Qeveria duhet të amendojë nenin 27 të ligjit “Për sigurimet shoqërore”, i cili parashikon që pagesa e barrëlindjes të bëhet në bazë të pagës neto dhe jo asaj bruto, pasi kjo është një shkelje e hapur e të drejtave të grave”. Kërkesa vjen nga kryetarja e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, njëkohësisht anëtare e Aleancës së Grave Deputete, Albana Vokshi. Përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Vokshi shprehet se ulja e pagesës së barrëlindjes do të ndikojë dhe në uljen e lindshmërisë, ndërsa thekson se në momentin e parë që Partia Demokratike do të hyjë në parlament, do të kërkojë ndryshimin e ligjit.
Znj. Vokshi, ligji i ri “Për sigurimet shoqërore”, që hyn në fuqi në datën 1 janar 2015 parashikon përllogaritjen e pagesës së barrëlindjes në bazë të pagës neto dhe të asaj bruto siç ndodhte deri më tani, çka rrjedhimisht do të sjellë uljen e kësaj pagese. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Ulja e fondit për lejen e lindjes është një nga anët më të errëta të asaj që unë e cilësoj si paketa e diskriminimit për gratë. Ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore” u bënë në një terr informativ dhe në thyerje të plotë të praktikave të një parlamenti funksional demokratik. Nuk u dëgjuan grupet e interesit, shoqëria civile që merret me të drejtat e grave dhe problematikën e tyre. Ekspertët e fushës të varur e të pavarur u injoruan nga deputetët e mazhorancës. Në këndvështrimin tim, duke qenë se po e skanojmë gjendjen si Komision i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë dhe bashkë me deputetë të tjerë përditë jemi në terren fshat më fshat e qytet më qytet, shohim se gruaja po kthehet në një status të mjerueshëm si në kohën e diktaturës për nga të drejtat dhe në kohën e pushtimit osman, për nga statusi social. Nuk e kuptoj si mundet që një ministër dhe një kryeministër që i përdorin gratë vetëm për retorikë në qeveri e parlament dhe sfond fotosh apo ekranesh, nuk harton reforma që të rilindin me të vërtetë gratë e vuajtura kryefamiljare, të divorcuarat, etj.
Mendoni se ndryshimi i përllogaritjes do të ndikojë në uljen e lindshmërisë?
Fillimisht dua të them se janë me qindra e mijëra gra që u ka rënë barra e mbajtjes së familjes, që kanë fëmijë të sëmurë, burra të papunë dhe pa asnjë të ardhur. Si mund të privosh një nënë të re nga një pagesë mëse të merituar, madje shumë të vonuar, sepse po sjell një jetë të re për shoqërinë? Jam e zhgënjyer që asnjë nga koleget e majta nuk ngriti zërin për cenimin e pagesës së barrës. Në një parlament evropian kjo do kthehej betejë parlamentare e grave. Kur në të gjithë Evropën ndërmerren politika që stimulojnë shtimin e lindshmërisë, qeveria “Rama” i ngrin dhe i bllokon këto iniciativa. Ka një paradoks të madh në këtë qeverisje, që sigurisht lidhet dhe me manipulimin e elektoratit në 23 qershor. Programi i Rilindjes që presupozohej të ishte social, pra i majtë është krejtësisht i kundërt.
Çfarë duhet bërë sipas jush, në mënyrë që ky nen të kthehet mbrapa dhe përllogaritjet e pagesës së barrëlindjes të bëhen në bazë të pagës bruto?
Ne kemi kërkuar që komisionet parlamentare të thërrisnin për dëgjesa palët e interesit dhe shoqërinë civile. Sigurisht, asnjë komision nuk bëri asnjë dëgjesë, pasi pothuajse çdo nen shkon ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë e për fat të keq, më së shumti rëndohen gratë. Por, nuk ka ligj që s’ndryshon. Mjafton që qeveria të sjellë një amendim të këtij ligji në parlament, por ajo nuk ka vullnet për ta bërë një gjë të tillë.
Ju si opozitë, a keni një plan për të kërkuar ndryshimin e nenit të të ardhurës për barrëlindje?
Në kushtet e një bojkoti parlamentar asnjë kërkesë e opozitës e bërë publikisht nuk merret parasysh, por në rastin më të parë që ne do jemi përsëri pjesë e tij do të shqyrtojmë mundësinë e një kërkese të amendimit të këtij ligji. Siç e thashë, ky ligj mbart edhe shumë problematika të tjera dhe mendoj që edhe kërkesat tona për ndryshimin e tij mbase nuk do të jenë të reduktuara vetëm në këtë nen, por edhe në ndryshimin e neneve të tjera që prekin kryesisht shtresat më vulnerabël të shoqërisë shqiptare.