Në maj 2022 Shteti Shqiptar raporton dhe njeh zyrtarisht Detyrime si pasojë e çështjeve të humbura në arbitrazh në vlerën 175 857 595 Euro.

Këto për shkak të 15 Arbitrazheve ku shteti ynë ka humbur me Palë Biznese. Gjashtëdhjetë e tre përqind e vlerës së humbur i përket çështjes së njohur si Becchetti.

Në dy vite detyrimet faktike të shtetit shqiptar për shkak të humbjeve në arbitrazh janë rritur me plus me 66.37 milion euro të tjera pasi në 2020 detyrimet e akumuluara të njohura si fakt pra të pranuara nga vetë qeveria shqiptare ishin 109 485 296 Euro shiko Artikullin e mëhershëm. Shtesa në dy vite plus 62%.

Nga buxheti i shtetit për periudhën e referuar janë likuiduar rreth 18.2 milionë Euro shpenzime për mbrojtjen ligjore të Shtetit në procese arbitrazhi.



Burimi: Raporti MFE, Zbatimi i Buxhetit Mes Vitit 2022, “Detyrime për Vendime të Arbitrazhit Ndërkombëtar”
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Raporti MFE, Zbatimi i Buxhetit Mes Vitit 2022, “Detyrime për Vendime të Arbitrazhit Ndërkombëtar”
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Këto janë të dhëna të detyrimeve të njohura nga vetë Qeveria në dokumentet e saj për Parlamentin. Por përveç rasteve tashmë të finalizuar, vendi ka edhe disa Arbitrazhe potencialisht të humbura të cilat përllogariten në vlerën 190 milion e të cilat do ti rendisim po në këtë artikull. Detyrimet nga Arbitrazhi, Fakt dhe Potencial shkojnë rreth 366 Milion Euro.

Vetëm gjatë vitit 2022, janë finalizuar pesë gjykime ndërkombëtare arbitrazhi duke rritur detyrimet në buxhetin e shtetit. Konkretisht:

1. Në 29 Mars 2023 është marrë vendimi final për çështjen Hydro srl dhe të tjerë kundër Shqipërisë (Çështja Becchetti) duke e ri konfirmuar edhe njëherë si fitues palën private ndaj shtetit shqiptar. Detyrimet e shtetit shqiptar për këtë çështje janë në vlerën 108.2 milion Euro si dëmshpërblim i drejtpërdrejte ndaj Investitorit dhe 2.61 milionë Euro si shpenzime administrative dhe ligjore të arbitrazhit. Deri në Maj 2023, shteti shqiptar ka paguar rreth 1.39 milionë Euro për shpenzimet ligjore të përfaqësimit të vendit në arbitrazh. Detyrimi i mbetur për tu likuiduar është  rreth 109.2 milionë Euro.

Shkak i mosmarrëveshjeve mes palëve është pengesa për realizimit e investimeve nё hidrocentralin e Kalivaçit, Televizionin Agon Set dhe impiantin e trajtimit tё mbetjeve nga kompanitë Hydro s.r.l dhe Costruzioni s.r.l. Përveç Francesco Beccheti, palë janë edhe aksionerët e tjerë Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liljana Condomitti.

2. Çështje tjetër e lidhur me Familjen Becchetti është ajo mes AlbaniaBeg Ambient sh.p.k, Construzioni srl, Angelo Novelli vs Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila është regjistruar në 7 Nëntor 2014. Objekti është në lidhje me projektin e prodhimit të energjisë përmes menaxhimit të mbetjeve. Shoqëria ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti shqiptar për anulimin e kontratës për import dhe përpunim plehrash për përfitim energjie elektrike. Vendimi i parë nga Gjykata e Arbitrazhit në 20 Mars 2020 shpalli Shqipërinë fituese. Më pas AlbaniaBeg Ambient sh.p.k kundërshtoi vendimin pranë Gjykatës duke paraqitur edhe prova të reja, dhe si rrjedhojë në 6 Maj 2022, Gjykata e Arbitrazhit rrëzoi vendimin e 2020, duke shpallur fitues investitorin.

3. Një tjetër çështje e finalizuar është ajo e Hydro srl II vs Republika e Shqipërisë, e cila po ashtu lidhet me Familjen Becchetti. Çështja është regjistruar në ICSID në 2017 me paditës Hydro Srl dhe të paditur Republika e Shqipërisë. Objekti është në lidhje me projektin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe menaxhimit të mbetjeve. Në vendimin final datë 31 Maj 2022, Gjykata vendosi përfundimisht përfundimin e gjyqit, me fitues Republiken e Shqipërisë. Gjykata vendosi që Hydro SRL t’i paguajë Shqipërisë shumën prej 60 000 Euro sipas nenit 700 të Kodit të Procedurës Civile si dhe kostot e gjyqit. Për këtë çështje shteti shqiptar njeh vetëm shpenzimet ligjore në vlerën 491 mijë Euro, prej të cilave ka likuiduar rreth 96.3 mijë Euro.

4. Një tjetër vendim kundër shtetit shqiptar është për çështjen mes Investitorit JV Copri Construction Enterprises etj kunder Shtetit Shqiptar. Pavarësisht kërkesës së Shqipërisë për anulim të vendimit, Gjykata e Arbitrazhit rikonfirmoi edhe njëherë palën private si fituese më 31 Maj 2022. Pala paditëse nё kёtё rast JV Copri Construction Enterprises dhe tё tjerë, kanë ngritur pretendime mbi  Kontratën pёr “Ndërtimin e Segmentit Rrugor Tiranë-Elbasan Nr. 1 dhe Nr.3.”

Pretendimet e paditësve lidhen me amendimet e parregullta të kontratës, pranimit të kostove shtesë dhe ndryshimit të projektit. Mё 1 Shtator 2020, Arbitrazhi ICC shpalli fitues palën private, duke i sjellё kosto buxhetit tё shtetit tonë vlerën 45 367 986 Dollar apo rreth 42 915 256 Euro. Ndërkohë, shpenzimet administrative dhe ligjore janë 691 000 Euro prej të cilave 541 400 Euro. Deri në Maj 2022, shteti ka likuiduar rreth 400 mijë Euro.

5. Çështja Arka Energy B.V vs Shqipёria, iniciuar më 18 Dhjetor 2020 nga kompania Arka Energy B.V, e cila ishte kompani pjesëmarrëse nё konsorciumin e shpallur fituese përmes njё procedure tenderi ndërkombëtare, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pёr ndërtimin e Parkut Fotovoltaik nё Akёrni nё vitin 2018. Kjo çështje është ndërprerë ne Korrik 2022, për shkak të mospagesës së paradhënieve të kërkuara në Rregulloren Administrative Financiare të ISCID 14(3)(d). Nga shteti shqiptar janë njohur vetëm shpenzimet ligjore për mbrojtjen me vlerë 1.9 milionë Euro.

Ndërkohë edhe çështjet e regjistruara pranë Qendrës Ndërkombëtare pёr Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve tё Investimeve (ICSID) në vitin 2020, kanë filluar japin kosto në buxhetin e shtetit lidhur me shpenzimet ligjore të arbitrazhit për mbrojtjen, megjithëse vlera e pretenduar nga ana e investitorëve mbetet ende një detyrim kontingjent.

  1. Çështja Durrës KURUM Shipping sh.p.k dhe tё tjerë vs Republika e Shqipërisë ёshtё iniciuar nё datё 23 Shtator 2020 nga kompania Durrёs Kurum Shipping dhe tё tjerë, ndaj shtetit shqiptar, pёr shkak tё prishjes sё njëanshme tё kontratës sё koncesionit Pёr Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik tё terminalit tё kontejnerëve nё Portin e Durrësit, si dhe pёr shkak tё marrjes sё aseteve tё terminalit nga Autoriteti Portual i Durrësit. Sipas ICSID, shuma e kompensimit e pretenduar nga kjo kompani ёshtё 100 milionë Euro. Për këtë çështje deri në Maj 2022, vlera e njohur nga ana e shtetit shqiptar është rreth 2.47 milion Euro, dhe janë likujduar 83 805 Euro.
  2. Çështja Costruzioni DONDI & KUBOTA CO. vs. Republika e Shqipërisë ёshtё iniciuar nё 2018 nga kompania Costruzioni Dondi & Kubota co., e cila ёshtё kompania zbatuese e kontratёs sё nёnshkruar në datën 30.01.2014, ‘Për përmirësimin e Sistemit të Kanalizimeve të Tiranës së Madhe’ me vlerën rreth 81 000 000 Euro. Kontrata është ndërprerë më 04.07.2018 në mënyrë të njëanshme nga ana e Ministrisë sё Infrastrukturës dhe Energjisë, në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës. Deri në këtë datë, punimet ishin kryer rreth 70% ose në vlerën 56 milion Euro. Për prishjen e kësaj kontrate në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës, Kontraktori ka hapur çështje në gjykatën pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër. Shuma e pretenduar është 90 milionë Euro. çështja është ende në proces gjyqësor. Ndërkohë shteti shqiptar ka njohur vlerën 2,07 milionë Euro, prej të cilave janë likuiduar 1.92 milionë Euro.

Në vijim, çështja mes Bankers Petroleum Albania (BPAL) vs Albpetrol sh.a dhe ish Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë MIE. Kompania publike Albpetrol sh.a dhe ish MEI përfaqësuar nga AKBN kanë në zbatim marrëveshjen Hidrokarbure të lidhur me Bankers Petroleum Albania (BPAL) për zhvillimin dhe prodhimin e naftës në vendburimin Patos-Marinez. Gjatë zbatimit të marrëveshjes, Albpetrol sh.a dhe AKBN kanë ngritur pretendim për mosrespektim nga BPAL. Pretendimi konsiston në mos njohjen e 600 milionë USD nga Albpetrol dhe AKBN të disa kostove hidrokarbure të kryera nga BPAL, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure. Për këtë pretendim, BPAL, në shtator 2015 ka paraqitur kërkesë për arbitrazh ndërkombëtar të ICC (International Chamber of Commerce) kundër MIE/AKBN dhe Albpetrol.

Njё tjetёr detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me Anglo-Adriatic Group Limited, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Ky konflikt i kushton Shtetit 1 milion Euro. Kjo çështje në arbitrazh është fituar nga shteti shqiptar, por pagesa njihet për shpenzimet administrative të Arbitrazhit, të cilat janë të njohura nga buxheti i shtetit por ende të palikujduara.

Nga Buxheti i Shtetit duhet tё paguhet edhe vlera prej 1 069 500 Euro pёr konfliktin ndërmjet Ministrisё sё Bujqёsisё dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisё Valeria Italia s.r.l, vlerë e cila përfaqëson koston totale të shpenzimeve ligjore për avokatët dhe kostot fillestare të arbitrazhit. Kompania Italiane Valeria s.r.l ka filluar procesin e arbitrazhit ndaj Shqiperise nё vitin 2018, në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore. Deri nё Maj 2022 janë likuiduar nga shteti shqiptar 769 500 Euro. Për këtë çështje nuk ka ende njё Vendim Final.

Tjetёr shumё qё duhet tё paguhet nga Buxheti i Shtetit ёshtё detyrimi ndaj shoqërisë “J&P AVAX” s.a, nё vlerën 4 214 402 Euro, si rezultat i konfliktit mes kompanisë dhe ish Ministrisë sё Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (sot Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë). Konflikti ka lindur pёr shkak tё mosmarrëveshjeve mes palëve gjatё zbatimit tё kontratës nr. C-006, datё 22 maj 2005 Pёr ndërtimin e segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pjesë e korridorit Veri-Jug.

Konflikti mes kompanisë SAFA sh.p.k dhe Ministrisë sё infrastrukturës dhe Energjisë  i ka shkaktuar buxhetit tё shtetit koston prej 3 543 338 Euro. Çështja lidhet me projektimin dhe ndërtimin e rrugës Tirane-Elbasan.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njeh si detyrim Arbitrazhi tё Shtetit Shqiptar ndaj Palёs Private, vlerën prej 500 000 Euro, pёr HFW LLC Porti Karpen, prej të cilës aktualisht është paguar vetëm 232 457 Euro. Me Ligjin Nr. 77/2016  për “Përcaktimin e Procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, u parashikua ndërtimi i një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie. Ky ligj ёshtё publikuar nё Fletoren Zyrtare nr.154, datё 16.08.2016.

Gjithashtu, edhe njё tjetёr detyrim prej 250 000 Euro qё shteti shqiptar duhet të paguajë si detyrim arbitrazhi për shkak të kompanisë Tirana International Airport sh.p.k. Nё lidhje me kёtё çështje, nga Avokatura e Shtetit nё datё 19.04.2019, ёshtё shpallur thirrja pёr sigurimin e konsulencës së huaj me qëllim mbrojtjen e interesave të shtetit Shqiptar, në kushtet e negocimit apo rishikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana International Partners SH.P.K, për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Detyrimi është i njohur nga Llogaritë e Shtetit dhe aktualisht janë likuiduar 150 000 Euro nga totali i detyrimit.

Disa çështje tё tjera tё hapura nё Arbitrazhin Ndërkombëtar potencialisht mund tё sjellin kosto shtesë pёr buxhetin e shtetit nёse Vendimi i Gjykatave Ndërkombëtare tё Arbitrazhit bёhet nё favor tё palës private.

Nё total detyrime potenciale qё mund tё materializohen nё kosto buxhetore shtesë janë 190 milion Euro. Më konkretisht bëhet fjalë për dëmshpërblimin e pretenduar nga Durrës Kurum Shipping sh.p.k dhe të tjerë dhe Costruzioni DONDI & KUBOTA CO.

Kjo vlerë pritet të jetë më e lartë për shkak të dy çështjeve të tjera të hapura në dy vitet e fundit.

Konkretisht EMS Shipping&Trading GmbH vs Republika e Shqipërisë, çështje e regjistruar në ISCID në 7 Prill 2023. Që nga viti 2013, EMS ka themeluar EMS ALBANIAN PORT OPERATOR (EMS APO) për zbatimin kontratën koncesionare për Terminalin Lindor të portit, e cila i lejon kompanisë të ngarkojë dhe shkarkojë anijet. EMS ka kundërshtuar projektin e ri të transformimit të portit që do t’u kërkonte atyre të zhvendosnin operacionet e tyre në Porto-Romano. Nuk ka ende informacion në lidhje me detyrimin e pretenduar nga ana e paditësit, por nisur nga rëndësia e objektit të kontratës mund të parashikohen qindra milionë euro.

Çështje tjetër është ajo mes Ivicom Holding GmbH vs Shqipërisë, regjistruar në Dhjetor 2022 në Dhomën e Tregtisë në Stockholm. Arsyeja e paditjes është refuzimi i dhënies se lejes mjedisore nga shteti shqiptar për ndërtimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar në Korçe. Kostoja e projektit ishte planifikuar 618 milionë dollarë. Për vlerën e dëmshpërblimit të pretenduar nga ana e paditësve nuk ka ende informacion.

Nёse këto vendime merren nё favor tё Bizneseve, kjo do tё sillte automatikisht rritjen e Detyrimeve tё Shtetit Shqiptar. Aktualisht, duke marrë në konsideratë vetëm vlerat e pretenduara të Durrës Kurum Shipping sh.p.k dhe të tjerë dhe Costruzioni DONDI & KUBOTA CO, vlera totale e detyrimeve tё Shtetit Shqiptar ndaj Arbitrazheve llogaritet rreth  365 857 595 Euro.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Raportet e Mes-Vitit mbi Zbatimin e Buxhetit 2021 dhe 2022
Qendra Ndёrkombёtare pёr Zgjidhjen e Mosmarrёveshjeve tё Investimeve (ICSID)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Tё dhënat pёr kёtё artikull janë marrё nga Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e buxhetit 2021 dhe 2022, tё cilat janë dokumente zyrtare qe paraqesin një vlerësim të përgjithshëm të situatës ekonomike të vendit, treguesve makroekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë për periudhën 5-mujore të vitit korrent. Gjithashtu burime tё tjera informacioni janë faqet zyrtare te Qendrës Ndërkombëtare pёr zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tё Investimeve (ICSID) dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC)

Shkarko excel: Humbje në Arbitrazh, Çështje dhe Detyrime të Shtetit Shqiptarë Gjendje Maj 2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania