Projekti Open Procurement Albania zbatuar nga AIS, po monitoron të gjitha procedurat për kontraktim dhe prokurim Programi i Rindërtimit pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Konstatohet se megjithëse kanë kaluar 18 muaj nga datë e Tërmetit të 26 Nëntor 2019, Qeveria vijon të zgjedhë kontraktor dhe furnitor me Procedurë të Kufizuar (pra pa garë) afat për shprehje Interesi vetëm 10 ditë. Kështu Qeveria vijon  të konsiderojë veten në një emergjencë ekstreme dhe jo në një emergjencë të modeuar, ku ka kohë dhe mundësi për Garë sipas afateve Ligjore (Legjislacion Prokurime).

Kjo procedurë E kufizuar për Programin e Rindërtimit (jo garë e hapur) me vetëm 10 ditë afat njoftimi për palët e interesuara, me paraqitje të drejtpërdrejtë edhe pranë institucionit dhe jo përmes sistemit elektronik, është vendosur për Prokurimet në emergjencë Post Tërmeti sipas Akt Normativ Nr 9 Datë 16.12.2019 Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore. Akt Normativ me Fuqi Ligji.

Organizata jonë si pjesë e Shoqërisë Civile, gjykon se Ky Akt me fuqi Ligji, ishte i duhur për një situatë  të emergjencës afatshkurtër, të krijuar nga fatkeqësia natyrore Nëntor 2019. Tashmë 18 muaj pas Tërmetit rregullimi është i vjetruar, jo eficent, i rrezikshëm nëse vijon të aplikohet.

·         Aplikimi i një procedure të tillë vite pas Ngjarjes Fatkeqësi Natyrore po favorizon procedura dhe afate Klienteliste, me mungesë gare dhe konkurrence.

·         Këto procedura nuk ofrojnë eficensë buxhetore në tenderim;

·         Nuk konkurrohet elektronikisht me ofertë ku zgjidhet oferta më e mirë;

·         Procedura nuk ka afate të arsyeshme për njoftim dhe përgatitje;

·        Një pjesë e procedurës (faza e dytë e konkurrimit) bëhet në kontakt me autoritetin kontraktor dhe jo përmes sistemit;

Po ashtu gara bëhet për Vlera të Mëdha kontraktore, për disa objekte së bashku duke mos ndarë objektin sipas shkollave, zonave etj. kështu përjashtohen konkurrentët e mesëm apo të vegjël, dhe favorizohen konkurrentët e mëdhenj që kanë kontrata të mëparshme me vlera të larta, dhe aftësi pasuese të garancive me vlerë të lartë.

Si shembuj për ilustrim dy tenderët e Fundit:

·         Rikonstruksioni i Bashkisë së Vorës po bëhet me procedurë të kufizuar shpallur të premten data 22 Maj, afati për pjesëmarrje është vetëm 10 ditë.

·         Po njësoj është edhe Tenderi i shpallur sot data 24 maj, Bashkia Tiranë me Fonde dhe Program Rikonstruksioni për Mobilim me Paisje dhe Orendi i Objekteve Arsimore të Dëmtuara nga Tërmeti Programi i Rindërtimit me vlerë 927 542 378 Lekë. Ku tenderi ka Procedurë të Kufizuar (jo e hapur me konkurrim oferte), po bëhet për disa shkolla së bashku, me afat aspak realist prej vetëm 10 ditësh. 

Të tjera procedura Programi i Rindërtimit Bashki me të njëjtën Procedurë të kufizuar (pa garë)

Të tjera procedura Programi i Rindërtimit Bashki me të njëjtën Procedurë të kufizuar (pa garë)

AIS promotor i Open Procurement Albania, i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të shfuqizojë pjesë të Aktit Normativ mbi mënyrën e Prokurimit për Programin e Rindërtimit, tashmë që nuk jemi më në emergjencë ekstreme por në emergjencë të moderuar vite pas ngjarjes Fatkeqësi Natyrore. Të aplikojë Legjislacionin e Rregullt për Prokruimet Publike ku edhe vetë procedura e Kufizuar ka rregullime më të sakta dhe transparente.

Gjithashtu u bëjmë thirrje Institucioneve të tjera monitoruese dhe audituese si  Kuvendi, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Partitë Politike, Media, Organizmat Ndërkombëtar, Organizatat Watch Dog, të jenë më aktive në monitorim, auditim, reagim dhe presion publik me qëllim zbatimin e Programit të Rindërtimit, me Eficensë dhe Menaxhim  pa Risk për Korrupsion, Klientelizëm e Abuzim edhe përmes forcës së Ligjit.