Pas analizës së detajuar të publikuar në Open Data Albania mbi pakësimin e përfitimit si pasojë e ndryshimeve ligjore, anëtare të Grupit për Çështje Gjinore në Parlamentin e Shqipërisë kanë njoftuar se do të shikohet mundësia për abrogim të këtij neni me efekte ligjore përkeqësuese. E drejta e grave për të përfituar leje lindje rrjedh nga e drejta për mbrojtje nga skema e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu ky trajtim ligjor duhet të mbrojë të drejtën e individit për familje me mundësitë për mirërritje të miturve.
Pakësimi i përfitimit të lejes së lindjes pas 1 janarit 2015 është konsideruar edhe si një situatë jo favorizuese e grave që duan të punojnë duke qenë njëkohësisht prind. Ky nen i ligjit që rregullon skemën e sigurimeve shoqërore u ndryshua në korrik të 2014, pa konsultime të organizatave që mbrojnë çështje ligjore dhe në Parlament mungonin për shkak të bojkotit deputet, përfaqësues të partive opozitare.