarizim të tejskajshëm etj. Raportet gjeologjike ju dhanë të huajve dhe më pastaj këtyre të fundit ju dhanë leje kërkim zbulim dhe në disa raste dhe shfrytëzimi mbi vendburimet tona të zbuluara, por që sipas rregullave të shtetit shqiptar të djeshëm këto raporte ishin “sekret shtetëror”. Këto firma që bëjnë kërkim-zbulim bëhen pronarë të këtyre zbulimeve. Shqipëria nga tre uzina metalurgjike me kapacitet përpunimi  (shkrirje) afër 300 mijë ton/vit dhe aftësi prodhimi,  15-17 mijë ton/vit, sot bakër blister sot vetëm oxhaqet e uzinave të bakrit Kukës e Laç janë akoma në këmbë për histori, ndërsa oxhaqet e uzinës bakrit në Rubik janë shembur. Po kështu edhe dy rafineritë e bakrit Rubik e Laç, të cilat mund të mbaheshin ende në gjendje pune, nuk jane më. 
Po nga industria e pasurimit çfarë ka mbetur? Fabrikat e pasurimit Kurbnesh, Reps, Rrëshen, Nikoliq, Vau i Dejës në Shkodër dhe Rehovë janë zhdukur  dhe se vetëm fabrika e pasurimit  Fushë-Arrëz funksionon,  është zgjeruar e përmirësuar niveli teknologjik nën koncensionin e vendburimit Munella. Ky vendburim kur u zbulua, u klasifikua si vendburim me vlera të larta dhe se me teknologjinë e kohës u  vlerësua i pamundur për një shfrytëzim eficient të vlerave që përmbante dhe se nuk u hap si minierë kundrejt logjikës optimale se kur të posedojmë teknologji për shfrytëzimin e saj kompleks e racional, atëherë të hapet pasi nuk është pasuri  vetëm e brezit tonë. Ndërkaq të dhënat e këtij vendburimi  u klasifikuan tepër sekret.
 
Kush është  vendburimi Munella?
Më lart thashë se është një xeheror polimetalor bazuar në analizen e përbërjes lëndore. Xeherori i Munellës një pjesë të rezervave i ka me përmbajtje: Bakër afër tre përqind; zink afër dy përqind,  squfur afër 35 përqind,  ar afër 13gr/ton, argjend afër 73gr/ton,  kadmium  afër 78gr/ton, selen, telur dhe elemente të tjerë. Në analizën tekniko-ekonomike për secilin element përbërës, ky xeheror mund të quhet xeheror bakri, zinku, squfuri, ari, argjendi, kadmiumi por jo vetëm. Ky ishte i pari dhe i vetmi vendburim i dhënë me koncension të huajve  nga dega e bakrit. Sipas të dhënave të ODA-s,  nga ky koncension rezulton se është eksportuar koncentrat bakri nga viti 2005 dhee deri në fund të vitit 2013 gjithësej 46951.5 ton bakër metal me një vlere eksporti  205 557 531 $ (USD). Duke pranuar për mungesë të dhënash analitike përbërjet e sipër cituara dhe treguesit sa më poshtë, rekuperimi i bakrit në procesin e pasurimit afër 87 përqind, përqindja e bakrit në koncentrat afër 25, rezulton të jenë shfrytëzuar nga miniera e Munellës afër 1,8 milion ton që nga viti 2005 ose afër 200 mijë tonë /vit dhe se janë prodhuar afër187.800 ton koncentrat bakri për eksport. Por a janë marrë vlerat e duhura referuar përmbajtjes së elementëve të dobishëm dhe çmimeve përkatëse? Sipas analizës dhe llogaritjve tona rezulton se bashkë me bakrin në sasi 46 951.5 ton janë eksportuar dhe afër 25 mijë ton zink si dhe bashkëshoqeruesit e bakrit e zinkut si ari, argjendi, kadmiumi, indiumi, seleni, teluri etj, elementë këta me vlera të larta. Duke qenë se ky xeheror është kompleks edhe vlera është komplekse. 
Vlera e mundshme e kësaj lënde të parë xeherore  në sasi afër 1.8 milion/ ton xeheror të shfrytezuar në nëntë vjet ( 2005 – 2013 ) rezulton afër  900 milion dollarë përkundrejt 205 milion dollarë të ardhura nga shitja e koncentratit. Kjo diferencë vjen si rezultat  i një koncensioni  të gabuar. Kur kjo lëndë komplekse duhej të përpunohej në vend sipas kontratës fillestare dhe jo të justifikohej me Traktatin e “Kiotos”- se ky Traktat i nënshkruar  nga shteti  shqiptar  nuk  lejon hedhjen e gazeve të perpunimit të kësaj lënde të parë në atmosferë. Dua të sqaroj faktin se Traktati i Kiotos është nënshkruar në vitin 1997, ndërsa kontrata e koncensionit është nënshkruar më vonë dhe se ishte detyrë e koncension-marrësit  të njihej me legjislacionin  kombëtar dhe ndërkombëtar. Nga sa më sipër, rezulton se humbja minimale në vlerën referuese për t’u taksuar për nëntë vjet është afër 700 milion dollarë ose 77 milion dollarë   në vit.  Këto janë shkaqe që luftërat në glob s’kanë të ndalur, pra luftërat bëhen për pasuri, territore dhe se askush në botë nuk fal pasuri apo territore.