Viti 2013 për financat shqiptare ka shënuar plot 189 raste ta transfertave jashtë vendit të dyshuara si pastrim parash. Ky fakt publikohet nga një raport i “Open Data”, një kopje të së cilës e ka siguruar dhe A1report. Në raport thuhet se gjatë këtij viti 2013, 34% e rasteve të dyshimta për pastrim paraje kanë të bëjnë me transfertat jashtë vendit.
Në sitën e raportit për transaksione të dyshimta për pastrim parash kanë kaluar dhe derdhjet kesh, në të cilën rezultojnë 96 raste me shuma të konsiderueshme, teksa po ashtu përgjatë vitit 2013 është rritur dhe prezenca e fenomenit të pastrimit të parave nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale. 
Raporti detajon se në vitin 2013 nga 558 raste të dyshuara për pastrim parash, gjysma e këtyre rasteve kanë pasur element të veprës penale, ku 213 rast janë referuar në polici dhe 35 prej tyre në prokurori.
E teksa ligji për pastrimin e parave detyron një sërë institucionesh të raportojnë për transfertat e dyshimta, sipas raportit peshën më të madhe të denoncimeve e zënë bankat e nivelit të dytë. 
Në vitet e fundit vihet re një rritje e rasteve të raportuara nga subjektet që kanë detyrim raportimi me ligj, thuhet në raport. Ku nëse në vitin 2008 ishin 142 raste të raportuara nga Bankat dhe 5 raste nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,në vitin 2013 Bankat kanë raportuar 420 raste dhe Doganat 36 raste. 
Por nuk kanë munguar dhe rastet e mosdeklarimeve nga institucionet që kanë detyrimin ligjorë, për të cilat janë vendosur plot 13 masa administrative ku ndër shkelësit kryesorë të ligjit rezultojnë zyrat e këmbimit valutorë.