Fitimet që merr shteti shqiptar nga renta minerare nuk janë në nivelin e duhur. Open Data Albania ka bërë një studim mbi mënyrën se si dhe sa vilet renta minerare nga shteti shqiptar, kur rezulton se Shqipëria fiton shumë pak në krahasim me fitimet e kompanive dhe vlerën reale që kanë mineralet e nxjerra prej nëntokës sonë.
Aranita Brahaj, drejtoreshë ekzekutive e Open Data Albania, thotë në një intervistë për KosovaPress seajo çka duhet monitoruar me kujdes nga autoritetet doganore apo tatimore është vlerësimi i kategorisë së xeherorit që tregtohet, që të mos deklarohet çmimi i mineralit për një cilësi më të ulët se sa është realisht.
Të ardhurat nga renta minerare të mbledhura në buxhetin e shtetit nga viti 2009 deri në vitin 2013 kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, por duke nisur që nga viti 2013 vihet re një ‘ngecje’, dhe jo një rritje për aq sa vlejnë realisht këto minerale. Vitin e fundit renta minerare ka shënuar vetëm 2.6 % të totalit të të ardhurave buxhetore.
Me studimin e saj, Open Data Albania i kërkon qeverisë që të bëjë një vlerësim për rastet e konfliktit të interesit në këtë industri.
Madje në këtë drejtim edhe ambientalisti, Sazan Guri shtron edhe një tjetër problem: Kompanitë e huaja thotë ai janë të licencuara për të nxjerr një mineral të caktuar, por në fakt kur bëjnë gërmime marrin çfarë gjejnë, duke ‘vjedhur’ pasuritë e tokës sonë. Sipas tij, shqiptarët duhet të mësojnë të vlerësojnë pasuritë e tokës së tyre, si ato mbi sipërfaqe që janë pyjet dhe zonat turistike ashtu edhe pasuritë e nëntokës, mineralet, nafta etj.