Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë të viteve 2005 deri 2015 tregojnë së janë proceduar dhe dënuar me vendim gjyqësor në total 187 subjekte individë.

Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e ‘Open Data Albania‘ bën me dije se të dhënat nga vitet 2008 – 2014 ILDKPKI kanë referuar në Prokurori 187 raste mosdeklarim dhe fshehje te pasurise.

Vetëm në vitin 2014 janë 114 funksionar të lartë të kallëzuar dhe për një pjesë të mirë të kallëzimeve të bëra nga Inspektorati, prokuroria nuk ka filluar procedim penal duke i konsideruar të pabazuara argumentet e paraqitura nga ILDKPKI.

Open Data Albania hulumton mbi të dhëna statistikore për raste të procedimeve gjyqësore për veprat penale të parashikuara në nenin 257 / a Refuzimi për Deklarimin, Mosdeklarimin, Fshehje  ose Deklarimi i Rremë i Pasurive, Interesave Private të Personave të Zgjedhur dhe Nëpunës Publik ose çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për Deklarim.

Me një ligj të veçantë,  është përcaktuar një kategori e funksionarëve të lartë publik dhe të zgjedhurve për përfaqësim, të cilët çdo vit kanë detyrim të plotësojnë një deklaratë me të dhëna pasurore dhe të autorizojnë kontrollin publik të vërtetësisë. Ky ligj detyron gjithashtu edhe deklarim fillestar të të gjitha aseteve në datën e marrjes së një detyre apo mandati. Mos respektimi i detyrimit ligjorë nga subjekte në fjalë përbën vepër penale të parashikuar nga Neni 257 / a i Kodit Penal.

Ky nen ka dy paragrafë ku paragrafi i parë parashikon refuzimin për deklarim ose mosdeklarim të pasurisë, interesave private të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor sipas ligjit. Ky veprim konsiderohet vepër penale pasi të jetë evidentuar më parë si shkelje administrative, dhe të jenë marrë masa apo sanksione të karakterit administrativ.

Në rast se mosdeklarimi ka vijuar edhe pas këtyre masave atëherë konsiderohet se  përbën kundërvajtje penale e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Ndërsa paragrafi i dytë përkon me rastet e fshehjes ose deklarimi të rremë të pasurive dhe interesave private, të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. Vepra penale e parashikuar në paragrafin e dytë  dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Sipas të dhënave të Vjetarëve Statistikor të Ministrisë së Drejtësisë rezulton që në vitet 2005 deri 2015, janë proceduar dhe janë dënuar me vendim gjyqësor në total 67 subjekte individ. Konkretisht për paragrafin e parë të nenit që përkon me Mosdeklarim apo Refuzim për Deklarim, janë proceduar në dhjetë vite, në total 45 individ, dhe janë dhënë nga gjykatat 44 vendime.

Në vitet 2005, 2007 dhe 2010 nuk kemi asnjë të çështje  të regjistruar për gjykim, e për pasojë të dënuar për këtë kundravajtje penale. Viti 2015 shënon numrin më të lartë të çështjeve dhe autorëve për këtë figurë vepre penale.

Për paragrafin e dytë të këtij neni (257/a) që përkon me fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave na rezultojnë në dhjetë vite  20 procedime gjyqësore dhe 22 të dënuar. Numri më i lartë i procedimeve është shënuar në vitin 2015. Vitet 2005 – 2007 përkojnë me mungesë procedimesh gjyqësore për këtë vepër penale.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ILDKPKI është institucioni i pavarur që ka kompetencë mbi procesin e Deklarimit dhe Kontrollit. Ky institucion referon pranë organit të akuzës rastet që përkojnë me veprime të parashikuara si kundravajtje dhe vepra penale në kontekstin e nenit 257/a. Jo çdo rast i referuar me kallëzim penal nga Inspektorati regjistrohet për procedim penal nga organi i hetimit Prokurori.

Në vitet 2008 – 2014 ky institucion ka referuar në Prokurori 187 raste. Vetëm në vitin 2014 janë 114 funksionar të lartë të kallëzuar. Për një pjesë të mirë të kallëzimeve të bëra nga Inspektorati, prokuroria nuk ka filluar procedim penal duke i konsideruar të pabazuara argumentet e paraqitura nga ILDKPKI”.