Një raport i fundit nga Open Data Albania tha se numri i divorceve në Shqipëri ka ardhur gjithmonë në rritje, ku rezulton se 16 në 100 martesa përfunduan në ndarje vetëm vitin e shkuar.
“…koeficienti prej 15.7 divorce për njëqind martesa në vitin 2013 dëshmon për një etapë të re të modelit social të shoqërisë shqiptare. Në këtë vit për çdo njëqind martesa që realizohen gjashtëmbëdhjetë përfundojnë në divorce”,- thuhej në raportin e ODA-s.
Psikologia shkollore Klajdina Hodaj në një intervistë për Gazetën IDEA apelon që çiftet që zgjedhin t’i japin fund ligjërisht martesës së tyre duhet të kenë në vëmendje edhe pasojat që divorci shkakton tek fëmijët e tyre. Hodaj liston disa nga veprimet dhe sjelljet që prindërit duhet të shmangin gjatë kësaj faze të jetës në mënyrë që të mos dëmtohen fëmijët. 
Si ndikon divorci i prindërve tek fëmijët?
Ndikimi i divorcit të prindërve shfaqet ndryshe tek fëmijë të ndryshëm. Fëmijët shfaqin kryesisht sjellje agresive, bëhen të pashoqërueshëm, krijojnë varësi, nuk afrohen lehtë në rrethin social ku bëjnë pjesë. Por mbyllen në vetvete, ndjejnë pasiguri dhe shfaqin shenja pa lumturie. Këto sjellje janë të theksuara më shumë vitet e para të divorcit të prindërve dhe zbehen me kalimin e kohës.
Ju jeni në kontakt me nxënës të moshës nga 6-15 vjeç, a i ndajnë ata problemet familjare me ju?
Kjo varet nga mosha dhe nga ndjeshmëria e fëmijës. Ka fëmijë që vijnë me dëshirën e tyre tek psikologia e shkollës edhe pse janë të ndrojtur, por pasi fitojnë siguri fillojnë të shprehen për problematikat e tyre shqetësuese, të cilat janë të ndryshme. Fëmijët në arsimin fillor, të cilët janë në një moshë më të vogël kryesisht referohen në seanca këshillimi nga mësuesi, nga gjyshërit apo nga njeri prej prindërve të fëmijës.
T’i rikthemi ndarjes së prindërve, si reflekton ajo në sjelljen e fëmijës, adoleshent ose në prag adoleshence?
Në të shumtën e rasteve prindërit gjatë divorcit kanë më pak kohë, vëmendje dhe përkushtim ndaj fëmijës. Gjithashtu prindërit ndryshojnë sjelljen ndaj tyre dhe kjo pa diskutim që i mërzit fëmijët. Pikërisht kur fëmija kërkon më shumë vëmendje se kurrë, ata nuk e kanë dhe jo vetëm që ndihen të lënduar nga kjo histori, por dhe gjendja e tyre e rënduar emocionale sjell pasoja të ndryshme pa anashkaluar këtu dhe shfaqjen e shenjave depresive.
A ke njohur raste kur divorci i prindërve i ka çuar fëmijët në përjetime ekstreme dhe në shfaqjen e shenjave depresive?
Reagimet emocionale të fëmijëve janë të ndryshme në baze dhe të familjes ku janë rritur apo ku bëjnë pjesë. Ka raste kur pas divorcit prindi kujdestar nuk e lejon fëmijën të takohet me prindin tjetër ose ka ndodhur që fëmija është munduar të pajtojë prindërit duke organizuar diçka në fshehtësi (si psh. Takim) , jo vetëm që nuk ka arritur t’i pajtojë, por ka marrë si “shpërblim” ofendime dhe prindëri ka shfaqur agresivitet ndaj fëmijës.
Rastet me ekstreme janë ato raste ku fëmijëve në një moshë të vogël, jo vetëm që si kanë krijuar mundësinë e takimit me prindin që jetojnë të ndarë, por edhe i është mohuar ekzistenca e tij, duke i thënë se të ka vdekur mami ose babi edhe pse fëmija është i vetëdijshëm që prindin e ka gjallë.
Në këto raste fëmija shfaq gjendje paniku, konfuzion, bëhet armiqësor, mban në vetvete ndjenjën e fajit, ka lodhje mendore dhe fizike gjithashtu shfaq mospranim në të shumtën e rasteve. Por pa anashkaluar dhe rastet kur fëmija preferon të heshtë duke vuajtur në vetvete.
Si duhet të sillen prindërit kur janë para, gjatë ose pas divorcit?
Nëse prindërit kanë vendosur të divorcohen duhet të gjejnë të dy një mënyrë për të folur me fëmijën për ta informuar se çfarë mund të ndodhë apo do të ndodhë në mënyrë të tillë që fëmija mos të traumatizohet në të ardhmen.
Gjate divorcit prindërit, pavarësisht problemeve të tyre, duhet t’i përkushtohen dhe fëmijëve sepse ata kanë nevojë më shume se kurrë për vëmendjen e tyre.
Prindërit të dy duhet të interesohen në shkollë për ecurinë e fëmijës në mësime, në këtë mënyrë dhe fëmija do të ndihet më mirë në sy të bashkëmoshatarëve që i kanë prindërit bashkë.
Prindërit e ndarë nuk duhet t’u flasin keq fëmijëve për babain ose nënën e tyre.
Fëmija duhet të paralajmërohet për ndryshimet që do të përballet, Psh: Ndryshimi i shtëpisë, shkollës, etj.
Fëmijëve duhet t’i mundësohet takimi me prindin tjetër që jetojnë të ndarë dhe mos t’i mohohet kjo e drejtë.
Nëse prindërit pas divorcit mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të diskutuar për problemet rreth fëmijës/ve do ishte nje plus i madh që do të ndryshonte, jo vetëm sjelljen, por edhe gjendjen emocionale të këtyre krijesave të pafajshme.