Ardian Fullani është zgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë në vitin 2004. Ai u riciklua në krye të Bankës së Shqipërisë në vitin 2011, dy vjet para përmbysjes së Sali Berishës nga pushteti, falë një marrëveshje Berisha-Nishani, për të shpërblyer njeriun që financoi qeverinë, e ktheu bankën në paradhomë të pushtetit, mbushi bankën me familjarët e kupolës politike dhe i bleu qeverisë objektet shtetërore me paratë e shqiptarëve. Mandati i Fullanit mbaron në 2018. Mazhoranca e re nuk ka dhënë asnjë sinjal për shkarkimin e tij. 

Madje, ka heshtur. Ndërkaq, sot flitet për një dinasti financiare, dinastia “Fullani” në Bankën e Shqipërisë. Ky personazh, në harkun kohor të 10 viteve që drejton BSH, ka 7-fishuar shpenzimet në Bankën e Shqipërisë. Më shumë se fjalët dhe komentet rreth dallavereve të Ardian Fullanit, flasin shifrat dhe tabelat e shpenzimeve të kryera në Bankën e Shqipërisë. “Open-Data” ka investiguar shpenzimet e Fullanit në 9 vitet e fundit. Investimet në Bankën e Shqipërisë ndahen në dy nëngrupe si aktive fikse të trupëzuara dhe të patrupëzuara. Në zërin e aktiveve fikse të trupëzuara futen shpenzime për troje, ndërtesa, konstruksione të përgjithshme, pajisje, mjete transporti etj. Në zërin aktive fikse të patrupëzuara futen zëra si programe kompjuterike, kosto të shtypjes dhe prerjes së parasë të cilat kapitalizohen si aktive të qëndrueshme të patrupëzuara. 

Në pjesën më të madhe të viteve, peshën kryesore e zënë investimet e kryera në aktive fikse të trupëzuara, përveç viteve 2004 dhe 2009 ku peshën më të madhe e zënë aktivet fikse të patrupëzuara. Nga viti 2004 deri në vitin 2006 kemi një ulje të vlerës totale të investimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë në aktive fikse të saj, ku në vitin 2006 janë kryer dhe investimet me vlerë më të vogël, në shumën 77 milionë lekë. Më pas, nga viti 2007 dhe deri në vitin 2010 kemi një rritje të këtyre investimeve nga ana e Bankës së Shqipërisë, ku në vitin 2010 shënohet dhe vlera më e madhe e këtyre investimeve, me një shumë prej 4.47 miliardë lekë. Kjo rritje kaq e madhe erdhi si pasojë e blerjes së ndërtesës së hotel “Dajti” në muajin shtator 2010 në bazë të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës. Vlera e blerjes ishte 4.07 miliardë lekë. Në vitin 2011 kemi një rënie të investimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë në vlerën 676 milionë lekë, për t’u pasuar me rritje të investimeve në aktive fikse në vitet 2012 dhe 2013, ku në vitin që lamë pas shuma e investimeve arriti në 1.64 miliardë lekë.   

Si u rritën shpenzimet    

Investimet në blerjen e aktiveve fikse të trupëzuara kanë pësuar ulje ngritje të vazhdueshme, ku në vitin 2005 pësuan një rritje me 73% krahasuar me një vit më parë, për t’u pasuar në vitin 2006 nga një rënie me 50% krahasuar me vitin paraardhës. Në vitet 2007, 2008 këto investime kanë pasur një trend rritës, ndërsa në vitin 2009 kanë pësuar një rënie me 22% krahasuar me një vit më parë. Viti 2010 pësoi një rritje nëntëmdhëdhjetë herë krahasuar me një vit më parë, rritje kjo e justifikuar me investimin në blerjen e hotel “Dajti”. Në vitin 2007 kemi një rritje të investimeve në aktive jo fikse me 650%, pasuar sërish me një rritje prej 1753% në vitin 2008. Viti 2009 vazhdon të mbetet në trend rritës prej 42%. Në vitin 2013 kjo rritje ishte 800% krahasuar me një vit më parë. Ky zë mbulon edhe koston e shtypjes dhe prerjes së parasë në Republikën e Shqipërisë.   

Gërmadha e “Hotel Dajtit”   

Gërmadha e “Hotel Dajtit” është vetëm një nga pasojat e serisë së aferave dhe skandaleve të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. Gërmadha e “Hotel Dajtit”, produkt i një historie të mirfilltë korrupsioni mes Ardian Fullanit dhe Sali Berishës, vijon të sfidojë sot në mes të Tiranës prokurorinë dhe shtetin ligjor. Skandali është i paprecedentë. Në kohën më të vështirë për financat publike dhe Sali Berishën, Guvernatori Fullani u kthye në “garant” të shpëtimit të tyre. Fullani pranoi të blinte Hotel Dajtin, pronë shtetërore, për një shifër kolosale prej 30 milionë eurosh, që kaloi në buxhet, ndërkohë që ende nuk ka nisur asnjë punim ristrukturimi në këtë objekt. Ndërkohë, qeveria, me vendim të veçantë ia shiti ndërtesën Bankës së Shqipërisë, për 30 milionë euro. “Hotel Dajti” sot është katandisur dhe degraduar, siç edhe e tregojnë fotografitë, ndërsa partë shkuan për të ushqyer afera të tjera korruptive të qeverisë së kaluar.   

Kontratat e qirasë    

Ka një arsye të fortë se pse nuk rikonstruktohen “Hotel Dajti” dhe pse zvarritet rikonstruksioni i godinës së Bankës së Shqipërisë. Duke mbajtur peng këto dy godina, Fullani paguan çdo vit 6 milionë USD kontrata qiraje. Duke përdorur si alibi çështjen e rikonstruksionit të bankës, Fullani prej disa vitesh ka marrë me qira zyra, objekte dhe godina. Duket e pabesueshme, por sipas të dhënave nga bilancet e vetë bankës mësohet se guvernatori Fullani akordon 6 milionë dollarë në vit për shpenzime për qira zyrash. Skandali është i paprecedentë, ndërsa prej disa vitesh godina e Bankës së Shqipërisë vijon të jetë e rrethuar formalisht nën pretekstin e rikonstruksionit. Kontrata për rikonstruksionin e bankës përbëjnë një histori të mirëfilltë abuzimi, pasi janë zgjatur, ndryshuar dhe manipuluar në funksion të kontratave të qirasë. Gjithçka është konstatuar dhe zbardhur edhe nga institucioni më i lartë i kontrollit financiar, KLSH. Por, edhe pse kostoja e abuzimeve të Ardian Fullanit po fryhet me shpejtësi në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, ende nuk ka asnjë sinjal apo paralajmërim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për të marrë masa.   

Fshehja e borxhit   

Ka pasur një akuzë për fshehjen e borxhit nga BSH. Deputeti socialist, Erion Braçe, ka deklaruar se Guvernatori Ardian Fullani, ka fshehur borxhin publik për llogari të qeverisë Berisha. “Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka “zgjidhur gjuhën” dhe “po e bën me dhëmbë” kundër Sali Berishës. Veçanërisht për financat publike të rrënuara dhe borxhin publik jashtë çdo kufiri ligjor. Të gjithë po pyesin: Pse tani? Pse nuk foli kurrë sa ishte Berisha fuqiplotë? Po ua them unë: Ka frikë për veten në raport me ligjin”, shprehet deputeti socialist. Braçe i referohet një raporti, i cili tregon gjithë shkeljet skandaloze të Guvernatorit Fullani, i cili tashmë po bën të gjitha përpjekjet që t’i hyjë në zemër kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama.