Kryeministri Edi Rama shfaqi hipokrizinë e tij mesditën e së Dielës, kur u përpoq t’i jepte leksione morali për demokratët në opozitë.

Por, vetëm një ditë më pas, qeveria e tij dha shembullin e radhës se nuk ka asnjë grimcë respekti për Lirinë Ekonomike, një prej shtyllave bazë të shtetit ligjor.

Të hënën e kësaj jave, kompanitë e familjarëve të ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe kryebashkiakut të emëruar nga Rama në Kukës, Safet Gjici, kanë marrë mbi 3 milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë zyrtarisht se në datë 10 janar 2022,  ‘Alko-Impeks’ e themeluar nga Sadri Abazi dhe e administruar nga nipi i tij, ka marrë 7 transferta nga Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, me një vlerë totale prej 136.8 milionë lekë të reja ose më shumë se 1 milion euro

Në të njëjtën ditë, pra në këtë fillim jave, kompania ‘Kevin Konstruksion’ e themeluar nga Safet Gjici dhe që iu dhurua më pas vëllait të tij, Lavdrim Gjici, ka marrë dy pagesa nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me vlerë totale 208 milionë lekë të reja ose rreth 2 milionë euro.

Kompanitë private të Abazit dhe Gjicit janë pjesë e një grupi të vogël shoqërish, të cilat shfaqen gjerësisht si fituese në tenderat multi-miliona euro të zhvilluar nga strukturat e qeverisë ‘Rama’ dhe sidomos në procedurat pa garë të ‘Rindërtimit’.

Sadri Abazi ka qenë deputet i Partisë Socialiste në pushtet për 8 vjet, duke nisur nga viti 2013, deri në vitin 2021.

Ai nuk ishte pjesë e listës së kandidatëve për Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të kaluar.

Megjithatë, shkëputja formale nga jeta politike nuk e pengoi aspak kompaninë e krijuar prej tij që të vijojë të arkëtojë vlera gjigante monetare në procedura ndërtimi apo pastrimi mbeturinash në qytete të ndryshme.

E njëjta situatë është edhe me kompaninë ‘Kevin Konstruksion’, të themeluar nga Safet Gjici dhe që mban emrin e djalit të tij të vogël.

Gjici u emërua fillimisht prefekt i qarkut të Kukësit, me firmë të kryeministrit Edi Rama. Më tej, ai ishte kandidat i vetëm për bashkinë e Kukës në zgjedhjet monopartiake lokale, të zhvilluara në qershor të vitit 2019.

Kompania ‘Kevin Konstruksion’ ka fituar, ndër të tjera, edhe një tender me vlerë 3 milionë euro të zhvilluar në vitin 2020 për rehabilitimin e disa rrugëve kryesore në qytetin e Kukësit, ku Gjici është kryebashkiak.

Për të shmangur konfliktin e dukshëm të interesave, ai tender u zhvillua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, një agjenci në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama.

https://www.syri.net/politike/477401/bingo-3-mln-euro-per-sadriun-e-gjicin-rama-shperndan-miliarda-per-rilindasit/