Organizata AIS / Open Data Albania, në partneritet me një ekip Europian organizatash dhe institucionesh që veprojnë në fushën e antikorrupsionit, po kontribuon për vlerësimin e prokurimeve publike në Shqipëri sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Europian.

Open Tender Evropë, një nga platformat më të njohura në Bashkimin Europian për vlerësimin e cilësisë, integritetit dhe transparencës së prokurimeve publike, ka zgjeruar hartën e të dhënave duke përfshirë edhe Shqipërinë.

LINK https://opentender.eu/al/start

Aktualisht (2026), pjesë e transparencës përmes Open Tender EU janë bërë të gjitha procedurat e prokurimit përmes sistemit kombëtar nga viti 2010 deri në shkurt 2026. Janë 423 mijë tendera të zhvilluar në Shqipëri që janë listuar, duke iu nënshtruar edhe vlerësimit sipas transparencës, integritetit dhe cilësisë. Vlerësimi është bërë edhe për institucionet blerësit (autoritetet prokuruese) dhe për secilën kompani fituese të procedurave.

Tashmë databaza sjell për prokurimet në vendin tonë vizualizime mbi analizën e tregut për pozicionimin e tenderëve në vitet 2010–2026, ndarjen sektoriale, vlerësimin sipas cilësisë së tenderëve për vite dhe sektorë të caktuar, si dhe renditjen me vlera sipas korporatave apo autoriteteve kontraktuese. Secili vizualizim është krijuar mbi të dhëna që mund të aksesohen, shkarkohen dhe ripunohen në standardet open data.

Shiko Analiza Tregu https://opentender.eu/al/dashboards/market-analysis

Një nga kategoritë është integriteti, ku disa indikatorë tregojnë rrezikun për nivel të ulët integriteti në procesin e prokurimit. Këta tregues evidentojnë elementë të procesit të shpalljes së fituesit të kontratës, siç është periudha apo afatet e shpalljes, numri i ofertave të vlefshme të paraqitura, etj.

Shiko Vlerësim Integriteti https://opentender.eu/al/dashboards/integrity?lang=sq

OpenTender.eu është një platformë evropiane e të dhënave të hapura për prokurimet publike, e cila mbledh, përpunon dhe analizon informacion mbi tenderët. Qëllimi i platformës është rritja e transparencës, përmirësimi i llogaridhënies, angazhimi i qytetarëve në monitorim apo denoncim, si dhe forcimi i integritetit në sektorin publik. Platforma përdoret nga institucione publike, organizata të shoqërisë civile, gazetarë dhe studiues për monitorimin e shpenzimeve publike dhe identifikimin e rreziqeve të korrupsionit në prokurime.

Përditësimi dhe zgjerimi i platformës Open Tender Europe është një nga angazhimet e projektit iMonitor 2.0 (Enhancing law enforcement efficiency by bringing together public procurement data analytics and civil Monitors 2.0). AIS është partner lokal i konsorciumit që zbaton këtë projekt si pjesë e një skuadre ku marrin pjesë organizata dhe institucione me kontribut në vlerësimin e prokurimeve publike në vendet e BE-së dhe vendet në proces asocimi. Ndër pjesëmarrësit në konsorcium përmendim organizatën drejtuese Government Transparency Institute (GTI) dhe Autoritetin Kombëtar Antikorrupsion në Itali (ANAC).

Kjo platformë e prokurimit publik ka të dhëna për tendera në 38 vende, duke filluar me vendet dhe autoritetet pjesë të Bashkimit Europian. Puna për krijimin e platformës Open Tender EU filloi në vitin 2015 përmes një grupi partnerësh në kuadër të DIGIWHIST (Digital Whistleblower for Public Procurement), një projekt kërkimor i financuar nga Bashkimi Europian që synon rritjen e transparencës dhe integritetit në prokurimet publike në Evropë përmes analizës së të dhënave të mëdha (big data).

Në përfundim të këtij programi dhe aktualisht në vitin 2026, OpenTender.eu mirëmbahet dhe zhvillohet në kuadër të projektit iMonitor 2.0. Pjesë e këtij projekti, përmes AIS, është edhe Shqipëria. iMonitor 2.0 zbatohet nga një konsorcium europian partnerësh që punojnë në fushën e transparencës dhe monitorimit të prokurimeve publike në Evropë.

Ky konsorcium përfshin organizata dhe institucione kampione në antikorrupsion në disa vende: • Government Transparency Institute (GTI) – Koordinator • Albanian Institute of Science (AIS) – Partner për Shqipërinë • Transparency International Bulgaria • Autorità Nazionale Anticorruzione (ANAC), Itali • Solution: Solidarity & Inclusion Association • Monithon Europe ETS • Anticorruption Academy (AAF), Poloni • Romanian National Agency for Public Procurement (ANAP) • Romanian Academic Society (SAR) • Catalan Antifraud Office • College of Professionals in Political Science and Sociology (Katalonjë)

Organizata AIS është pjesë e konsorciumit që zbaton projektin iMonitor 2.0 dhe mbulon të gjitha aktivitetet për Shqipërinë, përfshi përditësimet në OpenTender.eu, trajnimin e gazetarëve dhe përdoruesve të të dhënave, raportimin nga sinjalizuesit mbi risqet në tenderim dhe analizën e rasteve.

Më shumë rreth projektit lexo në faqen e GTI:

iMonitor 2.0 – iMonitor Govtransparency

Programi i plotë i Trajnimit është i publikuar online ne gjuhën angleze, gjuhën shqipe dhe na gjuhë të tjera ta vendeve pjesëmarrëse në projekt:

Training program – iMonitor Govtransparency

Për t’u regjistruar në mekanizmin e raportimeve nga vullnetar dhe sinjalizues ndiq instruksione ne faqen e Projektit:

Updating the iMonitor Reporting Tool for iMonitor 2.0 – iMonitor Govtransparency

Nёse dëshiron të bëhesh pjesë e Trajnimeve dhe Raportimeve ne kuadër te iMonitor kontakto:

📧 [email protected] | 🌐 data.al