Vizitorët e Huaj – Mbi 7.5 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në 2022, me një rritje 18 % krahasuar me 2019, periudha para pandemisë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 23-të në renditjen glabale për numër turistësh të huaj (Burimi: UNWTO, United Nations Tourism Worganizations). Trendi rritës vazhdon edhe në 2023. Për tremujorin e parë u regjistruan mbi 1 milion shtetas të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, me një rritje 60 % krahasuar me tremujorin e parë 2022.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Sipas vlerësimeve të UNDP, mbi 70 % e vizitorëve jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë janë me origjinë shqiptare, duke përfshirë shqiptarët nga rajoni (Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe nga diaspora (Itali, Greqi, SHBA, Britani e Madhe, Gjermani etj.). Kosova është tregu kryesor për turizmin në Shqipëri me një peshë 43 % në vitin 2022. Gjatë tremujorit të parë 2023, numri i turistëve nga Kosova u rrit me 95 % krahasuar me tremujorin e parë 2022, që nënkupton se sektori i turizmit në Shqipëri është shumë i varur nga Kosova. Rritje të vizitorëve ka patur nga disa vende të Evropës, si Spanja, Holanda, Polonia, etj., ndërsa me rënie në 2022 rezultojnë vizitorët e huaj nga Kina dhe Izraeli. Me heqjen e vizave për të udhëtuar në Shqipëri, është rritur numri i turistëve nga Arabia Saudite, India, Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti. Forma dominuese e transportit të përzgjedhur për të udhëtuar është rruga tokësore – mbi 78% e hyrje daljeve të vizitorëve të huaj në Shqipëri, tendencë që vijon edhe në 2023 pavarësisht se ka një rritje të transportit ajror (21%).
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, llogaritjet INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, llogaritjet INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Udhëtimet e Rezidentëve – Sa i përket udhëtimeve në dalje, rreth 5.9 milionë shqiptarë kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë në 2022, tendencë e ngjashme me nivelet para pandemisë. Trendi vlerësohet se është rritur në tremujorin e parë 2023, ku numri i shtetasve shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë vendit është 1.4 milion, me një rritje 32 % krahasuar me 2022.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga krahasimi i hyrje-daljeve vjetore te rezidentëve shqiptar, çdo vit daljet janë rreth 7 – 9% më të larta se hyrjet, me diferencën më të lartë të arritur në 2022 – rreth 416 mijë rezidentë më pak në hyrje, që mund të interpretohet me tendencën në rritje të emigracionit.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Strukturat Akomoduese – Rreth 1.56 milionë vizitorë gjithsej raportohet se kanë frekuentuar strukturat akomoduese brenda vendit në 2022, nga të cilët 55 % janë turistë të huaj (rreth 887 mijë), me një rritje 29 % krahasuar me vitin e kaluar. Raporti midis vizitorëve të huaj në strukturat akomoduese dhe turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është 12% në 2022. Pavarësisht fluksit të shtuar të turistëve të huaj, raporti ka mbetur konstant në nivelin 11-13% gjatë pesë viteve të fundit, duke evidentuar përdorimin e kufizuar të strukturave akomoduese. Ky raport shumë i ulët shpjegohet kryesisht me informalitetin e lartë, pasi strukturat akomoduese nuk raportojnë numrin e saktë të vizitorëve, por edhe me faktin se një pjesë mirë e Shtetasve Kosovar apo të huaj që bëjnë pushime në Shqipëri mund të jenë zotërues të banesave private. Situata vijon të jetë e njëjtë edhe në 2023, pasi numri i vizitorëve jo-rezident sipas strukturave akomoduese raportohet të jetë 40 mijë në Mars 2023, në peshë sa 10.4 % e numrit gjithsej prej 384 mijë turistë të huaj që raportohet se kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë këtij muaji.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kapaciteti i përgjithshëm i strukturave akomoduese është pothuajse dyfishuar nga 2017 në 2021, përsa i përket numrit të dhomave dhe shtretërve. INSTAT raporton 1,632 hotele të regjistruara zyrtarisht në 2021, me një rritje 15 % nga 2017. Numri i dhomave në 2021 raportohet mbi 35 mijë (18 mijë në 2017), ndërsa numri i shtretërve mbi 85 mijë (43 mijë në 2017). Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të kapaciteteve të strukturave akomoduese si dhe shtimit të numrit të turistëve dhe vizitorëve të huaj, norma neto e shfrytëzimit të dhomave dhe shtretërve në strukturat akomoduese[1] ka mbetur pothuajse e njëjtë 15%-17% në 5-vjeçarin e fundit. Norma e shfrytëzimit të dhomave të strukturave akomoduese ishte 9,6 % në Mars 2023, kundrejt 8,7 % në Mars 2022, duke arritur shfrytëzimin maksimal prej 45%–50% në sezonin e lartë Korrik – Gusht. Në ndryshim, norma mesatare e shfrytëzimit të shtretërve në strukturat akomoduese në 27 vendet e BE-së është 50 %, ndërsa në vendet e rajonit varion nga 25 % – 40 %.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Një tregues tjetër i rëndësishëm që raportohet nga INSTAT është edhe numri total i netë qëndrimeve të vizitorëve të huaj në strukturat akomoduese. Për 2022, në total raportohen mbi 3.8 milionë netë qëndrime, nga të cilat rreth 2.5 milionë janë të vizitorëve të huaj, me një rritje 23 % nga viti i kaluar. Mesatarisht, vizitorët e huaj qëndrojnë 1.5 – 2.5 ditë në strukturat akomoduese, ku kohëzgjatja maksimale arrihet në Gusht me 3.5 – 4 ditë. Turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë, përllogaritet të kenë shpenzuar mesatarisht 61 euro në ditë në 2022, apo 35 % më pak se në 2017, ku shpenzimi mesatar përllogaritej 94 Euro në ditë. (Burimi: INSTAT)
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi