Vlera e subvencionuar që nga fillimi i shkollës deri në datën 23 nëntor është rreth 37 milionë lekë
Rimbursimi i teksteve shkollore ka qenë dhe mbetet një proces i dështuar. Edhe pse këtë vit u premtua se për shkak të ‘biografisë’ së keqe që ka sistemi i ngritur për rimbursimin e librave do të zhdukej përfundimisht, historia u përsërit sërish. Kështu, kur kanë kaluar rreth tre muaj nga nisja e vitit shkollor 2014-2015, ndërsa jemi në prag të përfundimit të semestrit të parë, subvencionimi i parave për librat shkollorë është ekzekutuar vetëm në 2 drejtori arsimore dhe në 4 Zyra Arsimore. Bëhet fjalë për drejtoritë arsimore: Durrës, Fier dhe për Zyrat Arsimore: Bulqizë, Gramsh, Malësi e Madhe dhe Pukë, që kanë marrë paratë për subvencionimin e teksteve shkollore, për kategoritë përfituese, nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, fond që me sa duket nuk është lëvruar për të gjitha drejtoritë arsimore njëherësh. 
“Në zona të tjera të Shqipërisë megjithëse shënon muaji i tretë i vitit shkollor, nuk është bërë i mundur sigurimi i librave falas për fëmijët e familjeve në nevojë. Vlera e subvencionuar që nga fillimi i shkollës në muajin shtator deri në datën 23 nëntor është 36 779 831 lekë”, sqaron Open Data Albania. Kështu, nëse në 6 drejtori arsimore rajonale janë shpërndarë deri tani rreth 37 milionë lekë në total, para që u janë shpërndarë familjeve që përfitojnë nga fondi i rimbursimit, 2 DAR-ve dhe 4 ZA-ve, ndërsa të tjerat vazhdojnë të përballen me ankesat e prindërve, të cilët duhet t’i kishin marrë paratë prej tre muajsh, pa përmendur gënjeshtrën e Ministrisë së Arsimit, e cila këtë vit, ndryshe nga përvojat e kaluara, premtoi se tekstet do të jepeshin falas në dorë, pasi MAS, në dijeni të numrit të përfituesve në total, kishte bërë edhe porositë e nevojshme te shtëpitë botuese, të cilat do t’i jepnin falas, pa para në dorë librat shkollorë të këtij viti. Vendim ky që sipas zyrtarëve të MAS përpara fillimit të vitit të ri shkollor, do të eliminonte njëherë e mirë proceset burokratike në kurriz të prindërve. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, përkundrazi historia u përsërit njësoj siç bënte edhe qeveria Berisha, pala e akuzuar nga qeveria “Rama”, sot, që ndonëse jo parimisht, praktikisht po vepron njësoj në këtë drejtim.
Por, ky nuk është i vetmi ngërç. Prindërit, fëmijët e të cilëve përfitojnë me udhëzim të MAS tekste shkollore falas, pohojnë për gazetën “Shqip”, se shumë prej tyre nuk janë pajisur fare me faturë tatimore, dokument që në mungesë, u heq automatikisht atyre të drejtën për t’u rimbursuar nga shteti. “Vajza ime është në klasën e katërt. Librat shkollorë i bleva në gusht, kur ishte edhe periudha e shitjes së tyre në libraritë e shkollave. Ditën e parë, shkova me dokumentin që vërteton se im shoq, një prej kryefamiljarëve, siç edhe parashikon ligji është invalid, duke menduar se do t’i merrja librat falas në moment, sepse kështu na u premtua këtë herë. Në lajme, Ministria e Arsimit pohonte se këtë vit librat do jepeshin falas, pa para në dorë. Shitja më tha që kjo është e pavërtetë dhe se duhet të paguaja. 
Me thënë të drejtën nuk i kisha të gjitha lekët me vete, kështu që shkova ditën tjetër. Mirë që i bleva, rreth 36 mijë lekë të vjetra, por nuk më dhanë faturë tatimore. Ja kërkova me këmbëngulje, por më tha që nuk është e nevojshme, sepse mjafton dokumenti që vërteton paaftësinë e tim shoqi. I besova natyrisht dhe ika në shtëpi. Që prej asaj dite dhe sot s’jam rimbursuar akoma, ndërsa sekretarja e shkollës më tha që duhet patjetër fatura tatimore. Kjo është të tallesh me fukarain, asgjë më shumë”, tregon e prekur Fatlinda, nënë e dy fëmijëve. Masa e subvencionimit është e përshkallëzuar në varësi të të ardhurave dhe statusit të nxënësit në familjen ku bën pjesë. “Kompensimin maksimal në masën 100% do ta përfitojnë të gjitha familjet që kanë nivel të ulët të ardhurash, të cilat e kanë të pamundur blerjen e librave me çmimet reale. 
Konkretisht, në këtë grup bëjnë pjesë kategoritë që trajtohen me asistencë apo me ndihma të tjera nga shteti; Kompensim në masën 100% do ta përfitojnë edhe nxënësit, prindërit e të cilëve përfitojnë pension pleqërie, si dhe nxënësit që kanë statusin e jetimit; minoritetet dhe fëmijët e emigrantëve; nxënësit e verbër, paraplegjikë, fëmijët e policëve të vrarë në detyrë; nxënësit që hasen me probleme të rënda sociale në familje; romët do të përfitojnë kompensimin në masën 100% të teksteve mësimore që do të përdorin gjatë frekuentimit të vitit të ri shkollor 2013-2014”, sqarohet në udhëzimin e MAS, për kategoritë që përfitojnë nga rimbursimi i teksteve shkollore.