Open Data Albania po analizon Strukturën e Shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit për periudhën 2005-2022.
Shpenzimet totale të Buxhetit të Shtetit janë pagesa të pakthyeshme që bën qeveria për realizimin e funksioneve të saj (shëndetësi, mbrojtje, arsim, ruajtja e rendit, etj.).
Struktura e Shpenzimeve përbëhet nga disa kategori, siç janë Shpenzimet Kapitale që janë investime dhe vepra publike me efekte dhe qëndrueshmëri afatgjatë Shpenzimet Korrente që janë shpenzime me efekte afatshkurtra për paga, blerje mallrash dhe shërbimesh dhe të ngjashme.
Kategoria të tjera është një kategori e aplikuar së shumti vitet e fundit nga Mazhoranca Qeverisëse e Majtë. Kjo është programuar me shpenzime sipas disa programeve që lidhen edhe me përballimin e situatave jo fort të zakonshme si emergjenca natyrore dhe emergjenca të krijuara si pasojë e situatës ekonomike në tregje ndërkombëtare pas Luftës në Ukraine. Aplikimi i kategorisë të tjera mbart edhe risk të lartë për disiplinën buxhetore pasi shpesh këto llok shpenzimesh dalin nga domeni i ekzekutimit të buxhetit me legjislacion të mirë rregulluar dhe bëhen pjesë e zbatimit dhe ekzekutimit përmes Legjislacionit të Përkohshëm dhe Legjislacionit Special. Në këtë artikull po analizojmë në finale Strukturën për Shpenzimet Faktike pra ato të konsoliduar në Buxhet.
Gjatë planifikimit reflektohet edhe Fondi Rezervë është fond i krijuar për të përballuar situata të papritura përgjatë vitit buxhetor. Në fund të vitit përgjithësisht kategorizohet në një nga treguesit e tjerë fiskal.
Fondi i Rindërtimit është fond i posaçëm i krijuar për përballimin e pasojave të Tërmetit të vitit 2019 dhe për zbatim të Programit Qeveritar të Rindërtimit edhe ky fond gjatë raportimit të Buxhetit Faktik bëhet pjesë e Shpenzime Kapitale. Shpenzime të tjera kryesisht shteti shqiptar e ka përdorur këtë kategori për huadhënie për sektorin energjetik, dhe së fundmi edhe për mbështetje buxhetore ndaj tij, Detyrime të Prapambetura u krijua si kategori më vete në Buxhetin e Vitit 2014, si rrjedhojë e politikës së qeverisë për të shlyer detyrimet e brendshme dhe planifikimi në afat gjatë për parandalimin e krijimit të tyre. Këto lloj kategori shpenzimesh të planifikuara dhe zbatuara në mënyrë jo fort tipike dhe jo me një disiplinë të konsoliduar buxhetore janë karakteristikë e Buxhetimeve të Qeverisë dhe Mazhorancës aktuale (2013 – 2023).
Për vitin 2022, shpenzimet e konsoliduara në Buxhetin e Shtetit në total janë 651 miliard lekë dhe ndahen në:
- shpenzime korrente që përbëjnë 76.8% të totalit të shpenzimeve ose rreth 500 miliard lekë;
- shpenzime kapitale që përbëjnë 17.2% e totalit ose 112 miliard lekë (këtu është përfshirë edhe Fondi i Rindërtimit me vlerë 28.9 miliard lekë, ose sa 26% e totalit të shpenzimeve kapitale)
Gjithashtu, pjesë e strukturës së shpenzimeve për vitin 2022 janë edhe disa kategori jo tipike, të cilat nuk gjenden në çdo vit buxhetor, si më poshtë:
- fondi i Shpronësimeve që përbën 1.7% të totalit të shpenzimeve, shprehur në vlerë 11 miliard lekë.
- huadhënie neto (për sektorin e energjisë) në masën 1.2% e totalit, në vlerë 7.9 miliard lekë
- mbështetje për sektorin e energjisë në masën 20 miliard lekë ose sa 3.1% e totalit të shpenzimeve
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shpenzimet Korrente kanë vazhduar rritjen e tyre vit pas viti duke zënë edhe pjesën kryesore të shpenzimeve totale. Përkatësisht kjo kategori shpenzimesh zë rreth 80% të totalit të shpenzimeve për periudhën 2005-2022. Raporti i Shpenzimeve Korrente ndaj atyre Totale arrin minimumin në vitin 2008, ndërsa maksimumin në vitin 2016.
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shpenzimet Kapitale kanë shënuar luhatje përgjatë viteve. Mesatarisht ato zënë 18% të totalit të shpenzimeve për periudhën 2005-2022 (përfshirë Fondi i Rindërtimit në vitet 2020-2022). Vitet në të cilat kanë peshë më të madhe Shpenzimet Kapitale janë 2008 dhe 2009 (kjo për shkak të ndërtimit të Rrugës së Kombit), pasuar nga viti 2021 (Rindërtimi plus Investimet e vitit). Vitet me peshën më të ulët janë 2014-2017 (vitet 2014 dhe 2015 për shkak të kategorisë Detyrime të Prapambetura).
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Gjithashtu, në Buxhetin e Shtetit janë edhe disa kategori jo tipike, siç u përmendën më lart. Viti i parë me peshë të lartë të kategorive jo-tipike, (mbi 3% e totalit të shpenzimeve) është viti 2014. Në 2014 ishte viti i parë qeverisës i Partisë Socialiste pas 8 vitesh në opozitë. Qeveria e re mori iniciativën që të shlyente Detyrimet e Prapambetura të Shtetit (njohur ndryshe edhe si Borxh i Fshehur – janë detyrime që qeveria nuk i ka paguar në afat ndaj kompanive që kanë kryer punë/shërbime publike). Në këtë mënyrë u krijua zëri Detyrime të Prapambetura, me qëllim shlyerjen e tyre, dhe me plan në afatin e gjatë nëpërmjet rregullimeve dhe kufizimeve ligjore të parandalohej një gjë e tillë në të ardhmen. Detyrimet e Prapambetura ishin sa 7.73% e shpenzimeve totale në vitin 2014, shprehur në vlerë 33.92 miliard lekë (nga 35 miliard të planifikuara).
Po në vitin 2014 u realizuan edhe 1.5 miliard lekë huadhënie neto për energjinë, 1.5 miliard lekë shpronësime, si dhe 169 milion lekë transferime kapitale (Shpenzime jo të përfshira në dy kategoritë kryesore).
Edhe në vitin 2015 Detyrimet e Prapambetura qëndruan si kategori më vete në Strukturën e Shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit. Në këtë vit këto shpenzime ishin sa 4% e shpenzimeve totale, shprehur në vlerë 17.6 miliard lekë. Po ashtu u realizuan edhe 5 miliard shpronësime, dhe 1 miliard huadhënie neto.
Në Buxhetin e Shtetit 2020 u krijua një fond i posaçëm i quajtur Fondi i Rindërtimit, me qëllim përballimin e pasojave të tërmetit (Fondi i Rindërtimit u shënua si kategori më vete në ligjin e Buxhetit të Shtetit 2020, ndërsa në ligjet pasardhëse u bë pjesë e kategorisë Shpenzime Kapitale). Në vitin 2020 krahas Fondit të Rindërtimit që ishte në vlerë 16.6 miliard lekë, ligjvënësit krijuan edhe një fond tjetër për shkak të pandemisë globale të Covid 19. Pjesë e Fondit Rezervë u krijua një zë “Kontigjenca për Paketën Sociale anti-Covid19”. Për këtë zë të buxhetit shkuan 12.05 miliard lekë, ose sa 2.25% e shpenzimeve totale. Fondi i Rindërtimit u zbatua përmes projektimeve dhe kontraktimeve me Legjislacion Special, duke rritur rriskun e keq menaxhimit. Legjislacioni i Aplikuar për këto procedura është ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese si legjislacion që kufizon liritë ekonomike si liri Kushtetuese dhe krijon potencial për klientelizëm.
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në total, Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit kanë ardhur në rritje vit pas viti, përjashtuar vitet 2010, 2012, 2015 dhe 2016 kur është shënuar ulje e tyre në vlerë. Që nga viti 2005, shpenzimet qeveritare janë rritur me 2.8 herë, nga 259 miliard lekë në rreth 651 miliard lekë.
Raporti i Shpenzimeve Totale ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qëndruar rreth nivelit 30%, ku pikun e ka arritur në vitin 2009, me 33.1% ndërsa minimumin në vitin 2012 me 28.2% e PBB-së.
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhëna dhe analiza të tjera mbi Buxhetin e Shtetit mund të aksesoni në Open Data Albania, seksioni Ekonomi ose Financa Publike.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha