Open Data Albania ka përditësuar të dhënat lidhur me numrin e martesave dhe divorceve të shënuara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile deri në vitin 2013. Në pesë vitet e fundit (2009-2013), sipas këtij grupi hulumtues, numri i martesave ka ardhur duke u ulur për të shënuar në vitin e fundit një ngritje me vetëm 4% krahasuar me vitin pararendës.
Nëse në vitin 1990 shënohen 28992 martesa, sipas ODA-s në vitin 2013 shënohen 23820. Pra, në harkun kohor të 23 viteve, ODA vlerëson se numri i martesave ka pësuar një rënie me 18%.
Raporti i plotë i Open Data Albania
Qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës, në të cilin në vitin 2013 janë kurorëzuar 5231 çifte. Ky qark përbën 22% të totalit të martesave të këtij viti. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë Elbasani, Fieri e Durrësi me mbi 2000 martesa të regjistruara pranë Gjendjes Civile.
Në raport të zhdrejtë me martesat, numri i divorceve ka pësuar rritje në këto 23 vite. Nga 2675 divorce të shënuara në vitin 1990, në 3747 në vitin 2013.
Dy faaktorët që tregojnë ndryshimin e sjelljes sociale në vendin tonë janë dhe koeficienti bruto i martesës si dhe koeficienti i divorcit. Koeficienti bruto i martesës është numri i martesave për 1.000 banorë në një vit të dhënë, ndërsa koeficienti i divorcit është numri i divorceve për 100 martesa në një vit të dhënë.
Në vitin 1990, për njëmijë banorë realizoheshin gati 9 martesa, ndërsa në vitin 2013 ky indikator ishte 8.2. Ky koeficient përmban një marzh të lartë gabimi për shkak të metodologjisë përllogaritëse nga Instituti i Statistikave. Ndërsa numri i martesave merret nga Regjistri Kombëtar ku shënohen edhe martesa të shtetasve shqiptarë jo rezidentë në vend, popullsia llogaritet sipas censusit të fundit, ku nuk shënohen emigrantët rezidentë në vende të huaja por ende me shtetësi shqiptare.
Nga ana tjetër, koeficienti me 15.7 divorce për njëqind martesa në vitin 2013, dëshmon për një etapë të re të modelit social të shoqërisë shqiptare. Në këtë vit për çdo 100 martesa që realizohen 16 përfundojnë në divorce.