Shqipëria dhe Kosova, por edhe shtete të tjera të Ballkanit janë prekur nga fenomeni i tkurrjes së popullsisë. Jo vetëm emigracioni është tregues i kësaj, por vitet e fundit si një problem madhor është evidentuar edhe rënia e lindshmërisë. Sipas një studimi të Open Data Albania, rënia e lindjeve ndikohet shumë edhe nga politikat e mbështetjes sociale që ofron secili shtet për nënat më fëmijë.
Në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria kanë shumë mangësi pasi nuk e favorizojnë një nënë të punësuar, si përsa i përket sigurisë në punë ashtu edhe lejes së lindjes. Aranita Brahaj drejtoreshë ekzekutive e Open Data Albania thotë se në këtë drejtim gratë shqiptare kanë shumë pak përfitime nga leja e lindjes, si për sa i përket ditëqëndrimit ashtu edhe masës së përfitimit në lekë nga paga.