Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një listë me institucionet zyrtare që sipas tij furnizohen me internet nga ‘Abissnet’, kompania e deputetit socialist Koço Kokëdhima. Sipas Berishës, ‘Abissnet’ iu jep internet 176 institucioneve, ndërsa e quan këtë shkelje flagrante të Kushtetutës 
“Të dashur miq, dokumenta autentike të botuara në mediat e shkruara dhe ato sociale (më poshtë linku ku mund të gjeni të gjitha kontratat) faktojne se, në dhunim flagrant të Kushtetutes dhe ligjeve të vendit, Rama dhe sivllau i tij Kokëdhima, po mbushin bashkarisht xhepat me paratë e shtetit me tendera që, me urdhër të Ramës, i jepen sivllaut Koço.
Këto dokumenta faktojnë se kompania e sivllaut Koço, Abissnet, ka marrë ekskluzivitetin, me urdhër të Ramës, për furnizimin me internet të mbi 176 institucioneve zyrtare qendrore dhe lokale.
Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila u ndalon kategorikisht deputeteve të përfitojnë nga pasuritë e shtetit apo pushtetit vendor dhe i dënon ata me heqje mandati në rast se nuk respektojnë këtë kërkesë.
Kështu, Kushtetuta në nenin 70 pika 3 përcakton se: “Deputeti nuk mund të kryejë asnjë veprimtari fitimprurese që buron nga pasuria e shtetit apo pushtetit vendor dhe as të fitoj pasuri të këtyre”.
Kurse në pikën 4 ky nen i Kushtetutës përcakton heqjen e mandatit të deputetit në rast se shkelet pika 3 e tij, siç ju hoq Ilir Beqes, që duke qenë deputet fitonte së bashku me baxhanakun e Ramës, Frankun, tenderat nga bashkia e Tiranës dhe Durrësit”, shkruan Berisha në Facebook. 
Sipas tij, “ky nen i Kushtetutës ka si qëllim kryesor të mbrojë pasuritë publike nga pushtetarët dhe nga abuzimi i pushtetit me to. Por tani, neo-bllokmenet nuk pyesin për Kushtetutën. Për ta, ajo është një letër pa vlerë që duhet ta zbatojnë vetëm të tjerët”.