Qindra miliona euro janë premtuar të investohen në bujqësi prej kësaj qeverisjeje që në fushatën parazgjedhore të një viti më parë. Ekspertët e politikave bujqësore në vend vënë në dukje faktin se, investimet në këtë sektor janë të domosdoshme, por ato duhet të jenë politika të përhershme të çdo shteti, e jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, siç kjo qeveria e bëri një vit më parë. Kur ka kaluar një vit prej premtimeve të dhëna, deri më tani në këtë sektor nuk është konkretizuar akoma asgjë. “Qeveria nuk ka programe të studiuara mirë dhe të realizuara në praktikë më parë. Kjo do të thotë se të gjitha janë premtime që tashmë i kanë kaluar vetëm fushatës zgjedhore të 2013. Sfera e bujqësisë, po lihet në harresë. Shumë premtojnë investime prej qindra miliona eurosh për katër vjetët e ardhshëm, por edhe ndihma të tjera për fermerët. Këto investime janë të domosdoshme, por politikat investive duhet të jenë të përhershme e jo vetëm në kuadër të fushatës”, thonë ekspertët e politikave bujqësore.
“Investimet në bujqësi duhet të jenë politika të çdo shteti. Nëse investojmë atëherë do të kemi produkte për tregun vendor dhe atë të jashtëm. Por e keqja këtu është se interesimi për bujqësi po bëhet vetëm në prag të fushatës zgjedhore dhe jo si një politikë e përhershme e shtetit ndaj një lëmi, i cili mund të kontribuojë shumë në zhvillimin ekonomik”, theksojnë më tej ata.
Bujqësia, nevojë për investime të vërteta jo vetëm në letër
Ekspertët shprehen se bujqësia ka nevojë të madhe për investime, si në vëllim, ashtu edhe në cilësi. Por sipas tyre, premtimet duhet të harmonizohen me burimet ekzistuese dhe të hartohen programe të mira zhvillimore.
“Bujqësia dhe asnjë degë tjetër nuk mund të zhvillohet prej fushatës në fushatë, ato duhet të jenë programe të studiuara mirë, programe të realizuara mirë nga çdo qeveri, e cila vjen në pushtet”, shprehen ekspertët. Ata tërheqinn vërejtje qeverisë që të ruhet toka, pasi Shqipëria është akoma një vend me një ekonomi të brishtë sa i përket tokës bujqësore.
“Duhet ta ruajmë tokën bujqësore, të mos e shndërrojmë pa nevojë në tokë ndërtimore, duhet të jemi më të organizuar edhe në planin urbanistik dhe atë hapësinor, sa i përket këtij resursi, i cili nuk është vetëm i kësaj gjenerate, por i përket edhe gjeneratës së ardhshme”, shprehen ekspertët.
Bujqësia, sektori më i pazhvilluar i ekonomisë shqiptare
Sektori i bujqësisë në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe që vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme. Që nga viti  2010, kur qeverisja e djathtë vendosi subvencionimin e fermerëve të cilët mbjellin ullinj, agrume, drufrutorë dhe vreshta e deri më tani, akoma nuk është bërë gjë në këtë drejtim. Madje edhe premtimi i qeverisë Rama-Meta për subvencionimin e çmimit të naftës së fermerëve ka mbetur në harresë, pasi akoma në këtë drejtim nuk është bërë qoftë dhe një gjë e vetme. Që herët, kanë qenë vetë fermerët e zonave të ndryshme të vendit, të cilët kanë vënë në dukje faktin se, me të tilla masa shtrënguese, qeveria po vë në rrezik prodhimet e tyre, të cilat me çmimet drastike të rritura të naftës do të jenë të papërballueshme për këta të fundit. Marrja e masave, për të cilat nuk po bëhet asgjë është e domosdoshme, pasi vetëm në këtë mënyrë bujqësia shqiptare mund të arrijë të konkurrojë me sektorin bujqësor të vendeve fqinjë. Rritja e prodhimit bujqësor, jo vetëm që zhvillon ekonominë dhe ul papunësinë, por mundëson uljen e çmimeve të produkteve kryesore jetike që konsumohen nga popullata, si dhe ul varësinë e vendit nga importet. Të dhënat zyrtare mbi prodhimin bujqësor në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë dëshmojnë se, sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto deri në 2012, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë. Gjatë viteve të fundit, prodhimi bujqësor i papërpunuar dhe agroindustrial ka ndryshuar. 
Në vitin 2009, prodhimi total nga bujqësia dhe agroindustria vlerësohet në 212.708 milionë lekë, ku kontributi kryesor vjen nga sektori i bujqësisë së papërpunuar (74.8%), ndërkohë që agroindustria ka kontribuar vetëm me 25.2%. Gjatë vitit 2009, prodhimi total nga bujqësia u rrit me vetëm 1.8% krahasuar me vitin e mëparshëm, normë kjo më e ulët se mesatarja vjetore e viteve të fundit (3.3%). Pjesa më e madhe e prodhimit bujqësor të papërpunuar vjen nga blegtoria (55%), ndërkohë që 30% vjen nga bimët e arave, dhe 15% nga pemëtaria. Gjatë viteve të fundit, u vu re një rritje e peshës së pemëtarisë dhe ulje e peshës së prodhimit blegtoral.

Të dhënat për sektorin e agroindustrisë
Agroindustria është industria që merret me prodhimin masiv të produkteve bujqësore. Gjatë viteve të fundit, numri i bizneseve në sektorin agroindustrial ka ndryshuar thuajse në disfavor të këtij sektori. Në vitin 2009, ekzistonin 2.081 biznese në agroindustri, ose 36 më pak krahasuar me vitin paraardhës. Ulja e numrit të bizneseve është shoqëruar edhe me uljen e numrit të të punësuarve me rreth 657 persona. Pjesa më e madhe e bizneseve në agroindustri është në formën e furrave të bukës (1.102 biznese), e ndjekur nga bizneset e prodhimit të qumështit (342), miellit (171), prodhimit të vajit (108), verës (86), mishit (65), etj. Ajo që vihet re është mungesa e bizneseve të prodhimit të duhanit, duke filluar nga viti 2007. Pjesa më e madhe e investimeve në agrobiznes është kryer nga vetë bizneset, ndërkohë që subvencioni nga buxheti i shtetit ka qenë thuajse zero. 
Sektori agroindustrisë në Shqipëri ka potenciale të mëdha zhvillimi. Vetëm në vitin 2010, qeveria vendosi subvencionimin e prodhimit në shkallë të gjerë të qumështit, si dhe prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër. Kjo masë është e domosdoshme, pasi në këtë mënyrë agroindustria shqiptare mund të arrijë të konkurrojë në treg dhe madje të eksportojë produktet e veta.
Të ardhurat nga bujqësia sipas qarqeve
Open Data Albania ka kryer gjithashtu një hulumtim mbi strukturën e tokës dhe të ardhurat nga bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas ODA, bazuar në të dhënat e 2010, sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë. Në Shqipëri, tokat bujqësore zënë rreth 24.2% të tokës, ndërsa fondi pyjor dhe kullotat zënë rreth 75.8% të totalit. Gjatë viteve ky raport ka qëndruar thuajse konstant. 
Numri i fermave bujqësore në Shqipëri rezulton 353.485, ku qarku me numrin më të madh rezulton Fieri me rreth 54.903 ferma. Qarku me të ardhurat më të larta vjetore nga prodhimi bujqësor rezulton sërish Fieri, i cili siguron rreth 14.9 miliardë lekë nga fermat, ku 43% e të ardhurave vjen nga prodhimi bujqësor dhe 57% nga prodhimi blegtoral. Ndërkohë, qarku me të ardhurat më të ulëta nga bujqësia është Kukësi, i cili siguron rreth 2 miliardë lekë në vit. Në rang vendi, rreth 62% e të ardhurave sigurohen nga blegtoria dhe 38% nga bujqësia.