Open Data Albania ka analizuar dinamikën e rezervës valutore në dekadën e fundit. Rezerva valutore është rezerva në monedhë të huaj që manaxhohet nga Banka e Shqipërisë kryesisht për mbulimin e nevojave të vendit për monedhë të huaj dhe në raste krizash.

Qëllimi i mbajtjes së rezervave valutore është:

(a) mbështetja e politikës monetare dhe manaxhimi i kursit të këmbimit, duke përfshirë edhe ndërhyrjen për mbështetjen e monedhës vendase; (b) kufizimin e vulnerabilitetit gjatë krizave duke mbajtur likuiditet në monedhë të huaj; (c) sigurimin e besimit në tregje se vendi mund të mbulojë borxhin e jashtëm; (d) demonstrimin e mbështetjes së monedhës vendase nga aktive të huaja; (dh) mbështetjen e qeverisë në mbulimin e nevojave për monedhë të huaj dhe të borxhit të jashtëm; (e) mbajtjen e një rezerve për raste emergjencash kombëtare.

Rezerva Valutore në monedhë të huaj 2005-2014



Burimi: Banka e Shqiperise, Raporti Statistikor
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: Banka e Shqiperise, Raporti Statistikor
Komentet dhe Analiza: ODA

Rezerva valutore në fund të vitit 2014 ishte 2,191.7 milion EUR, krahasuar me 1,204.2 milion EUR në vitin 2005, pra një rritje me rreth 82%. Rritja e rezervës ka ardhur nga disa faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm, si: privatizimet, marrëdhëniet tregtare, rezervat e detyrueshme të bankave tregtare në monedhë të huaj, të ardhurat nga investimi i rezervës etj.

Rezerva valutore mbahet në monedhat USD, EUR, GBP dhe JPY.  Banka e Shqipërisë e ka përdorur rezervën kryesisht për të mbështetur nevojat e Ministrisë së Financave për valutë të huaj. Kështu gjatë vitit 2014, transfertat përfshirë dhe shërbimin e borxhit për llogari të Ministrisë së Financave ishin 275.8 milion Euro.

Ndërkohë hyrjet neto nga lëvrimi i huave të dhëna nga FMN, IDA dhe rinovimi i titujve afatshkurtër, ishin në masën 350.18 Euro. Gjithashtu rezerva është përdorur edhe për mbështetjen e sistemit bankar ku gjatë 2014, transfertat neto drejt këtij sistemi ishin 51.17 milion Euro.

Nga ana tjetër ndërhyrjet për kursin e këmbimit kanë qenë minimale. Raste të rralla të ndërhyrjes kanë për qëllim  uljen e volatilitetit në raste të caktuara. Këto ndërhyrje nuk kanë për qëllim ndikimin e kursit të këmbimit afatgjatë.