Rusia dhe Serbia janë vendet nga të cilat Shqipëria ka blerë vazhdimisht grurë dhe përzierje grurë-thekër, përgjatë viteve 2001-2013. Ndër vite, importi i kësaj kulture bujqësore ka pësuar ulje dhe ngritje të vazhdueshme, si në sasi ashtu edhe në vlerë, tregon një hulumtim i organizatës “Open Data Albania“.
Në vitin 2004 është importuar sasia më e madhe e grurit dhe përzierjes grurë-thekër prej 354 617 tonësh.
Vlera më e lartë në lekë për importin të grurit dhe përzierjes grurë thekër është realizuar në vitin 2011.
Në vitin 2013, u importuan 254 228 ton grurë dhe përzierje grurë-thekër, me një çmim mesatar vjetor blerje 33620 Lek/Ton (320 $/Ton). Këtë vit mungonin importet nga Ukraina, e cila ka qenë një furnizuese e rregullt e Shqipërisë.
Në vitin 2013, rreth 68.5 % e sasisë për këtë grup malli vjen nga Rusia; 11.46% nga Serbia e më pas me radhë vende të tjera.
“Rusia është vendi me sasinë më të lartë të importuar sikurse edhe çmimin më konkurrues kundrejt vendeve të tjera. Edhe Kroacia është një vend me import me çmim të ulët kundrejt mesatares së vendeve të tjera”, bën të ditur Open Data Albania.
Në harkun kohor 2001-2013, në vend janë importuar grurë dhe përzierje grurë-thekër nga vende të ndryshme të botës, që nga Amerika Latine e deri në vendet e Lindjes së Mesme. Rusia, Serbia, Bullgaria dhe Franca renditen në vendet nga të cilat Shqipëria ka blerë vazhdimisht përgjatë viteve grurë dhe përzierje grurë-thekër.
Po ashtu, peshë të rëndësishme në importin e grurit dhe përzierjes grurë-thekër zënë Hungaria, Ukraina dhe Kroacia, Greqia dhe Italia. “Vendi ynë ka blerë grurë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Brazili, Paraguai, Moldavia, Turqia por në periudha të shkurtra kohore”, thuhet në një komunikatë shtypi.
Çmimi mesatar vjetor i blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër nga importi deri në vitin 2006 varionte në kufijtë 15 000-17 000 Lek/Ton. Në vitin 2007 çmimi i blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër u shtrenjtua, duke kaluar në nivele mbi 20 000 Lek/Ton. Ky shtrenjtim vazhdoi edhe në vitet në vijim, duke arritur në vitin 2011 çmimin mesatar më të lartë të blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër, ku një ton u ble për 35 290 Lek (350 $).
Shqipëria importon në mënyrë konstante drithëra dhe kryesisht grurë duke shënuar konsum të lartë nga importi. Ju mund të gjeni këtë artikull duke klikuar këtu: Tregues mbi importin e grurit sipas origjinës 2001-2013. Burim informacioni për këtë analizë janë të dhëna të Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë.