Shqipëria importon në mënyrë konstante drithëra dhe kryesisht grurë, duke shënuar konsum të lartë nga importi i tyre. Një fakt i tillë pohohet në një hulumtim të fundit të kryer nga organizata “Open Data Albania”, sipas të cilit, ndër vite importi i grurit dhe përzierjes grurë-thekër ka pësuar ulje dhe ngritje të vazhdueshme, si në sasi ashtu edhe në vlerë. 
Kështu, duke hulumtuar konkretisht mbi tregues të importit të grurit dhe përzierjes grurë-thekër (meslin) në vitet 2001-2013, ky organizëm ka arritur në përfundimin se ka qenë viti 2004 kur edhe është importuar sasia më e madhe e grurit dhe e përzierjes në fjalë, përkatësisht me një sasi totale prej 354.617 tonë. Ndërsa është konstatuar më tej se vlera më e lartë në lekë për importin të grurit dhe përzierjes grurë-thekër është realizuar në vitin 2011. 
Sa u përket vendeve, nga është importuar ky lloj drithi, hulumtimi i “Open Data” ka konstatuar se në harkun kohor të viteve 2001-2013, vendi ynë ka importuar grurë dhe përzierje grurë-thekër nga vende të ndryshme të botës, që nga Amerika Latine e deri në vendet e Lindjes së Mesme. Rusia; Serbia; Bullgaria dhe Franca. “Po ashtu, peshë të rëndësishme në importin e tyre zënë Hungaria, Ukraina dhe Kroacia, Greqia dhe Italia. Vendi ynë ka blerë grurë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Brazili, Paraguai, Moldavia, Turqia por në periudha të shkurtra kohore”, citon gjithashtu hulumtimi në fjalë. 
Ndërsa shtohet në këtë kuadër, se për vitin 2013, rreth 68.5% e sasisë për këtë grup malli vjen nga Rusia; 11.46% nga Serbia e më pas me radhë vende të tjera. “Rusia është vendi me sasinë më të lartë të importuar sikurse edhe çmimin më konkurrues kundrejt vendeve të tjera. Edhe Kroacia është një vend me import me çmim të ulët kundrejt mesatares së vendeve të tjera”, thuhet më tej nga përfaqësuesit e “Open Data”-s.
E kemi blerë shtrenjtë apo lirë?
Çmimi mesatar vjetor i blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër nga importi deri në vitin 2006 varionte në kufijtë prej 15.000-17.000 lek/ton. Kurse në vitin 2007, “Open Data” përmend faktin se çmimi i blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër u shtrenjtua, duke kaluar në nivele mbi 20.000 lek/ton. Ky shtrenjtim vazhdoi edhe në vitet në vijim, duke arritur në vitin 2011 çmimin mesatar më të lartë të blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër, ku një ton u ble për 35.290 lek (350 $).
Viti 2013, blemë grurë  kryesisht nga Bosnja
Në vitin 2013, u importuan 254.228 ton grurë dhe përzierje grurë-thekër, me një çmim mesatar vjetor blerje 33620 lek/ton (320 $/ton). Vendet kryesore nga të cilat u ble gruri dhe përzierja grurë-thekër ishin Bosnjë Hercegovina; Bullgaria; Kroacia; Franca; Greqia; Hungaria; Italia; Kazakistani; Rumania; Rusia dhe Serbia. Këtë vit mungonin importet nga Ukraina, e cila ka qenë një furnizuese e rregullt e vendit tonë. Rusia dhe Kroacia janë vendet me çmim më konkurrues kundrejt mesatares së çmimit.

2004
Ka qenë viti kur nga Shqipëria është importuar sasia më e madhe e grurit dhe e përzierjes grurë-thekër, përkatësisht me një sasi totale prej 354.617 tonë
2011
Ka qenë viti kur nga Shqipëria është realizuar vlera më e lartë në lekë për importin të grurit dhe përzierjes grurë-thekër, e lidhur me rritjen e çmimeve
68.5%
E sasisë së importuar të grurit dhe përzierjes grurë-thekër
për vitin 2013, ka ardhur nga Rusia; 11.46% nga Serbia e më pas me radhë vende të tjera

254.2
Ton grurë dhe përzierje grurë-thekër u importuan gjatë vitit 2013, me një çmim mesatar vjetor blerje 33620 lek/ton (320 $/ton), pas shtrenjtimit të çmimit
350
Dollarë toni ka qenë në vitin 2011 çmimi mesatar më i lartë i blerjes së grurit dhe përzierjes grurë-thekër,  shtrenjtim ky i cili vazhdoi edhe në vitet në vijim