Open Data Albania po hulumton në lidhje me kontratat e Koncesionit dhe Partneritetit Publik Privat PPP të Zgjidhura apo Shfuqizuara gjatë periudhës kohore Janar 2017- Prill 2021. Në këtë katërvjeçar që po analizohet veprimtaria koncesionare, rezulton se janë pesë kontrata koncesionare apo Partneritete Publike Private të shfuqizuara apo të zgjidhura përfundimisht. Zgjidhja e tyre ka ardhur për arsye nga më të ndryshmet dhe është bërë nga Institucione Kompetente me kërkesë të Palëve.
Tre kontrata Koncesione apo PPP, janë zgjidhur me marrëveshje konsensusi mes palëve. Bëhet fjalë për koncesionet që zbatohen nga shoqëritë: a. GeoAlbania Uno sh.p.k ish zbatuese e kontratës së koncesionit e formës BOT, Për ndërtimin e hidrocentraleve Progonat-Lekdush dhe Bënçe e Sipërme. b. Hec Gomsiqe sh.p.k shoqëri ish zbatuese e koncesionit Për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gomsiqe 1,2,3,4. Dhe c. MP Energy sh.p.k shoqëri zbatuese e Koncesionit PPP Për ndërtimin, operimin, transferimin e Hidrocentraleve Lefter 1, Lefter 2A, Lefter 2B, Lefter 3
Me Vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, në datë 12.02.2019 është zgjidhur kontrata me objekt Koncesionin Për Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen, përmirësimin teknik dhe Adaptimin e terminalit të trageteve dhe krocerave Durrës me shoqëri koncesionare Durrës Container Terminal sh.p.k.
Kontrata Për dhënien me Koncesion/Partneritet Publik Privat të Shërbimit të Sistemimit dhe Menaxhimit të Parkimit në Qytetin e Vlorës me shoqëri koncesionare TIS Park është zgjidhur gjatë 2020. Për këtë kontratë është njoftuar zgjidhja nga Bashkia Vlorë me Juridiksion Arbitrazhi Ndërkombëtar Paris. Sipas të dhënave, Bashkia Vlorë është fituese e gjyqit në Arbitrazhin Ndërkombëtar Paris, megjithatë ende nuk ka një informacion në lidhje me kostot e gjyqit dhe dëmshpërblimin që pritet të marrë Bashkia Vlorë nga shoqëria koncesionare.
Në një artikull të veçantë Open Data Albania ka hulumtuar mbi Juridiksionin, Institucionin Kompetent për Konflikte dhe Zgjidhje Marrëveshje apo Kontrate Koncesionare PPP.
Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në DataBazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al. Dokumenti në Excel i këtij artikulli ka të dhëna dhe informacion mbi bazën e të cilit është bërë vizualizimi. Ky dokument është lehtësisht i shkarkueshëm dhe i lirë për përdorim. Të tjera databaza të Organizatës AIS, janë spending.data.al ; OpenPocurement.al dhe OpenCorporates.al
Ky artikull hulumtues po publikohet në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over Sectors to Risk of Corruption.
Shkarko excel: Shfuqizime dhe Zgjidhje Kontrate Koncesionare PPP 2017-2021Comment and Analysis: Open Data Albania