Partinë e Punës kemi menduar se e kemi rrëzuar në vitin 1990 bashkë me sistemin komunist një-partiak, ku vetëm partia me këtë emër kishte pushtetin dhe votohej; por e kemi gabim sepse përveçse vazhdojmë ta kemi një parti të tillë, edhe e financojmë nga buxheti i shteti rregullisht.

Dhe jo vetëm PPSH-në, edhe Partinë Komuniste e shumë parti me emra të ngjashëm dhe gati të çuditshme vijojnë të “fusin duart” në buxhetin e shtetit bazuar në ligjin për krijimin dhe funksionimin e partive politike.

Partia “Aleanca Kuq e Zi” e Kreshnik Spahiut, edhe pse kryetari i zhgënjyer nga aleanca me PD-në e Lulzim Bashës hoqi dorë nga politika në prag të zgjedhjeve, ka përfituar nga buxheti rreth 5 milionë lekë të reja.

Çdo vit nga taksat publike financohen më shumë se 100 parti edhe pse vetëm një përqindje e vogël e tyre arrijnë të bëhen parlamentare. Po në listën e partive që financohen nga buxheti i shtetit ka parti “fantazmë” që vjelin fonde për mbijetesën e tyre, edhe pse nuk njihen dhe as votohen nga shqiptarët.

Në të dhënat e publikuara nga Open Data Albania për transaksionet e thesarit në drejtim të partive politike nga viti 2015-2017 janë bërë në total rreth 705 milionë (704,723,572.00) lekë të reja për 134 subjekte politike dhe shoqata të ndryshme.

Jo vetëm Partia e Punës dhe parti të tjera që si kemi dëgjuar ndonjëherë në jetë si “Aleanca Arbnore Kombetare”  e cila ka gjithsej 4 transferta me nga 386 mijë lekë.

Për të kuptuar absurditetin e këtij ligji mjafton të shohim emrat e partive që nuk tregojnë as fantazinë e kryetarëve të tyre, pasi ngjajnë me njëra-tjetrën dhe janë krijuar ose si përçarje e “partisë mëmë”, ose si degëzime të ndonjë partie më të madhe dhe zakonisht nuk kanë asnjë funksion publik në mbrojtjen e tezave të tyre politike.

Për shembull dy parti motra, Partia e te Drejtave te Mohuara dhe Partia e të Drejtave të Mohuara e Re apo disa parti të ndryshme me vokacion kristan, apo vokacion kombëtar si  “Ora e Shqipërisë” apo “Pajtimi Kombëtar”. Që të gjitha këto marrin para nga buxheti çdo vit.

73 vjet pas çlirimit të Shqipërisë, edhe “Organizata Bashkuar e Veteranëve të LNÇ” vijon të mbështetet nga buxheti i shteti. Transferta e fundit kap shifrën 800 mijë lekësh të reja.
 
Ligji që u hap rrugën partive kërpurdha

Të regjistrosh një parti sot në Shqipëri është shumë e lehtë. Duhet të mbledhësh rreth 5 mijë firma, të krijosh një statut, emrin e kryetarit dhe bën një kërkesë në gjykatë.

Sipas një investigimi të Fiks Fare bërë në prill të këtij viti, sot në Shqipëri kemi 127 parti politike dhe vetëm 42 prej tyre nuk kanë një adresë të saktë, por dhe ato që e kanë nuk gjenden.

Çdo vit në buxhetin e shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike. Ndihma financiare e parashikuar në vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës.

Shteti u gjen zyra të lira ose u paguan qeranë, nëse ato kanë marrë më shumë se 1 %  të votave në rang kombëtar në tre zgjedhjet e fundit parlamentare.

Fiktiviteti i partive politike pranohet edhe nga KQZ, organ i cili në raportin vjetor 2015 thekson se nga 118 sosh të cilat duhet të auditoheshin, 71 prej tyre nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pjesa më e madhe e këtyre partive nuk kanë faqe interneti, nuk kanë media dhe as burime të tjera publike informimi mbi programin, strukturat, aktivitetin dhe të dhënat e tyre financiare.