Open Data Albania po analizon të dhëna mbi konsumin vjetor të Energjisë Elektrike nga konsumatorët familjarë dhe konsumatorët biznese për periudhën 2017-2022. Gjithashtu në këtë artikull është evidentuar edhe TVSH e paguar nga konsumatorët familjarë për energjinë elektrike të konsumuar gjatë vitit 2022.

Viti 2022 karakterizohet nga një rënie në nivelin e konsumit të energjisë elektrike duke shënuar vlerën 7 956 986 MWh me rreth 5.8% më pak krahasuar me vitin 2021. Sa i përket nivelit të prodhimit të energjisë elektrike, gjatë vitit 2022 janë prodhuar 7 002 646 MWh energji elektrike me një rënie prej 21.9% krahasuar me vitin 2021, rritja më e madhe për periudhën 2017-2022.



Burimi: INSTAT “Energjia” (Bilanci i Energjisë 2022), ERE (Raport Vjetor 2017,2018,2019,2020,2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kjo situatë reflektohet edhe në sasinë e importit dhe eksportit të energjisë elektrike gjatë këtij viti, ku vihet re rritje e importit të energjisë më shumë se eksporti.  Konkretisht për vitin 2022  janë eksportuar 2 122 527 MWh rreth 24% më pak se viti 2021. Ndërsa sa i përket importeve, gjatë këtij viti janë importuar 3 043 533 MWh apo rreth 35% më shumë se viti paraardhës. Shkëmbimi i Energjisë Elektrike është negativ për vitin 2022 me një sasi të importuar tepër prej 921 006 MWh.



Burimi: Instat 2023, “Energjia”
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas kategorive, konsumi total i energjisë përfshin përdorimin nga konsumatorët familjarë, nga konsumatorët biznese si dhe humbjet totale në rrjet. Për vitin 2022, janë konsumuar 3,074,801 MWh nga Konsumatorë Familjarë me një rënie prej 0.2% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa Konsumatorët Biznese kanë konsumuar 3 191 018 MWh apo 10.1% më pak krahasuar me vitin 2020.



Burimi: INSTAT “Energjia”, Bilanci i Energjisë 2022, Raport Vjetor 2017,2018,2019,2020,2021,2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Por sa është vlera e TVSH së arkëtuar në Buxhetin e Shtetit nga konsumatorët familjarë?

Nga konsumatorët familjarë janë arkëtuar si pagesa për konsum energji rreth  29.1 miliardë Lekë me një impakt në të ardhurat e buxhetit të shtetit nëpërmjet TVSH së mbledhur rreth 5,8 miliardë Lekë. Për konsumatorë, kostoja e TVSH vlerësohet të jetë 5 262 Lekë në vit. Që prej vitit 2020 vihet re një rritje në  vlerën e TVSH për konsumatorë familjarë. Shqipëria aplikon një TVSH në masën 20% mbi konsumin e energjisë elektrike pa lehtësuar barrën e tatimit për konsumator familjar. Në një artikull krahasimor të Publikuar nga Open Data Albania theksohet se vendi e kalon edhe normën mesatare te vendeve EU dhe Rajon për normë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Energji Elektrike për konsum familjar. Vendet që aplikojnë TVSH të reduktuar për energjinë elektrike dhe gaz natyror janë Itali me TVSH 10%, Luksemburg me 8%, Greqi me 6%, Franca 6% etj. Në vendet e Rajonit Kosova aplikon tatim mbi vlerën e shtuar prej për energji në masën 8% dhe Maqedonia e Veriut 5%. Lexo Artikull me titull Tatimi mbi Konsumin e Produkteve Ushqimore, Energjisë dhe Transportit TVSH, Shqipëri kundrejt EU dhe Rajoni.



Burimi: INSTAT “Energjia”
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në Tregun e Rregulluar për vitin 2022 janë konsumuar 4 408 595 MWh energji nga Klientë tariforë Familjarë dhe Jo-Familjarë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU); 1,102,343 MWh energji janë konsumuar nga Klientë Jo-Familjarë që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF); si dhe ndërkohë i janë shitur si dëm ekonomik rreth 25,215 MWh Energji.

Ndërsa në Treg të Lirë janë konsumuar 18 207 MWh energji e blerë nga klientët në treg të liberalizuar; 32,402 MWh janë konsumuar nga klientë që blejnë energji në treg të liberalizuar lidhur në OSSH me furnizues FTL; si dhe 213 MWh energji janë konsumuar nga klientët e lidhur në Tec Ballsh; si dhe  678,843 MWh janë konsumuar nga klientë të lidhur në OST.

Gjithashtu nga të dhënat evidentohet një rënie me 7.1% e humbjeve në shpërndarje dhe transmetim në rrjet të energjisë elektrike krahasuar me vitin e mëparshëm, megjithatë kjo mbetet problematikë ndër vite të menaxhimit të sistemit të transmetimit dhe investimeve të munguara në këtë drejtim.



Burimi: ERE, Raport Vjetor 2017,2018,2019,2020,2021,2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë nga Enti Rregullator i Energjisë  (ERE), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Instituti i Statistikave (INSTAT). Open Data Albania publikon sistematikisht të dhëna dhe artikuj për sektorin Energjetike.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Open Data Albania