Të ardhurat nga turizmi dhe udhëtimet arritën vlerën 2.84 miliardë euro në 2022, me një rritje 48 % krahasuar me 2021, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 55-të në renditjen glabale (Burimi: UNWTO). Sipas bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga udhëtimet në 2022 shënuan rritje 36 % krahasuar me situatën para pandemisë, me një vlerë rreth 757 milionë euro më shumë se në 2019. Me ritëm të lartë janë rritur edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit për udhëtime dhe turizëm, duke arritur vlerën 1.78 miliardë euro në 2022, me një rritje 65 % kundrejt 2021, apo 12% më shumë se në 2019 para pandemisë.



Burimi: Banka e Shqipërise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Bilanci neto mes të ardhurave nga udhëtimet brënda vendit dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit arriti në 1.07 miliardë euro në 2022, me një rritje 27 % ndaj 2021, dhe dyfishim në vlerë krahasuar me vitin 2019 para pandemisë. Bilanci neto ka qenë pozitiv për ekonominë dhe me tendencë të vazhdueshme në rritje, që nëkupton se flukset hyrëse nga udhëtimet janë më të larta se flukset dalëse nga udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit, përveç vitit 2013 që ka rezultuar me bilanc negativ. Flukset hyrëse dhe dalëse më të larta arrihen çdo vit në tremujorin e tretë, ndërsa ato më të ulëta në tremujorin e parë.  



Burimi: Banka e Shqipërise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ministria e Turizmit (Statistika) raporton se kontributi direkt i turizmit në ekonomi vlerësohet të jetë rreth 134 miliardë Lekë (1 miliard euro) në 2017, ndërsa kontributi total 414 miliardë Lekë (3.09 miliardë euro), në peshë 26.2 % e produktit të brendshëm bruto PBB në 2017. Referuar UNWTO kontributi total i sektorit të turizmit dhe udhëtimeve në ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë 3.6 miliardë euro në 2022, në peshë 24 % e PBB-së. Në mungesë të statistikave të përditësuara nga Ministria e Turizmit pas vitit 2017, me një vlerësim paraprak, kontributi i turizmit në ekonomi përllogaritet të jetë rritur 16% për periudhën 2017-2022.

Kontributi i turistëve të huaj në 2022 vlerësohet të jetë rreth 2.3 miliardë euro, që përbën 64 % të kontributit total të turizmit, që përbën rreth 44 % të totalit të eksporteve për vitin 2022. Kontributi mesatar i përllogaritur për turist ndërkombëtar vlerësohet të jetë rreth 480 euro në 2022, kundrejt treguesit mesatar global prej 990 euro për turist. Krahasuar me vendet e rajonit, kontributi mesatar për turist në vitin 2022 vlerësohet të jetë rreth 835 euro në Itali, 818 euro në Kroaci dhe 515 euro në Mal të zi (Burimi: WTTC World Travel & Tourism Council:).

Turizmi ka një kontribut të konsiderueshëm gjithashtu në punësim, me një peshë rreth 20% e totalit të punësimit. Turizmi në toal përbën rreth 250 mijë vende pune në 2022, nga 244 mijë vende pune në 2019 para pandemisë (Source: WTTC). Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Turizmit, ky sektor ka gjeneruar në total rreth 291 mijë vende pune në 2017. Pra, pavarësisht rritjes së shpejtë të sektorit të turizmit, punësimi total në industrinë e udhëtimeve dhe të turizmit përllogaritet të ketë një rënie 14 % gjatë periudhës 2017-2022, apo 41 mijë vende pune më pak në 2022 krahasuar me 2017.

Si një nga fushat prioritare për zhvillimin ekonomik, 30 nga 39 investime strategjike të miratuara nga qeveria pas 2015, lidhen me sektorin e turizmit. Për periudhën 2017-2022, vlerësohet se janë dhënë gjithsej 282 leje ndertimi per strukturat akomoduese, me nje investim total prej 263 milionë euro. Viti 2019 ka shënuar rekord për investimet në infrastrukturën hoteliere, me një vlerë totale 110 milionë Euro në ndërtimin e 67 hoteleve.



Burimi: Tourism and Hospitality in Albania 2022, UNDP
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Lehtësi të tjera të miratuara nga Qeveria për të nxitur dhe mbështetur turizmin:

  • Përjashtim nga tatim fitimi për të gjithë hotelet me 4-5 yje;
  • Reduktimin e TVSH në 6 % për të gjitha shërbimet e kryera në hotelet me 5 yje; Reduktimin e TVSH në 6 % për të gjithë sektorin e akomodimit;
  • Përjashitmi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 4 dhe 5 yje, mbajtës të një marke tregtare të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas të dhënave të raportuara nga portali i financave vendore, të ardhurat nga taksat e hoteleve në nivel të Njësive të Qeverisjes Vendore (NjQV), për 9-mujorin e parë 2022 vlerësohet të jenë rreth 208 milionë lekë, me një rritje 64 % ndaj të njëjtës periudhë 2021, apo 20 % më shumë krahasuar me periudhën para pandemisë (9-mujori i parë 2019). Niveli më i lartë i taksave rajonale nga hotelet realizohet çdo vit në tremujorin e tretë, duke arritur pikun në 2022, me një total të ardhurash 138 milionë lekë, në peshë sa 0.1% e të ardhurave totale nga udhëtimet.



Burimi: Portali i Financave vendore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në 9-mujorin e parë 2022, Bashkia e Tiranës përbën 37% të totalit të të ardhurave nga taksat e hoteleve, me një rënie 3 % krahasuar me të njëjtën periudhë 2019 para pandemisë. Në total 6 nga 62 bashki përbëjnë 80% të të ardhurave nga taksat e hoteleve në qeverisjen vendore. Ndërsa sektori i dhënies së shtëpive me qira për periudha të shkurtra kohe, vlerësohet se gjeneron rreth 20 milionë euro të ardhura totale vjetore. (Burimi: Turizmi dhe mikpritja në Shqipëri 2022, UNDP)



Burimi: Portali i Financave vendore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Pavarësisht rritjes së shpejtë të numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, kontributi i sektorit të turizmit në ekonomi nuk ka ndjekur të njëjtin trend rritje si në totalin e të ardhurave të gjeneruara kundrejt PBB ashtu edhe për numrin e të punësuarve gjithsej. Turizmi mbetet i varur kryesisht nga shqiptarët e Kosovës dhe të diasporës, ndërkohë që informaliteti në shërbime vijon të mbetet problem kryesor për vlerësimin e kontributit real të turizmit në ekonomi.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Elivar Golemi
Kontribuoi: Open Data Albania