Open Data Albania, po hulumton mbi të ardhurat dhe fitimet për vitin 2022, të shoqërive të biznesit të licencuara si media audiovizive. Sipas Standardit Ndërkombëtar të Kontabilitetit (SNK) dhe Raportimit Financiar, të ardhurat janë hyrje bruto të përfitimeve ekonomike gjatë periudhës, të cilat vijnë nga veprimtaria e zakonshme e një njësie ekonomike.

Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe përfshijnë vetëm statistikat për shoqëritë me Licencë dhe NIPT aktiv.

Në shtator 2023, nga totali i 44 shoqërive të licencuara si media audiovizive, vetëm 39 rezultojnë me Licencë dhe NIPT aktiv. Agon Channel dhe A1 Report rezultojnë me licencë të pezulluar, ndërsa Glob Tv është person fizik dhe Channel 7, shoqëri jo-aktive. Po njësoj Operatori Publik Radio Televizioni Shqiptarë nuk publikon Bilance pranë QKB duke qene ent publik jo i regjistruar për aktivitet tregtar.



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Njëzet e nëntë biznese mediatike nga totali i shoqërive aktive të licencuara kanë deklaruar pasqyrat financiare për vitin 2022. Totali i të ardhurave nga aktiviteti për 29 mediat në fjalë, arrin në 9.54 miliardë lekë, rënie me 11% në raport me totalin e të ardhurave të një viti më parë, për të njëjtat subjekte.

Nga ana tjetër, sa i takon fitimit para tatimit për këto subjekte audiovizive, rezultati i bizneseve mediatike me vlerë negative (humbje) është më i lartë se vlera totale e atyre që operojnë me fitim për vitin 2022. Konkretisht diferencë rreth 822 milion lekë, thelluar më tepër krahasuar me vitin 2021, ku për të njëjtat biznese mediatike, ato me rezultat negativ humbasin rreth 342 milion lekë më shumë se shoqëritë me fitim.



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Digitalb vazhdon të mbetet biznesi mediatik me xhirim më të lartë të ardhurash edhe për vitin 2022, rreth 3.34 miliardë lekë. Në vend të dytë dhe të tretë, duke ruajtur renditje të njëjtë me periudhën kontabël paraardhëse, pozicionohen Tv Klan dhe Top Channel, përkatësisht me të ardhura nga aktiviteti rreth 2.1 miliardë lekë dhe 1.4 miliardë lekë.

Së bashku, Digitalb, Top Channel dhe Tv Klan, kanë tërhequr mbi 70% të hyrjeve vjetore në tregun mediatik audioviziv për vitin 2022.

Në vend të katërt, Vizion+ ngjitur me tre pozicione krahasuar me 2021, raporton 436 milion lekë xhiro vjetore. Në vijim televizioni A2 realizon 415 milion lekë të ardhura (përmirësohet me një pozicion nga 2021). Përkeqësuar me një pozicion, News 24 renditet në vend të gjashtë me 347 milion lekë xhiro, ndjekur nga ABC News, e cila zbret me tre pozicione, me 346 milion lekë hyrje gjatë 2022.

Report Tv dhe Euro News ruajnë renditje të njëjtë, me përkatësisht 300 milion lekë dhe 216 milion lekë të ardhura të xhiruara gjatë 2022. Vijon Syri Tv në vend të dhjetë, me 146 milion lekë të ardhura, duke u ngjitur me një pozicion.

Renditja e shoqërive të biznesit të licencuara si media audiovizive, sipas të ardhurave 2022 vijon më pas me televizionin Ora, Scan Tv, Fax News, ADTN, Ora News, Tv Kukësi, etj.

Me zero të ardhura të xhiruara për vitin 2022 rezultojnë Tema Tv, City News Albania HD dhe In Tv.



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndonëse e para në renditje për nivel të ardhurash 2022, Digit-Alb pas zbritjeve të kostove operuese, rezulton me humbje (rezultat financiar negativ), rreth 603 milion lekë, duke shënuar edhe humbjen më të lartë krahasuar me subjektet tjera audiovizive që raportojnë rezultat financiar negativ.

Fitim operativ më të lartë për vitin 2022 realizon televizioni Klan, rreth 154 milion lekë, pasuar nga Top Channel me fitim para tatimit 59 milion lekë dhe Report Tv me 21 milion lekë fitim bruto për vitin 2022. Të tre shoqëritë ruajnë të njëjtën renditje në raport me vitin 2021.

Vizion+ është ngjitur me 9 pozicione, duke rezultuar subjekti i katërt mediatik për vlerë fitimi 2022, rreth 7.6 milion lekë.

I pesti në renditje, Tv 6+1 realizon 6.6 milion lekë fitim (përmirësohet me 4 pozicione), pasohet nga ADTN dhe A2, me fitim para tatimit rreth 6.2 milion lekë secila. Renditja vijon me Tv Mati, Tv Kukësi, Premium Channel, Club Tv dhe Tv Apollon.

Bizneset e tjera mediatike, operojnë me rezultat financiar negativ për vitin 2022, renditja sipas vlerës së humbjes pas Digit-Alb, vijon me ABC News (130 milion lekë), Euro News (128 milion lekë), Tv Scan (114 milion lekë), News 24 (35 milion lekë), Panorama (22.7 milion lekë), Fax News (12 milion lekë), Syri Tv (7.7 milion lekë), etj.



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në raport me të ardhurat, marzh më të lartë fitimi para tatimit realizon televizioni 6+1, rreth 66.7%. E dyta renditet ADTN me marzh fitimi rreth 12.1%, ndjekur nga Tv Klan me 7.4%.

Vijon Report Tv, e cila raporton 7% marzh fitimi bruto, ndërsa Top Channel mbyll vitin me marzh rreth 4.1%. Raport përfitueshmërie mbi 1% raportojnë gjithashtu Tv Apollon, Tv Mati, Club Tv, Vizion+, A2, Tv Kukësi dhe Premium Channel. Shoqëritë tjera raportojnë marzh bruto fitimi negativ për vitin 2022.

Për më shumë, për secilën shoqëri biznesi të licencuar si media audiovizive, në databazën me të dhëna të hapura Open Corporates Albania, është e aksesueshme Pasaporta me informacion të  mirë-strukturuar për themelimin, objektin e aktivitetit, aksionarët ndër vite, origjinën e kapitalit, çështjet ligjore dhe performancën ekonomike, Rubrika Biznese Mediatike.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli