Javën e shkuar, në interpelancën e thirrur për Ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi, u rihap debati për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili. Deputeti socialist, Erion Braçe publikoi dy kontrata të Ministrisë së Bujqësisë, që u kishte dhënë Balilajve tokë bujqësore për shfrytëzim.
Toka prej 21 hektarësh e ish-Shkollës Bujqësore Delvinë, që shkolla e kishte pasur për nevojat e saj mësimore, i kaloi Ministrisë së Bujqësisë pas propozimit të Ministrisë së Arsimit.
Sipas kësaj VKM-je argumenti i kalimit të tokës nga Ministria e Arsimit te ajo e Bujqësisë është për vënien në efiçencë të tokave të pakultivuara dhe të lëna djerrë.
Pas këtij momenti, toka doli në ankand dhe fitues u shpall kompania “Balili Co”, në pronësi të vëllait të Klemeni Balili, që i mori 21 ha me një qira vjetore prej 280 mijë lekë me afat 90-vjeçar.
Por këto toka që PS kërkon të implikojë LSI-në, bëhet me qëllimin e vetëm për të fshehur të vërtetën e madhe!
Sipas të dhënave nga Open Data, të publikuara edhe nga Top Channel, biznesi i Balilajve shtrihet në të gjitha institucioneve kryesore në vend. Më datë 28 dhjetor 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e cila kontrollohej nga Partia Socialiste, i dha kompanisë “Balili Co” 7.3. milion lekë shtesë mbi kontratën 35 milion lekë për ruajtjen e godinës në Sarandë.
Biznesi i Balilajve me shtetin ka vazhduar, pavarësisht thirrjeve publike të ambasadorit Lu ku kërkonte arrestimin e Klement Balilit. Në 3 prill të 2017, zyra e administrim-koordinimit Butrint, një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, i ka dhënë një tjetër tender kompanisë “Balili Co” me vlerë 70 milion lekë. Madje përmes procedurës kërkesë për propozim, pra jo me garë të hapur. Ministria e Kulturës për 4 vite edhe në vazhdim është drejtuar nga Partia Socialiste.
Të dhënat zyrtare nga Thesari i Shtetit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit “Balili Co”, kompania e zotëruar nga vëllai i Klement Balilit ka përfituar mbi 850 mijë dollarë tendera publikë.
Kulmi i ironisë është shërbimi i ruajtjes me polici private që Bashkim Balili i ka ofruar prokurorive të rretheve, pikërisht kur vëllai i tij, Klement Balili, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Kompania e zotëruar nga Bashkim Balili ka marrë para për të ruajtur prokuroritë në jug të vendit: prokurinë e Sarandës, të Gjirokastrës dhe të Përmetit, siç tregohet edhe nga transaksionet e Thesarit. Por skandali thellohet edhe më tej, pasi sot e kësaj dite, kompania “Balili Co” ka linçencën për rojet private, që jepet nga Ministria e Brendshme, e cila edhe kjo kontrollohej nga Partia Socialiste.
Sipas dokumentave të bërë publike nga “Open Data Albania”, për periudhën 2015-2017, kompania “Balili Co” ka përfituar kontrata publike nga një sërë institucionesh shtetërore: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Sarandë, Prefektura e Qarkut Vlorë, Drejtoria e Peshkimit dhe Akua-kulturës në Tiranë, Spitali i Delvinës, Universiteti Politeknik, Parku i Butrintit, etj.
Të gjitha këto institucione të përmendura më sipër, janë në varësi të drejtuesve të Partisë Socialiste. Por deputetët socialist kërkojnë sot të krijojnë një alibi se Klement Balili është favorizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, madje edhe nga Partia Demokratike.
Erion Braçe tundte dokumentat në dorë për dy kontratë për tokë bujqësore që i kishte përfituar vëllai i Balilit, por kyçi gojën për dhjetra kontrata dhe qindra mijëra euro fitime të realizuara nga institucione që kontrollohen nga Partia Socialiste.
Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesi “Balili Co” rezulton të jetë themeluar në vitin 2001. Por të dhënat zyrtare nga Open Data Albania, tregojnë se xhiroja e kompanisë u rrit me gati tre herë në tre vitet e fundit, nga rreth 500 mijë dollarë që ishte në vitin 2014 në 1.5 milionë dollarë vitin e kaluar