Si në rastin e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Kosovës, dërgesat e emigrantëve, ose siç njihen ndryshe, të ashtuquajturat remitanca, rezultojnë të jenë kryesisht kontribut i diasporës. Në një konkluzion të tillë ka arritur një studim i fundit i kryer nga organizmi “Open Data Albania”, sipas të cilit, remitancat përkojnë kryesisht me para të emigrantëve të sjella në atdhe si ndihmë për të afërmit apo fond kursimi dhe investimi. 
Kështu, “Open Data Albania” ka kryer një përditësim të vlerave për remitanca në si në rastin e Shqipërisë, edhe në atë të Kosovës duke analizuar periudhën e viteve 2008-2013, duke iu referuar të dhënat e ofruara nga Banka Qendrore e Kosovës, por dhe Banka e Shqipërisë, pikërisht për remitancat të cilat janë flukse hyrëse dhe dalëse paraje pa kundërshpërblim, për ose nga jashtë vendit. 
“Gjatë harkut kohor të gjashtë viteve analiza hulumtuese e ODA-s vë re se deri në vitin 2012 dërgesat e parave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë i tejkalojnë ato drejt Kosovës”, citojnë hartuesit e këtij studimi. Duke shtuar më tej se viti 2013 shënon një rënie të remitancave për Republikën e Shqipërisë, ndërsa vazhdojnë të rrisin dërgesat drejt atdheut diaspora kosovare. Kështu, gjithmonë sipas “Open Data Albania”, rezulton se gjatë vitit 2013, shtetasit kosovarë emigrantë kanë dërguar drejt vendit të tyre 621 milionë euro, ndërsa shtetasit shqiptarë vetëm 497 milionë euro.
Për të shtuar më tej se shteti nga i cili emigrantët kanë dërguar më shumë para drejt Kosovës gjatë këtyre viteve, rezulton se është Gjermania. “Në vitet 2008-2013 nga ky shtet janë dërguar mesatarisht 210 milionë euro nga emigrantët kosovarë”, konkretizojnë burimet e ODA-s. Duke e argumentuar këtë shifër, pikërisht me numrin e lartë të emigrantëve kosovarë në Gjermani. Teksa shtohet se vend të dytë zë diaspora kosovare në Zvicër me 147.4 milionë euro dërgesa. Por edhe fakti tjetër se ndryshe nga Kosova ku peshën kryesore të remitancave e mbartin Gjermania e Zvicra, në Shqipëri remitancat më të larta shënohen me Greqinë e Italinë. “Nëse në vitin 2011 janë dërguar nga Gjermania drejt Kosovës 194 milionë euro, nga ky shtet drejt Shqipërisë në po këtë vit janë dërguar vetëm 8 milionë euro”, përfundojnë burimet e “Open Data Albania”-s.
KRAHASIMI
Gjatë harkut kohor të gjashtë viteve analiza hulumtuese e ODA-s vë re se deri në vitin 2012 dërgesat e parave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë i tejkalojnë ato drejt Kosovës
Transfertat  2008-2013

Dërgesat e emigranteve të kryera sipas shteteve
Gjatë vitit 2013 peshën kryesore të remitancave për Kosovën e mbart Gjermania me 34% të totalit, pasuar nga Zvicra me 24%. Shtete të tjera me remitanca mbi 20 milionë euro janë dhe Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Sllovenia. Kurse për Republikën e Shqipërisë thuhet se ka numër më të lartë të popullsisë kundrejt Kosovës. “Dy shtetet ballkanike nuk kanë statistika të qarta mbi numrin e emigrantëve të tyre dhe për rrjedhojë nuk mund të krahasojmë në numër diasporën e vendeve përkatëse. Duke u nisur nga vlerat e rikthyera në shtetet e origjinës mund të themi se diaspora kosovare ka lidhje ekonomike më të ngushta me shtetin amë, sikundër edhe fuqizim ekonomik më të mirë se diaspora e krijuar nga emigrimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë”, citojnë burimet e “Open Data Albania”-s.
497
Milionë euro rezulton se ka qenë totali i dërgesave të emigrantëve shqiptarë drejt Shqipërisë gjatë vitit 2013, sipas studimit të kryer nga organizata “Open Data Albania
621
Milionë euro rezulton se ka qenë totali i dërgesave të emigrantëve kosovarë drejt Kosovës gjatë vitit 2013, sipas studimit të kryer nga organizata “Open Data Albania
210
Milionë euro rezulton se ka qenë totali i dërgesave të emigrantëve kosovarë drejt Kosovës gjatë viteve 2008-2013 vetëm nga shteti i Gjermanisë ku edhe ata punojnë
147.4
Milionë euro rezulton se ka qenë totali i dërgesave të emigrantëve kosovarë drejt Kosovës gjatë viteve 2008-2013 vetëm nga shteti i Zvicrës ku edhe ata punojnë
2008
Rezulton të jetë viti i parë kur ka nisur rënia e nivelit të dërgesave të parave të emigrantëve, qofshin ata shqiptarë, por edhe kosovarë drejt vendeve të tyre për shkak të krizës