Gjatë vitit 2017, çdo qytetar në Shqipëri parashikohet të mbartë një borxh prej 382.650 lekësh. Shifra është publikuar nga “Open Data”, në studimin e së cilës evidentohet se viti 2017 pritet ta gjejë vendin tonë me 24.7 miliardë lekë më shumë borxh se në 2016. Viti 2017 vlerësohet se do të shënojë vlerën më të lartë të këtij treguesi, 56% më shumë së në 2010. Kështu, një familje mesatare prej katër personash do të mbartë një borxh prej 1.530.600 lekësh në vitin 2017, nga 980.604 lekë që ishte në vitin 2010. Borxhi për frymë ka ardhur në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2010, edhe pse ritmi i rritjes së tij është më i ulët për vitet 2016-2017.

Politikat për mbajtjen nën kontroll të borxhit në dy vitet e fundit kanë dhënë efektet e tyre në frenimin e rritjes së shpejtë që po përjetonte stoku i borxhit dhe borxhi për frymë. Viti 2014 shënoi vitin me rritjen më të lartë të stokut të borxhit me 10.49%. Në vitin 2016 ky nivel ra në 3.37%, ndërsa në vitin 2017 parashikimet flasin për 2.29% kundrejt vitit të mëparshëm. Borxhi Publik për frymë është një tregues që llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti shqiptar me popullsinë në një kohë të caktuar. “Open Data” ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2017.

Kosto e borxhit në 2017

E ndërsa “Open Data” vlerëson se ka një rritje të borxhit për frymë, këtë vit do të ketë një ulje të kostos së tij. Viti 2017 prezantohet me një rënie të kostos së borxhit për frymë, duke shkuar në 14 569 lekë ose 2.22% më pak se në 2016-n, edhe pse ka një rritje të stokut të borxhit në terma absolutë. Sipas studimit, ky nivel në rënie i kostos së borxhit për frymë vjen falë normave të pritshme të interesit në tregun e brendshëm, të cilat parashikohen të jenë ende nën nivelin mesatar të tre viteve të fundit. Edhe pse gjatë vitit 2017 vlerësohet të ketë një rritje të interesave të borxhit të jashtëm, por edhe të borxhit të brendshëm, Ministria e Financave mendon se këto efekte do të japin ndikimet e tyre në buxhet vetëm në vitet 2018-2019. Kosto e borxhit Publik për Frymë është një indikator që llogaritet si raport i shumës së interesave që paguhen nga Buxheti i Shtetit për borxhin e marrë dhe ende të pashlyer me popullsinë e vendit në një vit të caktuar.

Kosto e borxhit ndër vite

Ecuria e kostos së borxhit për frymë ka pësuar oshilacione të ndryshme ndër vite, duke reflektuar sipas rastit jo vetëm nivelin e stokut të borxhit, por edhe shtrenjtësinë e tij nëpërmjet rritje/uljes së normës së interesave apo lëvizjet e kursit të këmbimit. Nga një trend rritës për vitet 2010-2013, vitet 2014-2015 u shfaqën me rënie të kostos së borxhit, si pasojë e uljes së normave të interesit të tregut të brendshëm, kursit të këmbimit lekë/euro dhe uljes së kontigjencave për garancitë. Trendi ndryshoi në vitin 2016, ku kostoja e borxhit për frymë ishte 14 899 lekë apo 11.5% më shumë se në vitin 2015, pasi Ministria e Financave parashikonte një shtrenjtim të borxhit të jashtëm dhe në fakt, kjo vlerë nuk u rishikua as gjatë ndryshimeve që iu bënë Buxhetit 2016 nëpërmjet Akteve Normative.