Në 17 vite Bashkia Tiranë ka mbledhur nga Taksa e Infrastrukturës për Ndërtime të Reja 42 miliard lekë. Arkëtimet nga kjo Taksë kanë shënuar rritje pas vitit 2016. Në 2022 nga kjo Taksë Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7.4 miliard lekë.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Taksat vendore përcaktohen në Ligjin Për Sistemin e Taksave Vendore Ligj nr 9631/2006 me ndryshime. Ligji cakton taksat dhe kufij ku mund të lëvizë taksa sipas Njësisë së Qeverisjes Vendore. Në rastin e Bashkisë Tiranë është vendimi i Këshillit Bashkiak nr 158/2019 vendim i cili përcakton bazën e taksës si vlera në lekë e investimit të ri që kryhet sipas preventivit, ose vlera në lekë e çmimit të shitjes për metër në katror të investimit të ri. Lloje të ndryshme ndërtimesh në Tiranë kanë edhe taksim të ndryshëm. Konkretisht:

  • 8% e çmimit të shitjes për metër katror për ndërtimet me qëllime banim, njësi tregtimi dhe shërbimi të cilat kryhen nga shoqëri ndërtimi.
  • 4% për ndërtimet që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, të bujqësisë, të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës, ndërtime për qëllime publike
  • 0.1% për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, të aeroporteve, të tuneleve, të digave, të ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto  projekte,(taksa është 0.1% por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit)
  • 0.5% e vlerës së investimit për ndërtesat e reja në proces legalizimi.
  • 3% e vlerës së investimit për ndërtesat që destinohen për banimi në zonat malore

Detyrimi për pagesën i takon investitorit por në fakt kjo taksë është pjesë e kostos së ndërtimit, e për pasojë ajo rëndon tek konsumatori apo blerësi final. Përllogaritjen për pagesën e taksës e bën Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Të ardhurat arkëtohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.

Ka disa kategori ndërtimesh që përjashtohen nga kjo taksë, përkatësisht:

  • Ndërtimet e reja për shoqëritë të zotëruar nga Bashkia e Tiranës në masën 100%, si dhe ndërmarrjet e Bashkisë Tiranë për të gjitha ndërtimet e reja apo ndërhyrjet në infrastrukturën ku investitor apo përfitues i një projekti të financuar nëpërmjet marrëveshjeve, granteve apo huave janë këto të fundit.
  • Investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”.
  • Investimet e subjekteve, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”.
  • Investimet për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara nga fatkeqësi natyrore.  

Në vitin 2021 arkëtimi i taksës arriti maksimumin në 7.438 miliard lekë. Nivel i ngjashëm në 2022.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të ardhurat e mbledhura nga Bashkia Tiranë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja kanë tejkalim plani në vitet 2016-2022. Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë për vitin 2022 ka qenë në masën 154.5%, ku Bashkia Tiranë planifikonte 4.8 miliard lekë ndërsa faktikisht u arkëtuan 7.4 miliard lekë.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është burimi kryesor i të ardhurave për Bashkinë Tiranë. Për vitin 2022, të ardhurat nga kjo taksë përbëjnë 41% të të ardhurave të Bashkisë nga taksat dhe tarifat (pra nga të ardhurat totale të bashkisë janë hequr transfertat e qeverisë dhe mbartjet). Pesha specifike e kësaj takse në totalin e të ardhurave ka ardhur në rritje në vitet 2017, 2018 dhe 2019, duke arritur maksimumin në 43.9% e totalit të të ardhurave (pa transferta dhe pa mbartje).



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Duke bërë një llogaritje të të ardhurave të grumbulluara për frymë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ndër vite rezulton se në vitin 2022, janë mbledhur të ardhura 8 584 lekë për frymë. Pra për çdo banor të Tiranës Bashkia ka arkëtuar vetëm si taksë infrastrukturë 8 584 Lekë.

Në total për 5 vitet e fundit (2018-2022) të ardhurat për frymë nga kjo taksë janë 38 112 lekë, ndërsa për dhjetëvjeçarin 2013-2022, janë 45 482 lekë për frymë. Po kaq bashkia do të duhej të kishte investuar drejtpërdrejt në infrastrukturë.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në vitin 2010, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për Bashkinë Tiranë përbënin vetëm 6.3% të të ardhurave totale në rang vendi nga kjo taksë (për të gjitha bashkitë).

Në 2021, të ardhurat nga kjo taksë në Bashkinë Tiranë ishin sa 79% e të ardhurave totale për të gjitha bashkitë nga kjo taksë.



Burimi: Financat Vendore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për 9 mujorin janar-shtator 2022 Tirana ka mbledhur 76% të totalit të të ardhurave të Pushtetit Vendor nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Pason bashkia Vlorë me 3.6% të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 3.1% dhe Kamza me 2.9%.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Analiza dhe krahasimi me bashkitë e tjera tregon që bashkia Himarë është bashkia që ka varësi më të lartë nga të ardhurat nga taksa e ndikimit në Infrastrukturë nga ndërtimet e reja, përkatësisht 61.4% e të ardhurave nga taksat dhe tarifat janë pikërisht nga kjo taksë për vitin 2021. Bashkia që pason Kamza me 46.8% e të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, dhe pas saj vjen Tirana. Bashkia Kuçovë është bashkia që ka siguruar 0 lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja në vitin 2021.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në faqen e Open Data Bashkia Tiranë publikohen të dhëna në lidhje me numrin dhe sipërfaqen e ndërtimeve të reja vetëm për bashkinë. Të dhënat janë të përditësuara vetëm deri në tremujorin e parë të vitit 2022. Për vitin 2021 nga 366 leje për ndërtime të reja që janë dhënë në qarkun e Tiranës, 218 janë vetëm në Bashkinë Tiranë.

Bashkia Tiranë ka dhënë më shumë leje ndërtimi, përkatësisht 277 të tilla në vitin 2019. Përsa i përket sipërfaqes së ndërtimeve të reja, duket që në Bashkinë Tiranë sipërfaqja e ndërtimeve ka qenë e madhe pothuajse në të gjitha vitet. Në vitin 2021, një ndërtesë e re (që mori leje në këtë vit) kishte sipërfaqe mesatarisht 6 695 m2. Ndërkohë, në tremujorin e parë të vitit 2022 që disponojmë të dhëna rezulton se sipërfaqja mesatare e ndërtesave që bashkia Tiranë ka dhënë leje është 4 902 m2.



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Bashkia Tiranë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Artikuj të tjerë mbi të dhëna për Qeverisjen Vendore, mund të klikoni në web-faqen e Open Data Albania

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha