Partitë politike nuk kanë bërë transparencë të plotë për paratë që kanë shpenzuar gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit. Edhe pse ka kaluar një muaj nga data e përfundimit të zgjedhjeve dhe pak nga pak kryetarët e rinj po marrin detyrat, lista reale e financimit të fushatës nuk është bërë publike. Deri më tani është bërë publike shuma e  transaksioneve të dhëna nga shteti për partitë politike, por pjesa e donacioneve mbahet e fshehur.

Kërkesa

Instituti Shqiptar i Shkencave dhe  Open Data Albania i janë drejtuar me shkresa zyrtare partive politike të cilat kanë refuzuar t`i përgjigjen kërkesës së dërguar prej tyre, për të treguar shpenzimet gjatë fushatës dhe burimin e financimit. “Në vijim të kësaj pune në fillim të fushatës zgjedhore 2015, organizata ju drejtua me një kërkesë zyrtare tre subjekteve ndër më kryesore në fushatë si Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Kërkesa synonte aksesin dhe informimin publik në kohë reale, mbi donatorët, shumat dhe shpenzimet, por nuk është marrë përgjigja e kërkuar” thotë Aranita Brahaj, drejtoreshë e organizatës

Fondi shtetëror 2015

Lidhur me fondin shtetëror për zgjedhjet vendore, 2015 janë dhënë rreth 255 milionë lekë. KQZ-ja, në mbështetje të ligjit “Për partitë politike” dhe ligjit “Për buxhetin e vitit 2015”, në mbledhjen e 3 shkurtit,  miratoi ndarjen e fondit vjetor prej 190 milionë lekësh të reja për partitë politike, fond ky që u shpërnda në bazë të numrit të deputetëve që ato kanë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare, por dhe numrit të votave. Në bazë të kësaj formule, PS-ja përfitoi rreth 73.67 milionë lekë, PD-ja përfitoi 57.17 milionë lekë, ndërsa LSI-ja mori 20.57 milionë lekë. Më vonë edhe Këshilli i Ministrave vendosi në dispozicion të partive politike fondin shtesë prej 65 milionë lekësh të reja, për fushatën e zgjedhjeve vendore.

Fushata e vitit 2013

Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2013, sipas statistikave dhe analizës që ka bërë Open Data Albania, PS ka shpenzuar për fushatën elektorale 80.1 milionë lekë; nga këto 45.3 milionë ishin donacione; 26.1 milionë fonde nga buxheti i shtetit; dhe 8.7 milionë të ardhura të vetë subjektit. Partia Demokratike ka shpenzuar 94.5 milionë lekë (63.3 mln donacione), dhe 25.7 milionë fonde nga buxheti i shtetit; të ardhurat e vetë partisë ishin 5. 473.551 lekë. LSI për fushatën e vitit 2013 ka shpenzuar në total 25.3 milionë lekë; nga këto 3.1 milionë kanë qenë fonde nga buxheti i shtetit; 15.5 mln të ardhura sipas nenit 84, pika 6 Kodi Zgjedhor; dhe donacione, 1.270.489 lekë.

Refuzimi

Konkretisht  organizatat në fjalë, i kërkuan partive politike  listën e dhuruesve të fondeve jopublike të përfituara në datat 21 maj deri 21 qershor 2015 dhe që janë mbi shumën 100 000 (njëqindmijë) lekë ose shërbime dhe sende të barasvlershme me të; po ashtu edhe lista e çdo shpenzimi të kryer eventualisht prej datës 21 maj 2015 me fonde vjetore të përfituara  nga Buxheti i Shtetit 2015. “Kjo kërkesë megjithëse e dërguar dhe marrë në dorëzim nga subjektet përmes postës zyrtare nuk mori përgjigje sipas interesit. Duke i konsideruar Partitë Politike si subjekte të rëndësishme për publikun, dhe transparencën me financat e tyre të një rëndësie të veçantë, i jemi drejtuar edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me një Ankesë kundrejt subjekteve,” thotë Brahaj, ndërsa sqaron se kërkesa do të ndiqet në rrugë gjyqësore. Kërkesa ODA-s bazohet në nenin 9, paragrafi i tretë i Kushtetutës, neni 87/1, neni 89 dhe 90 i Kodit Zgjedhor, si dhe të Ligjit nr 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit ” neni 2 shkronja c, neni 3 dhe neni 11.

Gjykata

“Me dëshirën për të kontribuuar në krijimin e kulturës demokratike të transparencës, në javët apo muajt në vijim në bashkëpunim më një nga studiot më të mira në trajtim e çështjeve për të drejtë publike dhe ekspertizë në legjislacionin elektoral, do t`i drejtohemi institucioneve përfshi edhe gjyqësorit.  Megjithëse fushata ka përfunduar, dhe ndërkohë raportet e auditimit të subjekteve elektorale mund të publikohen, ne shohim me vend një interpretim doktrinar të çështjes nëse janë partitë politike subjekte të të drejtës për informim publik, sikurse a duhet ato të bëjnë publike në kohë reale të dhënat mbi donatorët dhe shpenzimet në fushatë,” argumenton ODA.

Sipas legjislacionit shqiptar, juristët shpjegojnë se jo vetëm organizatat por edhe qytetarë të thjeshtë kanë të drejtë t`i dërgojnë një kërkesë partive politike për të mësuar shumën e shpenzuar gjatë fushatës. Në rast refuzimi kërkesa mund t`i drejtohet edhe gjykatës.