Studimi u publikua nga Open Data Albania, pasi ka hulumtuar në lidhje me Dëmin Ekonomik të shkaktuar dhe personat e kallëzuar për ndjekje penale si shkaktarë kryesor ndaj Buxhetit të Shtetit, për vitin 2015

Audititet dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2015, treguan se është 84% e dëmit ekonomik total (prej 125.8 miliardë lekësh) që është shkaktuar përmes Administrimit të Pronës Shtetërore dhe Koncesioneve.

Nga këto 100.5 miliardë lekë dëm ekonomik është shkaktuar në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dhe 5.3 miliardë lekë janë shkelje të tjera të disiplinës financiare. Riskun më të lartë në këtë fushë e shënon sektori energjetik dhe ai i hidrokarbureve.

Studimin e parashtroi Open Data Albania, pasi ka hulumtuar në lidhje me Dëmin Ekonomik të shkaktuar dhe personat e kallëzuar për ndjekje penale si shkaktarë kryesor ndaj Buxhetit të Shtetit, për vitin 2015.

   
Në harkun kohor 2012-2015 dëmi i shkaktuar në sektorin e Administrimit të Pronës Shtetërore dhe Koncesioneve është rritur mbi tetë herë. Në vitin 2012 ky sektor shënonte 12.7 miliardë lekë dëm nga 13.5 miliardë lekë që ishte dëmi ekonomik total.
   
Sektori i Tatim- Taksave dhe ai i Doganave janë dy fusha të tjera në të cilat është shkaktuar një dëm i lartë ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit. Këto dy sektorë shënojnë një dëm prej 12.6 dhe 4.2 miliardë lekësh. Dëmi në këto dy sektorë ka ardhur në rritje që prej vitit 2012, por ky fenomen ndjehet më shumë vitin e fundit ku dëmi në sektorin e tatim – taksave është rritur 45 herë dhe dëmi në sektorin e doganave është rritur 5 herë krahasuar me një vit më parë. Në fushën e tatimeve kjo rritje vjen edhe si pasojë e ndryshimit të metodologjisë dhe aksesit për auditim.
   
Dëmi në Prokurime Publike në vitin 2015 ishte 2.6 miliardë lekë, ose 2% e dëmit ekonomik total. Katër vite më parë Prokurimet publike kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 444.6 milionë lekësh.
   
Në grupin e Shpenzimeve Korente peshën kryesore të dëmit të shkaktuar e mban fusha e shpërblimeve dhe ajo e sistemit të pagave.
   
Urbanistika është sektori me dëmin më të vogël ekonomik ndër vite. Në vitin 2015 dëmi nga ky sektor shënon vlerën 63 milionë lekë. Ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë dëmi në urbanistikë ka pësuar rënie me rreth 49% krahasuar me katër vite më parë.
  
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti raporton 51 raste kallëzimesh për 159 persona funksionarë shteti, me një dëm ekonomik të evidentuar prej 85.8 miliardë lekësh.

Artikullin për Dëmin ekonomik që Audituar nga KLSH sipas sektorëve ju mund ta gjeni duke lexuar artikullin Struktura e Dëmit Ekonomik sipas Fushave.

   
Sipas KLSH gjatë këtij viti janë kryer 16 kallëzime penale ndaj Institucioneve Qendrore.
  
 Numrin më të lartë të kallëzimeve penale e shënojnë Institucionet Vendore me përkatësisht 21 raste të kallëzuara për 87 funksionarë.
   
Gjatë këtij viti janë kallëzuar penalisht si shkaktarë të një dëmi të lartë ekonomik ndaj buxhetit të shtetit 1 Ministër, 1 Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, 1 Sekretar i Përgjithshëm Ministrie, 38 Drejtorë, 15 Funksionar të Pushtetit Vendor ku 13 janë Bashkiak e 2 Komunar.
  
 Dëmi më i lartë Ekonomik rezulton të jetë shkaktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatura e Shtetit në vlerën 67 miliardë lekë.
   
Më 12.10.2015 janë kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre pranë këtyre institucioneve Ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, në cilësinë e Kryetarit dhe Anëtares së Grupit të Punës të ngritur në bazë të VKM nr. 969 dt. 25.10.2013 “Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s”.
   
I kallëzuar penalisht sipas KLSH më 27.03.2015 rezulton Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ky institucion shënon një dëm ekonomik prej 108 milionë lekësh dhe funksionarët janë në hetim për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike”.
   
Në Institucionet Vendore kanë ndodhur kallëzime penale për Kryetarin e Bashkisë Memaliaj (30.06.2015); Nënkryetarin e Bashkisë Kuçovë (10.07.2015); Kryetarin e Bashkisë Kavajë (31.08.2015); Kryetarin e Bashkisë Patos (08.09.2015); Kryetarin dhe ish-Kryetarin e Komunës Perondi, Berat (10.07.2015) etj.

Artikullin dhe Vizualizimet ju mund ti gjeni duke klikuar Kallëzime Penale për institucionet dhe shoqëritë që kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit 2015.

   
Njëmbëdhjetë nga këto auditime janë kryer mbi investimet dhe projektet me financim të huaj dhe dëmi ekonomik i konstatuar prej këtyre subjekteve shënon vlerën 1.07 miliardë lekë.
   
Sipas auditimeve ky dëm ka ardhur si rezultat i rritjes së kostos së projektit si pasojë e shtyrjes së afateve të disbursimit të fondeve (huave/kredive) për më shumë se katër vite; mospërmbushje në kohë e problemeve lidhur me sigurimin dhe shpronësimin e truallit ku zhvillohen projektet; mungesë monitorimi dhe mbikëqyrje të punimeve duke lënë vend për abuzime; moszbatim penalitetesh mbi kontraktorët në rast moszbatimi afatesh etj.

Projekti me Financim të Huaj që ka shkaktuar dëmin më të madh ekonomik në vitin 2015 është Projekti “Qendra e re dispecer”, Operatori i Sistemit të Transmetimit me një dëm total prej 900 milionë lekësh.