Vjedhjet përmes tenderave në Bashkinë e Durrësit nga Kryetari Vangjush Dako kapin shifra marramendwse prej qindra miliona parash. 
Open Data Albania përmes disa artikujve ka hulumtuar mbi dëmin ekonomik në bashki, kryetarët e të cilave janë rikonfirmuar për një mandat tjetër në zgjedhjet e 21 qershorit. Dëmi Ekonomik është një tregues që del nga procese të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas këtyre të dhënave rezulton se Vangjush Dako është një nga kryebashkiakët që ka kryer shkelje tw njëpasnjëshme në çdo tender gjatë gjithë mandateve të tij në drejtimin e Bashkisë së Durrësit. 
Gjatë harkut kohor 2008-2014, Bashkia Durrës me kryebashkiak të rizgjedhur, Vangjush Dako është kontrolluar pesë herë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe është raportuar për 198.7 milionë lekë dëm ekonomik total, ku dëmi më i lartë është llogaritur për vitet 2010 dhe 2013. Viti 2008, që përkon edhe me vitin e parë të mandatit, shënon nivelin më të ulët të dëmit ekonomik me vlerën 2.88 milionë lekë, i gjithi në fushën e prokurimeve. 
Auditimi i vitit 2010 ka vlerësuar 58.66 milionë lekë dëm ekonomik, rreth 20 herë më të lartë se në vitin 2008. Peshën më të lartë e zë dëmi në sektorin e tatim taksave, si pasojë e mospagesës së detyrimeve tatimore në vlerën 49.5 milionë lekë. Në vitin 2011 vihet re një rënie e dëmit të raportuar, e ndikuar kjo edhe nga fakti se është audituar vetëm një vit kontabël dhe jo 2 vite, sikurse është praktika e zakonshme. Dëmi në këtë vit është shkaktuar kryesisht në sektorin e prokurimeve me 22 milionë lekë dhe shpërblimeve 3.2 milionë lekë. Viti 2013 shënon sërish rritje të dëmit, 58.6 milionë lekë, i shkakuar thuajse totalisht në fushën e prokurimeve. 
Ky kontroll ka rezultuar me 11 persona të kallëzuar penalisht, me akuzën për shpërdorim detyre dhe shkelje të pabarazisë së pjesëmarrjes në tendera. Kontrolli i vitit 2015 ka rezultuar me 52.3 milionë lekë dëm, 45.5% e të cilit apo 23.8 milionë lekë është në fushën e prokurimeve, 26% apo 13.75 milionë lekë në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pronës publike si pasojë e mosderdhjes së qirasë për ambientet e zaptuara nga të tjerë dhe 13.6 milionë lekë janë evidentuar për mungesën e kontabilizimit të detyrimeve të kreditorëve në bilancin vjetor. Ajo që bie në sy është tendenca e nivelit të lartë të dëmit në sektorin e prokurimeve, sidomos në vitet 2011, 2013 dhe 2015.  
Pasuria mbi 2 milionë euro e Dakos
Vangjush Dako, aq vite sa ka në drejtimin e Bashkisë Durrës aq të gjatë e ka edhe listën e abuzimeve, aferave korruptive dhe vjedhjen e miliona eurove, para të destinuara për shërbime për qytetarët durrsakë. Shfrytëzimi i pushtetit për interesa personale apo familjare i ka mundësuar kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, një pasuri e cila kap shifrën e mbi 2 milionë eurove, konkretisht para dy viteve ai deklaron se dispononte 890 milionë lekë, 150 mijë dollarë dhe 25 milionë lekë të ardhura në vit nga pagat e tij dhe të bashkëshortes. Gjithë kjo pasuri e deklaruar pranë ILDKP është vetëm një pjesë e vetëdeklaruar nga kreu në ikje i Bashkisë së Durrësit, ku mungon firma “3D” e njohur nga banorët e këtij qyteti si firma e Vangjush Dakos në bashkëpronësi me vëllain e tij. 
Nga viti 2007, vit në të cilin Vangjush Dako është shkëputur në mënyrë fiktive nga puna si administrator i firmës “3D” e deri sot, kjo kompani njeh një sukses marramendës në tregun e ndërtimit, e cila ka mbikatërfishuar xhiron e saj. Në deklaratën e parë të deklarimit të pasurisë pas marrjes së detyrës si kryebashkiak i Durrësit, Dako deklaron se nga firma betoniere “3D” merr vetëm një pagë prej 20 mijë lekësh të rinj si administrator i kësaj firme. Paga prej 20 mijë lekësh në muaj e ka ndihmuar kryebashkiakun e Durrësit që të krijojë një pasuri gjigante, e cila kalon shifrën e 1 miliard lekëve të deklaruara pa përfshirë bashkëpronësinë e firmës së betonit “3D”. Gjithashtu, në deklaratën drejtuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Vangjush Dako nuk ka deklaruar apartamentin luksoz në një prej zonave më të shtrenjta, ajo e “Torrës” e njohur si zona turistike e këtij qyteti. Mosdeklarimi i pasurisë përcaktohet si shkelje në Ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Sipas nenit 4 të këtij ligji, “Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë”. 
500 milionë lekë shkelje Sejdini 
Bashkia Elbasan me kryebashkiak të rizgjedhur, Qazim Sejdini është audituar 5 herë gjatë periudhës kohore 2008-2015 dhe ka një dëm total të raportuar 49.6 milionë lekë. Tenderat dhe prokurimet publike zënë 83% të dëmit të vlerësuar në auditim. Ndërsa Bashkia Himarë me kryebashkiak të rizgjedhur, Jorgo Goro është audituar nga KLSH dy herë dhe është raportuar për 114.88 milionë lekë dëm ekonomik në total. Kjo e ka evidentuar si bashki me dëm ekonomik të lartë. Në raportin e auditimit të 2015, shfaqet me një dëm 3 herë më të lartë se në kontrollin e vitit 2012, ku spikat dëmi në tatim taksa si detyrime të papaguara të taksave vendore, dëmi në prokurime 21.37 milionë lekë; dëmi në urbanistikë me 10.38 milionë shkaktuar si diferencë e papaguar nga llogaritja e gabuar e taksës së lejes së ndërtimit dhe dëmi në shitjen dhe dhënien me qira të pasurisë publike e 8.92 milionë lekë.