Open Data Albania ka përditësuar të dhëna për eksporte, importe sipas grup-mallrave. Analiza paraqet trendin dhe dinamikën për eksporte dhe importe të mallrave për vendin tonë 2016-2020. Burimi i informacionit është Instituti i Statistikave. Grup mallrat me peshën më të lartë kundrejt totalit për Eksporte janë Tekstile dhe këpucë. Në pesë vite vlera e eksporteve nga ky grup mallrash është 568.3 miliard Lekë. Grupi i dytë me vlerën më të lartë të mallrave të eksportuara gjatë këtij pesëvjeçari është Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike me 236.2 miliard Lekë. Vlerën më të ulët të mallrave të eksportuara gjatë kësaj periudhe e zënë grup-mallrat Lëkurë dhe artikuj prej lëkure me 12.5 miliard Lekë.

Grup-mallrat “Ushqime, pije, duhan” si dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, janë dy ndër grupet të cilat kanë pësuar rritje vit pas viti pavarësisht se kjo rritje nuk ka qenë konstante. Në vitin 2016 grup-mallrat Ushqime, pije, duhan, kanë shënuar rritjen më të lartë krahasuar me vitin paraardhës. Lidhur me grup-mallrat Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, rritja më e madhe me bazë vjetore është shënuar në vitin 2017. Ndryshe paraqitet situata për grup-mallrat Minerale, Lëndë Djegëse, Energji Elektrike, të cilat kanë pësuar një rënie vit pas viti, përveç vitit 2018 ku ky grup ka pësuar një rritje prej 30.9 %. Rënien më të madhe me bazë vjetore në vitin 2020 e paraqesin grup-mallrat Lëkurë dhe artikuj prej lëkure.

Lidhur me Importet, gjatë pesëvjeçarit të marrë në analizë, grup-mallrat Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi si dhe Ushqime, pije, duhan zënë përqindjen më të lartë ndaj vlerës gjithsej të importeve. Importi i grup-mallrave Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi gjatë periudhës 5 vjeçare 2016-2020 ka regjistruar 680 miliard Lekë ndaj mallrave gjithsej të importuara, ndërsa grup-mallrat Ushqime, pije, duhan kanë regjistruar 534.9 miliard Lekë ndaj vlerës gjithsej të importeve gjatë kësaj periudhe. Grup-mallrat që importohen më pak kundrejt totalit të importeve gjatë periudhës 2016-2020 rezulton “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure duke regjistruar 85.2 miliard Lekë.

Një grup tjetër mallrash që zë një pjesë të konsiderueshme të vlerës së mallrave të importuara për çdo vit rezulton Produkte kimike dhe plastike. Pesha e këtij grupi mallrash është rritur në vitin 2020 duke zënë 15 % të vlerës së mallrave të importuar në vendin tonë. Materiale ndërtimi dhe metale është një grup i cili ka mbajtur peshë relativisht konstante për çdo vit gjatë periudhës 2016-2020. Një trend pozitiv kanë pasur dhe importet e grup-mallrave “Ushqime, pije, duhan”, përveçse në vitin 2018, ku ka pësuar një rënie prej 0.2%. Grupi i mallrave Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi ka pësuar një rënie gjatë dy viteve të fundit. Vlera e këtij grupi mallrash ka rënë me 2.5 % në vitin 2019 duke u thelluar më tepër në vitin 2020 me 3.6%.

Tekstile dhe këpucë kanë rezultuar me rritjen më të madhe në vitin 2016 prej 15.4%, ndërsa një rënie e konsiderueshme është regjistruar gjatë vitit 2020 me 13.5% krahasuar me vitin paraardhës. Grup-mallrat Minerale, Lëndë Djegëse, Energji Elektrike kanë regjistruar rritjen në vitin 2017 me shtesë prej 32.3 %, dhe rënie të theksuar në vitin 2020 me 29.4%.

Tekstile dhe Këpucë është një Grup-mallrash Eksporti, që ka mbajtur ndër vite vendin e parë sipas vlerave. Ky grup-mallrash po shënon rënie dy vitet e fundit duke demonstruar tkurrjen e një sektori prodhimi dhe punësimi. Ulja për këtë kategori eksportesh, nuk shoqërohet rritje për një grup tjetër mallrash, duke shfaqur mundësi për rritje edhe të prodhimit dhe punësimin në sektor të caktuar. 

Shkarko excel: Import Eksportet sipas Grup Mallrash 2016 – 2020
Komente dhe Analiza: Open Data Albania