Bashkia e Tiranës ka vendosur të aplikojë formulën e shumëdebatuar të partneritetit publik-privat, të koncesionit edhe për shkollat. Fondi i vënë në dispozicion është 1.9 miliardë lekë të reja pa TVSH, të cilat do të paguhen nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe do të shkojnë për projektim, ndërtim, mobilim, mirëmbajte, mbikëqyrje dhe kolaudim. “Open Data” publikoi në fillim të muajit nëntor, tenderin e Bashkisë së Tiranës që njoftonte se kishte hapur garën për ndërtimin e 3 objekteve shkollore në Njësinë Administrative 11 dhe dy objekte arsimore në Njësinë Administrative Nr. 9.
Referuar të njëjtit njoftim të Bashkisë së Tiranës thuhet se, “Kompania Koncesionare që do të krijohet pas lidhjes së kontratës së Koncesionit do të likuidohet tërësisht për totalin e shumës së investuar (shpenzuar) në një periudhë kohore prej 7 vitesh nga data e dorëzimit të objekteve, duke i përllogaritur edhe një rimbursim për marzh fitimi në masën 6.28% në vit. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të tyre. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7 (shtatë) vjeçare, ndërkohë që objektet shkollore duhet të përfundojnë brenda 18 muajve, duke filluar që nga momenti i nënshkrimit të kontratës koncensionare”. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit që është njëkohësisht edhe data e zhvillimit të tenderit për dhënien me koncension të shkollave të Tiranës, është caktuar data 27 dhjetor, kur dihet se vëmendja e njerëzve është tek festat e fundivitit, duke i shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit rreth mënyrës se si do të zhvillohet kjo procedurë.
Ekspertët kundër
Aplikimi i kësaj formule kundërshtohet nga ekspertët e ekonomisë dhe politikave fiskale. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë si një praktikë që ia delegon barrën e borxhit qeverisë pasardhëse.
“Çdo Parlament, si ai i Bashkisë pra Këshilli Bashkiak, qoftë ai i qeverisë, është zgjedhur për të qeverisur për një periudhë 4-vjeçare, kështu që edhe projektet e mëdha strategjike duhet të jenë brenda këtij mandati. Por ky është një koncesion që është parashikuar që të nisë, pasi të mbaojë mandati i kryetarit aktual të Bashkisë dhe kjo nuk është e drejtë. Ndaj unë e shoh këtë koncesion si një shtim artificial të borxhit publik, pavarësisht se nga ku do të dalin fondet nga qeveria apo nga Bashkia”, thotë për “Citizens Channel”, Preçi.
Sa i përket konkretisht këtij koncensioni, Preçi thotë se ai duhet parë me shumë kujdes. “Duhet parë transparenca e projektit, sa konkurues do të jetë ai që do të fitojë, çfarë kostosh do të ketë, sepse rrezikon të bjerë në një tender të zakonshëm dhe në këtë rast mundësia për korrupsion dhe paracaktimin e fituesit janë të mëdha, sqaron Preçi. Unë e shikoj këtë vetëm si rritje të panevojshme të borxhit, pasi periudhat e ndërtimit të shkollës dihen dhe nuk është nevoja që të lësh pasardhësve borxhe”, përfundon ai.
Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë është shumë drastik sa i përket formulës së përzgjedhur, ashtu si edhe kostove që ajo do të ketë. “Kjo formulë shihet si shumë e dyshimtë për vende në tranzicion si ky i yni dhe rekomandohet apo aplikohet vetëm në ato vende ku nivelet e korrupsionit janë thuajse zero, ndaj për mua është një nisje e gabuar që në fillim. Për mua nuk duhej të ishte aplikuar fare kjo formulë, ka plot zgjidhje të tjera përpara se të arrish tek PPP-të. Së dyti, ky koncension nuk do të bëjë tjetër, vetëm se do t’i shtojë një tjetër barrë për t’u paguar taksapaguesve shqiptarë. Ndaj unë jam kundër një formule të tillë që do të rrisë edhe më, në mënyrë fiktive dhe të paargumentuar, borxhin e shqiptarëve, sepse në fund të ditës do të jenë taksapaguasit që do ta mbajnë mbi kurriz”, na thotë Selami Xhepa.
Suzana Guxholli, një ndër ekspertet më të afërta të ish-kryeministrit Berisha, nuk e sheh të keqen tek formula e përdorur, por tek transparenca dhe mënyra se si do të menaxhohet ky koncesion.
“Kjo është një formulë e njohur dhe rregullat dhe kriteret janë të përcaktuara dhe duhen, ndaj unë nuk e shoh me skepticizëm këtë formulë. Për mua ka dy pika kyçe: e para është transparenca, pra sa transparente do të jetë Bashkia kundrejt kësaj procedure dhe e dyta: ky koncesion do të jetë një tjetër barrë që i shtohet borxhit publik. Për mua Bashkia e Tiranës është treguar shumë e zgjuar që ka futur garant Ministrinë e Arsimit për t’i paguar këtë borxh, por në fund të ditës këto para nuk do t’i paguajnë vetëm qytetarët e Tiranës, por do t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Sepse logjika e koncesionit kjo është: që qeveria merr borxh për të likuiduar koncesionarin dhe përveç kostove i paguan atij edhe një interes, por kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit edhe më borxhin publik. Pikërisht kjo është “Thembra e Akilit” që e kanë kritikuar me forcë edhe ndërkombëtarët”, shpjegon Guxholli për “Citizens Channel”.