Kryeinspektorja e Ramës në Ministrinë e Arsimit, Ejona Isufaj ka bërë dje një tjetër akt sa qesharak aq edhe dramatik për të kuptuar të gjithë shqiptarët se me çfarë qeverisje po drejtohen. Isufaj ka shkuar në Prokurori, ku ka deklaruar se ajo nuk e ka ditur se ka falsifikuar diplomën. Ajo ka fajësuar për këtë ish-ministrin e Arsimit, Pollo ndaj të cilit ka kërkuar që të hetohet për arsyen se, ajo ka falsifikuar diplomimin! 
Ky veprim nuk përbën asnjë rast për t’u çuditur. Në një qeveri me njerëz të pashkollë dhe me diploma të falsifikuara me banditë, kriminelë dhe tutorë prostitutash në Parlament kërkohet të ndryshohet e gjithë skema e funksionimit të shtetit të së drejtës, ku fajtorë me ligj të mos shpallen ata, por denoncuesit e tyre. 
Pollo: Isufaj u njoftua që më 2008-ën për falsifikimin
Ish-ministri i Arsimit, Pollo ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke shpjeguar mashtrimin e kryekontrollores së Ramës. Pollo shpjegon qartë se si drejtoresha që ka falsifikuar diplomën e saj është njoftuar nga ministria që në vitin 2008 se, diploma e saj ishte e rreme. “Zonja Isufaj kryeinspektore, falsifikatore e donatore. 
Dëgjova sot se, kryeinspektorja e Ministrisë së Arsimit, zonja Ejona Isufaj pretendoi se mori vesh që diploma e saj e lëshuar nga IRERIE në vitin 2007 ishte e rreme vetëm kur tentoi ta ekuivalentonte në ministri (nuk thotë se kur). Dhe ankohet për shtetin, i cili nuk ishte asgjëkundi për ta lajmëruar”, shprehet Pollo. 
Pollo thotë se, skandali është denoncuar që në vitin 2007, ndërsa shtron pyetjen se si është e mundur që megjithëse zonja Isufaj e dinte që diploma e saj ishte e falsifikuar, sërish ajo e paraqiti në CV-në e saj në vitin 2014.
“Ne si ministri, fill pasi e konstatuam, e denoncuam IRERIEN publikisht në vitin 2007, çka u përcoll gjerësisht nga media. Patëm reagime edhe nga persona të regjistruar aty, të cilët kuptuan se ishin mashtruar. Por le të themi se, zonja Isufaj ishte në letargji apo veshsymbyllur në vitet 2007-2008 dhe deri kur e mësoi nga Ministria e Arsimit të vërtetën e papëlqyeshme. Por si e justifikon zonja Isufaj që megjithëse e dinte tashmë se diploma ishte e  pavlefshme, ajo e paraqet atë në CV e saj e në aplikimet për punësim? 
Por ministrja Nikolla hesht për këtë skandal, ashtu siç hesht edhe Rama për Arben Ndokën. Ky i fundit prej një muaji”, shprehet më tej Pollo. 

Isufaj, donatore e G99
Kryeinspektorja e qeverisë në kontrollin e universiteteve, zonja Ejona Isufi rezulton edhe donatore në fushatën e koalicionit të Partisë Socialiste. 
Zonja Isufi ka qenë këto ditë në qendër të vëmendjes, pasi rezultoi se në CV e saj në aplikimin për punësim në Ministrinë e Arsimit (e para e kësaj në sektorin privat) ka përfshirë edhe një diplomë falso nga një shkollë fantazmë.
“Në verë të vitit 2007, pas sinjalizimeve edhe nga ambasada franceze, unë, si ministër Arsimi, e denoncova publikisht shkollën IRERIE si të paligjshme dhe apelova publikisht që njerëzit të mos binin viktimë e saj. Më tej vijuan procedurat dhe mashtruesi frëng Bruno Hamard u dënua me burg nga Gjykata”, thotë Pollo në një tjetër postim të tri ditëve më parë.
Isufaj, 1 milion lekë financim G99
Donatorët e partive politike në fushatë mund të jenë persona fizikë dhe juridikë. Në çdo rast, donatorët duhet të jenë vendas dhe nuk lejohet pranimi i donacioneve nga shtetas apo subjekte të huaja. Donatorët nuk mund të dhurojnë më shumë se një milion lekë. Gjithashtu, donatorët ndahen në dy kategori sipas vlerës së dhuruar. Kategoria e donatorëve për vlera mbi 100 000 lekë është një kategori, e cila ka cilësime ligjore të veçanta. 
Isufaj sikurse mund të shihet nga lista e publikuar rezulton se, zyrtarisht është financuese e fushatës së G99 në shumën e 1 milion lekëve. Si kompensim për këtë financim, G99 dhe Rama e bëjnë kryeinspektore të Arsimit, pavarësisht se rezultonte me diplomë të falsifikuar.
Këta donatorë nënshkruajnë një marrëveshje, ku përjashtohen mundësitë për përfitime nga asete dhe fonde publike. Subjektet zgjedhore kanë detyrim të mbledhin donacione për vlera të tilla, vetëm nëpërmjet llogarive bankare të caktuara. Për efekt transparence, numri i llogarisë është i publikuar jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës.
Lista e donatorëve sipas një regjistri të posaçëm, gjithashtu është e detyrueshme për akses të gjerë për publikun. Megjithëse nuk ka afate të përcaktuara në formë kalendarike, Kodi Zgjedhor i jep akses të përforcuar këtij lloj informacioni, duke përdorur përcaktimin “kurdoherë publike” (neni 90 Regjistrimi i Fondeve Jopublike).
Open Data Albania po zbardh listën tërësore të donatorëve për vlera më të mëdha se 100 000 lekë në fushatën zgjedhore 2009. Kjo listë ka 115 donatorë nga të cilët 102 janë individë dhe 13 persona juridikë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri anonime. Gjithashtu shtatë nga këta donatorë, kanë dhurime në natyrë, vlera e të cilëve, konvertuar në para, kalon shifrën e përcaktuar me ligj prej 100 000 lekësh, prandaj edhe emri i tyre duhet të bëhet kurdoherë publik. Të gjithë donatorët e tjerë paraqesin dhurime në vlera monetare.