Open Data po analizon të dhënat e prodhimit neto vendas të Energjisë Elektrike, nga Prodhues Publik, Privatë dhe Koncesionarë për vitin 2022 dhe periudhën Janar- Prill 2023. Të dhënat janë marrë nga Raportet e Tregut të Energjisë Elektrike të Entit Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Instituti i Statistikave.

Viti 2022 u karakterizua nga një situatë jo e favorshme hidrike, me thatësira në 8 mujorin e parë dhe  mjaft sfiduese për shkak të situatës së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, shkaktuar nga kriza globale e çmimeve të energjisë.

Për vitin 2022 janë prodhuar në total 7 002 646 MWh energji elektrike në Shqipëri, me një rënie rreth 21.9% krahasuar me vitin 2021 (në total u prodhuan 8 962 699 MWh). Rreth 55.1% e energjisë në total është prodhim neto nga HEC-et në zotërim të kompanisë publike të KESH sh.a (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau Dejës).



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa sasia prej 3 092 823 MWh apo 44.2% është prodhuar nga HEC-et private dhe Koncesionare, dhe vetëm 0.7% e energjisë elektrike është prodhuar nga centralë fotovoltaikë në vend (rreth 50 092 MWh)

Niveli më i lartë i prodhimit është shënuar në muajin Dhjetor 2022, me rreth 1 030 102 MWh, ndërsa sasia më e ulët e prodhuar e energjisë elektrike është shënuar në muajin Qershor prej 380 551 MWh.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Peshën kryesore në totalin e energjisë së prodhuar e zë prodhimi i realizuar nga hidrocentralet publike Fierzë, Koman dhe Vau Dejës, me rreth 55.1% të totalit.



Burimi: ERE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion zënë rreth 44.2% të totalit të prodhuar ku  HEC Moglica zë rreth 4.61% të prodhimit vendas të energjisë elektrike, ndjekur nga HEC Ulëz, Shkopet, Bistrica 1,2 zënë rreth 4.93% të totalit, HEC Fangu me rreth  3.29% të energjisë totale të prodhuar dhe  HEC Ashta me rreth 3.37% të totalit.

Sipas Subjekteve, shoqëria më e madhe prodhuese në vend është KESH sh.a. me kapital 100% shtetëror, e cila për vitin 2022 sasinë më të madhe të prodhimit e ka siguruar nga HEC-i i Komanit, HEC-i i Fierzës dhe ai i Vaut të Dejës, përkatësisht sasinë prej 3,859,731 MWh.



Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa në sektorin privat, sasia më e madhe e prodhuar e energjisë elektrike është nga shoqëria koncesionare Devoll Hydropower sh.a me 490,421 MWh energji elektrike e prodhuar. Shoqëria Devoll Hydropower  operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, Kontrata Koncesionare është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në 2008, po ka pësuar ndryshime dhe shtesa në vitet 2010,2013,2014.

Kurum International sha është shoqëri që prodhon energji si zotëruese e katër Hidrocentraleve Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2. Gjatë vitit 2022 kjo shoqëri ka siguruar prodhim të energjisë elektrike prej 344,918 MWh.

Një tjetër shoqëri koncesionare që renditet ndër 10 shoqëritë me prodhimin MW të lartë të energjisë elektrike është Ayen As Energji sha  e cila operon HEC Peshqesh dhe HEC Fangu. Prodhimi total i këtyre dy hidrocentraleve për 2022 është 321,727 MWh.

Energji Ashta sh.p.k është një tjetër shoqëri me rëndësi sa i përket prodhimit hidrik në vend, e cila ka prodhuar 236 275 MWh në vitin 2022.  Kjo shoqëri zbaton koncesionin me objekt Ndërtim, Pronësi, Shfrytëzim dhe Transferim të Hidrocentralit të Ashtës.

Edhe për periudhën Janar -Prill 2023, vihet re e njëjta tendencë. KESH sh.a ka prodhuar rreth 55.2% të sasisë totale të energjisë në vend. Për më shumë informacion referojuni figurës së mëposhtme që paraqet 10 prodhuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në vend.



Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Prodhimi vendas i energjisë elektrike realizohet nga Shoqëritë me kapital shtetëror KESH sh.a. dhe Lanabregas sh.a., të cilat janë shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore, si dhe nga subjektet e tjera private dhe Koncesionare prodhues të Energjisë Elektrike.

Llogaritje më të detajuara të këtij Artikulli i gjeni në Excel-in mëposhtë. Të dhëna mbi Bizneset Prodhuese mund të gjeni në databazën OpenCorporatesAlbania.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Open Data Albania