Open Data po hulumton mbi të dhënat e prodhimit neto vendas të Energjisë Elektrike, nga Prodhues Publik, Privatë dhe Koncesionarë. Të dhënat janë marrë nga Raportet e Tregut të Energjisë Elektrike të Entit Rregullator i Energjisë (ERE) për periudhën Janar-Gusht 2022. Aktualisht prodhimi vendas i energjisë elektrike përbëhet nga dy komponentë kryesor:

  • Prodhimi që realizohet nga Shoqëritë me kapital shtetëror KESH sh.a. dhe Lanabregas sh.a., të cilat janë shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore, si dhe
  • Prodhimi që realizohet nga subjektet e tjera private dhe koncesionare prodhues të Energjisë Elektrike.

Për periudhën Janar-Gusht 2022 rezulton se prodhimi total neto vendas i energjisë elektrike është 4,628,043 MWh, apo rreth 35% më pak krahasuar me prodhimin e 8-mujorin e vitit 2021 (në total u prodhuan 7,089,030 MWh).  Për tetëmujorin 2022 ka një rënie të kontributit të KESH në prodhimin e energjisë elektrike të realizuar me rreth 43.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.



Tabela: Krahasuese 2021 vs 2022, Prodhimi Neto Vendas i Energjisë Elektrike (në MWh)
Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për 8 mujorin e vitit 2022, sasia prej 2,434,477 MWh apo rreth 52.6% e totalit të energjisë së prodhuar është realizuar nga HEC-et në zotërim të kompanisë publike të KESH sh.a (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau Dejës). Ndërkohë sasia prej 2,154,412 MWh apo 46.6% është prodhuar nga HEC-e private dhe koncesionarë, dhe vetëm një sasi e vogël prej 39,154 MWh apo 0.8% e totalit të energjisë elektrike të prodhuar është realizuar nga centralet fotovoltaikë.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Niveli më i lartë i prodhimit është shënuar në muajin Janar 2022, me rreth 795,079 MWh, ndërsa sasia më e ulët e prodhuar e energjisë elektrike është shënuar në muajin Qershor prej 380,551 MWh.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Peshën kryesore në totalin e energjisë së prodhuar e zë prodhimi i realizuar nga hidrocentralet publike Fierzë, Koman dhe Vau Dejës, me rreth 52.6% të totalit.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion zënë rreth 46.5% të totalit të prodhuar ku  HEC Moglica zë rreth 5.76% të prodhimit vendas të energjisë elektrike, ndjekur nga HEC Ulëz, Shkopet, Bistrica 1,2 zënë rreth 5.16% të totalit, HEC Fangu me rreth  3.17% të energjisë totale të prodhuar dhe  HEC Ashta me rreth 3.09% të totalit.

Sipas Subjekteve, shoqëria më e madhe prodhuese në vend është KESH sh.a. me kapital 100% shtetëror, e cila për 8-mujorin  2022 sasinë më të madhe të prodhimit e ka siguruar nga HEC-i i Komanit, HEC-i i Fierzës dhe ai i Vaut të Dejës, përkatësisht 52.6% të total sasisë së prodhuar ose një sasi prej 2,434,477 MWh.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa në sektorin privat, sasia më e madhe e prodhuar e energjisë elektrike është nga shoqëria koncesionare Devoll Hydropower sh.a me 395,634 MWh apo 11% të totalit të energjisë së prodhuar. Shoqëria Devoll Hydropower  operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, Kontrata Koncesionare është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në 2008, po ka pësuar ndryshime dhe shtesa në vitet 2010,2013,2014.

Kurum International sha është shoqëri që prodhon energji si zotëruese e katër Hidrocentraleve Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2. Gjatë 8-mujorit 2022 kjo shoqëri ka siguruar prodhim të energjisë elektrike prej 238,826 MWh.

Një tjetër shoqëri koncesionare që renditet ndër 10 shoqëritë me prodhimin më të lartë të energjisë elektrike është Ayen As Energji sha  e cila operon HEC Peshqesh dhe HEC Fangu. Prodhimi total i këtyre dy hidrocentraleve për këtë 8 mujor është 203,261 MWh.

Energji Ashta sh.p.k është një tjetër shoqëri me rëndësi sa i përket prodhimit hidrik në vend, e cila ka prodhuar 42,990MWh në 8-mujorin 2022.  Kjo shoqëria zbaton koncesionin me objekt Ndërtim, Pronësi, Shfrytëzim dhe Transferim të Hidrocentralit të Ashtës.

Llogaritje më të detajuara të këtij Artikulli i gjeni në Excel-in më poshtë. Të dhëna mbi Bizneset Prodhuese mund të gjeni në databazën OpenCorporatesAlbania.

Shkarko excel: Prodhimi Vendas i Energjisë Elektrike sipas Prodhuesit, Janar – Gusht 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania