Open Data Albania po përditëson lidhur me numrin e Organizatave Jofitimprurëse dhe Ndërkombëtare që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë për vitin 2014. Organizata Jofitimprurëse OJF, sipas Ligjit Nr. 8788, Datë 7.5.2001 është një person juridik shoqatë, fondacion apo qendër, që nuk ka për qëllim sigurimin e fitimit dhe vepron si e pavarur nga shteti apo ndikimet politike të partive dhe angazhohet kryesisht në aktivitete që kontribuojnë në të mirën publike. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Regjistri Kombëtar i Ndërmarrjeve, pjesa ku përpunohen të dhëna për subjekte të regjistruara dhe që deklarojnë veprime sipas numrit fiskal NIPT.

Organizatat jofitimprurëse fitojnë personalitetin juridik pasi të jenë themeluar dhe regjistruar në gjykatë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara me ligj. Gjykata e Rrethit Tiranë ka detyrim ligjor të mbajë një Regjistër Kombëtar për këtë kategori subjektesh. Deri sot ky institucion nuk ka aplikuar database apo statistikë me tregues publik për organizata të themeluara dhe regjistruara. Në këtë artikull të ODA janë tregues vetëm për atë pjesë të organizatave që pas themelimit kanë ushtruar edhe aktivitet me detyrim për deklarime tatimore. Konkretisht organizata me NIPT aktiv. Numri mund të jetë më i lartë me të tjera organizata që veprojnë si bashkime vullnetare, kanë akt themelimi të regjistruar në gjykatë, por nuk kanë bërë deklarim pranë Autoriteteve Tatimore.

Në vitin 2014 shënohen dymijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë organizata jofitimprurëse lokale dhe ndërkombëtare, që operojnë në Republikën e Shqipërisë.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Mesatarja vjetore e organizatave të reja që regjistrohen është njëqind e nëntëdhjetë e dy. Në harkun kohor 2006-2014 viti me numrin më të lartë të organizatave të themeluara është 2014-ta me përkatësisht 347 organizata të reja jofitimprurëse. Megjithëse në vitet 2006-2007 dhe 2011-2012 kanë pasur një numër ndjeshëm më të ulët të krijimit të ojf-ve, ky numër nuk ka rënë asnjëherë nën njëqind organizata  të krijuara çdo vit.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Lidershipi femëror në drejtimin e organizatave joqeveritare shënon rritje por duke qendruar ende në raportin 30%. Në dy vitet e fundit, 2013 dhe 2014, kanë drejtuar ojf-të aktive përkatësisht gjashtëqind e njëzet e pesë dhe shtatëqind e njëzetë e dy drejtuese femra.


Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komentet dhe analiza: ODA

Kontribuoi: Griselda Rruci