Open Data Albania po përditëson të dhënat në lidhje me çmimet e blerjes dhe të shitjes së Energjisë Elektrike nga shoqëritë energjitike. Në këtë artikull do të paraqitet çmimi i blerjes dhe shitjes së Energjisë Elektrike nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., (KESH), për periudhën  Janar- Gusht 2022. Open Data ka publikuar më parë një Artikull mbi çmimin e shitjes dhe të blerjes së energjisë elektrike nga KESH për periudhën Janar-Prill 2022.

Në muajt e verës ka patur një rritje drastike të çmimeve të energjisë në Bursën Hungareze HUPX, ku kulmi është arritur në datën 30 Gusht, me çmim mesatar ditor  prej 748.97  Euro për 1 Megavat orë, çmim rreth 5-fish në shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm.



Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nga një vështrim i Rezultateve të Tenderit për Blerje Energjie Elektrike të publikuara në faqen zyrtare të shoqërisë KESH sh.a, për periudhën Janar – Gusht 2022, KESH sh.a ka blerë 665,060 MWh Energji Elektrike me vlerë totale rreth 221,68 milionë Euro pa TVSH. Sqarojmë se në disa procedura tenderi nuk ka informacion në lidhje me sasinë e blerë, prandaj Blerja e KESH në treg të liberalizuar duhet të jetë më e lartë.

Me Vendimin nr. 498, datë 29.07.2022 Qeveria i akordoi KESH fondin prej 8 miliardë Lekësh apo rreth 68 milionë Euro me qëllim  mbulimin me likuiditet të veprimtarisë operacionale të shoqërisë.



Burimi: KESH 2022 Rezultate të Tenderit për Blerje Energji Elektrike ndër muaj, HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga KESH sh.a për periudhën Janar-Gusht 2022 është 333.32 Euro për Megavat orë (MWh). Kryesisht çmimi me të cilin KESH ka blerë energji elektrike është më i lartë se çmimi mesatar bursës Hungareze HUPX.

Çmimi mesatar mujor më i lartë i energjisë së blerë vihet re në Muajin Gusht 2022 me  482.26  Euro/MWh.

Ndërkohë, diferenca më e lartë në çmim vihet re në muajin Korrik, ku 1 Megavat MWh është blerë nga KESH me çmimin 442.84, rreth 71.74 Euro/MWh më shumë krahasuar me Bursën HUPX.



Burimi: KESH 2022 Rezultate të Tenderit për Blerje Energji Elektrike ndër muaj, HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjithashtu në periudhën Janar – Gusht 2022, KESH sh.a ka shpallur pesë tendera për shitje të energjisë elektrike. Në total KESH sh.a ka shitur 24 130 MWh me çmim të ponderuar 248.83 Euro/MWh me vlerë totale rreth 6 milionë Euro. Në të gjitha rastet e tenderave të hapur çmimi i shitjes nga KESH është më i ulët se çmimi në Bursën HUPX.



Burimi: KESH 2022 Rezultate të Tenderit për shitje Energji Elektrike ndër muaj, HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në grafikun e mëposhtëm  paraqitet ecuria e çmimeve mesatare mujore në Bursën Hungareze HUPX  e cila merret si referencë edhe në transaksionet e shoqërive që operojnë në tregun e energjisë në Shqipëri. Edhe pse në fillim të vitit 2022 u vu re një rënie në çmimet e energjisë elektrike, që prej muajit Mars 2022 ka patur një rritje të vazhdueshme të bursës dhe në muajin Gusht 2022 pati një kulmim të nivelit të çmimit mesatar mujor i cili shënoi 495.29 Euro/MWh në bursën HUPX.



Burimi: Të dhëna mujore nga Bursa HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë marrë nga Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë dhe faqja zyrtare e Bursës Hungarezë HUPX. Bursa hungareze HUPX shërben si bursë referencë për rajonin e Ballkanit.

Artikuj të tjerë në lidhje me Sektorin e Energjisë, çmime shitje dhe blerje energjie, garancitë në fushën e energjisë elektrike i gjeni tek Open Data Albania, Tema Energjetikë.

Shkarko excel: Çmimi i Blerjes dhe Shitjes së Energjisë Elektrike nga KESH, Janar-Gusht 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania