Open Data Albania po përditëson të dhënat lidhur me numrin e përfituesve të pensionit të invaliditetit për vitin 2013. Pensioni i invaliditetit në Republikën e Shqipërisë është një e ardhur e përfitueshme nga ata persona që bëhen të paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe kanë gjymtime të forta e dëmtime fizike përfshirë dhe verbimin. Gjatë këtij viti kanë përfituar pensione invaliditeti 36 307 persona të gjinisë mashkullore dhe 22 934 të gjinisë femërore. Gjithsej përfituesit nga skema e sigurimeve shoqërore për pensionet e invaliditetit kanë qenë 59 241 persona.
Në periudhën 1998-2013 numrin më të madh të përfituesve të këtyre pensioneve e ka pasur viti 2013 me përkatësisht 59 241 persona. Në këtë vit janë 2.32 herë më shumë persona se në vitin 1998 që përfitojnë pensione invaliditeti sipas skemës së sigurimeve shoqërore. Gjatë viteve 1998-2004 ky numër ka qenë thuajse konstant në një interval 25-28 mijë persona, ndërsa në vitet 2004-2013 ky numër ka ardhur duke u rritur në mënyrë konstante. Në vitin 2004 ishin 27 809 përfitues nga kjo skemë për tu bërë 59 241 në vitin 2013.
Në gjithë harkun kohor prej 15 vitesh janë meshkujt ata që janë më të shumtë në numër sa i takon përfitimit të pensionit të invaliditetit në Republikën e Shqipërisë. Në vitet 1998-2000 dhe 2004-2013 diferenca meshkuj/femra përfitues të pensioneve të invaliditetit nuk ka ndryshuar në vlera të mëdha. Ky raport ka pësuar ndryshime në vitet 2001-2003 për shkak të zvogëlimit të numrit të femrave që e kanë përfituar këtë pension. Në këto vite ishin 2-3 herë më shumë meshkuj sesa femra përfitues.
Në vitin 2013 meshkujt dhe femrat që përfitonin pensione invaliditeti qëndronin në raportin 61% meshkuj dhe 39% femra.