Në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar 10 ( dhjetë) procese zgjedhore Parlamentare përkatësisht në vitet 1991, 1992, 1996, 1997, 2001, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021. Tetë prej proceseve zgjedhore janë të zhvilluara në përputhje me kohëzgjatjen e mandatit qeverisës , pra katër vite dhe nga ana tjetër, dy prej këtyre proceseve janë zhvilluar jashtë periudhës së përfundimit të një mandati normal qeverisës, përkatësisht në vitet 1992 dhe 1997.

Në zgjedhjet Parlamentare të viteve 1992, 1996, 1997 dhe 2001, procesi i zgjedhjes së Kandidatëve për Deputetë është zhvilluar në zona të ndara zgjedhore, me votim të drejtpërdrejtë mbi Kandidatin përkatës në zonën përkatëse zgjedhore dhe me dy raunde zgjedhore, në kushtet kur asnjëri prej kandidatëve nuk arrinte të fitonte 50.01 përqind të votave në raundin e parë.

Në raundin e dytë zgjedhor garonin dy Kandidatët që arrinin të grumbullonin numrin më të lartë të votave, në rastet kur në një zonë zgjedhore garonin më shumë se 2 ( dy ) të tillë.

Përjashtuar zgjedhjet Parlamentare të vitit 1991 dhe të njëjtat të parakohshme të vitit 1997, në të gjitha rastet e tjera numri i deputetëve të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë ka qenë përkatësisht 140 ( njëqind e dyzetë) pavarësisht sistemit zgjedhor të aplikuar. 

Numri i Deputetëve në vitin 1991 ka qenë 250 ( dyqind e pesëdhjetë) , numri i të njëjtëve në vitin 1997 ka qenë 155 ( njëqind e pesëdhjetë e pesë).

Shqipëria është një Republikë Parlamentare , përcaktim në Kushtetutën e miratuar më 2008, ku Parlamenti është institucioni qendror i Republikës.

Parlamenti ka miratuar Kodin Zgjedhor dhe ndryshime te tij disa herë që përkojnë me datat si vijon:

Ligj nr. 8609, dt. 8/5/2000; Ligj nr. 9087, dt. 19/6/2003; Ligj Nr. 10 019, datë 29.12.2008; Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (Ndryshuar me ligjet nr.74/2012, datë 19.07.2012 ,  nr. 31/2015, datë 02.04.2015, nr. 101/2020, datë 23.7.2020,  nr. 118/2020, datë  5.10.2020;

Shfuqizuar një pikë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 28, datë 30.6.2021, shfuqizuar një fjali me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 4.10.2021)” 

Ndërkohë mbi Proceset Zgjedhore dhe sisteme disa herë ndryshimet janë bërë përmes ndryshimeve në Ligjin kryesor Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Këto janë të miratuara me dakordësi politike të dy Partive më të mëdha politike të kohës Partia Demokratike ( PD) dhe Partia Socialiste (PS). Thelbi i ndryshimeve qëndronte në ndryshimin e formës së zgjedhjes së Presidentit , procedura e votëbesimit të Kryeministrit, ndryshimi i përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ ). 

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me nenin 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet zgjedhja e Presidentit të Republikës me shumicë të thjeshtë Parlamentare pas votimit të tretë, ndryshe nga periudha e mëparshme ku Presidenti zgjidhej me 3/5 e Deputetëve të Parlamentit. 

Një ndryshim thelbësor konsiston në nenet 104 dhe 105 ku shkarkimi i Kryeministrit mund të realizohet vetëm nëse 1/5 e Deputetëve që kanë kërkuar shkarkimin e të njëjtit mund të prezantojnë për votëbesim një kandidat të ri për Kryeministër në Parlament, ndryshim nga periudha e mëparshme ku Kryeministri mund të shkarkohej pa nevojën e prezantimit të një kandidature alternative për shkarkimin e të njëjtit. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) ka ndryshim përbërje , ku me ndryshimet e vitit 2008, përbërja e të njëjtit është me përfaqësues të votëbesuar nga mazhoranca dhe opozita. Në të njëjtën kohë, administrimi i procesit zgjedhor është politik ku pjesa përbërëse e Grupeve të Numërimit është në barazi politike dhe anëtarët e Qendrave të Votimit janë të përzgjedhur nga Partitë Përkatëse, në shumicë dhe pakicën parlamentare ( dy më të mëdhatë respektive). Në periudhën e mëparshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përbëhej nga 1( një) anëtar përfaqësues i shumicës, 1 ( një ) përfaqësues të pakicës, 2  ( dy) anëtarë të përzgjedhur nga Presidenti i Republikës ( një propozim të shumicës dhe një propozim të pakicës) , dhe 2 (dy) anëtarë të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë së kohës ( KLD) përmes shortit

Me ndryshimet e vitit 2020 për administrimin zgjedhor ku emërtimi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ ndryshoi në KSHZ Komisioni Shtetëror Zgjedhor, numri i anëtarëve nga 7 ( shtatë) në 5 ( pesë) . Nga ana tjetër, administrimi zgjedhor vijon të jetë politik ku Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor ( KZAZ), Komisionet e Qendrave të Votimit ( KQV) dhe Grupet Numërimit Vendor ( GNV) janë në përbërje politike. 

Në zgjedhjet Parlamentare , përkatësisht 1996, 1997, 2001 dhe 2005 , është aplikuar sistemi zgjedhor i quajtur “ i përzier” , pra një ndërthurje mes aplikimit të sistemit mazhoritar ( konkurrim i drejtpërdrejtë) në zona zgjedhore dhe sistemit proporcional për vendet e përcaktuara. 

Përveç zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme të mbajtura në vitin 1997, në zgjedhjet e tjera përkatësisht 1996, 2001 dhe 2005 , numri i zonave me përballje të drejtpërdrejtë ka qenë 100 ( njëqind) të tilla me emërtim numëror të renditur nga numri 1 (një) deri në të njëjtin 100 (njëqind). Në të njëjtën kohë, numri i vendeve  të parashikuara në sistemin Proporcional, të tilla në përputhje me numrin e votave të fituara në rang kombëtar nga secili subjekt politik, janë 40 ( dyzetë) të tilla. 

Ndarja e mandateve sipas Qarqeve është e ndryshueshme, bazuar në lëvizjet demografike të brendshme ( përkatësisht nga njëri Rajon Qark në tjetrin), kronologjiket ka një ndryshim të shpërndarjes së mandateve Parlamentare nga zgjedhjet Parlamentare 2009, 2013, 2017 dhe 2021 sipas Qarqeve përkatësisht në rend zbritës për  Qarqet Kukës (4/3) Korçë(12/11) , Dibër( 6/5), Gjirokastër

 ( 5/4) dhe në rend rritës për Qarqet Durrës ( 13/14) dhe Tiranë (32/36). 

Nëse referojmë “Pragu Zgjedhor” , mbetet për tu përmendur fakti që efektiviteti politik i një  Partie garuese nuk varet vetëm nga “Pragu Zgjedhor” por gjithashtu dhe nga sistemi zgjedhor përkatës që aplikohet në zgjedhjet Parlamentare.

“Pragu zgjedhor” është përcaktimi mbi numrin minimal të detyrueshëm të votave që i duhet një subjekti politik për përfaqësim në Parlament dhe shkallëzimi i “Pragut zgjedhor” dëshmon mbi mundësitë teorike të përfaqësimit të Partive Politike në Kuvend, ku një “ prag zgjedhor i lartë” vështirëson mundësitë për një përfaqësim të gjerë Parlamentar për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet Parlamentare, nga ana tjetër një “ prag zgjedhor i ulët” rrit pritshmërinë për një përfaqësim të shtuar në ulëset Parlamentare, të paktën teorikisht.

“Zgjedhjet e Përgjithshme të viteve 1992 dhe 1996 “ kanë njohur pragun më të lartë zgjedhor, përkatësisht 4 (katër) përqind, kurse Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2021 kanë njohur pragun më të ulët zgjedhor, përkatësisht 1 përqind. Njëjtë përmendur më lart.

Zgjedhjet Parlamentare përkatëse të viteve 2001 dhe 2005 njihen si të tillat ku dy Partitë Politike kryesore përkatëse garuese , PD dhe PS shfrytëzuan Pragun Zgjedhor (2.5 përqind) për të rritur përfaqësimin Parlamentar të partive aleate respektive, si një qëllim politik për të garantuar shumicën e vendeve në Parlamentet përkatës. 

Viti Zgjedhor 2001 dallohet mbi fillimin e fenomenit të shpërndarjes së votës nga Partia më e madhe tek aleatët politikë, përkatësisht zona zgjedhore “60” ku Partia Socialiste ( PS) drejtoi thirrje ndaj votuesve të saj për të votuar partitë aleate të kohës PSD, PAD dhe PAA. Të tre partitë aleate siguruan secila 3 ( tri) mandate Parlamentare  në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001.

Viti zgjedhor 2005 shënoi aplikimin tërësor të shpërndarjes së votës proporcionale të partive të mëdha tek aleatët politikë përkatës dhe rezultati përfundimtar në Proporcional shënoi numrin më të madh të votave për dy Partitë politike përkatëse, Partia Republikane ( PR) dhe Partia Social Demokrate ( PSD)  aleate kryesore të dy Partive më të mëdha përkatësisht PD dhe PS.

Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009 shënuan aplikimin e një sistemi të ri zgjedhor, përkatësisht “Sistem Zgjedhor Proporcional Rajonal”. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të realizuara nga një konsensus i plotë mes dy partive më të mëdha politike të kohës, përkatësisht Partia Demokratike ( PD) dhe Partia Socialiste ( PS) dhe të jetësuara në votimin dy-partiak në Kuvend, më 21 Prill 2008 shënojnë ndryshim të qenësishëm të sistemit zgjedhor përkatësisht në të tillin “Sistem Proporcional Rajonal” ku njësia “Rajon” është e njehsuar me përcaktimin territorial “Qark”. Vijimisht me faktet e përmendura më lartë, ndarja rajonale bazohet në ndarjen e 140 mandateve Parlamentare sipas Qarqeve, të tilla 12 ( dymbëdhjetë) . 

Në Sistemin Proporcional Rajonal, llogaritja e shpërndarjes së mandateve realizohet në bazë të metodës së divizorit ose numrit maksimal sipas d’Hondt, një formulë që favorizon  partitë e mëdha në shpërndarjen e mandateve, por kryesisht partinë më të madhe. Në një sistem të tillë, mbetet i nevojshëm aplikimi i një pragu minimal zgjedhor ( shembull 1 përqind, rasti Shqipërisë, 2021 ) ose pa prag, si një instrument pjesërisht korrigjues për deformimin e llogaritjes kombëtare së votës.



Tabela: Procese Zgjedhore 2009 – 2021 Subjekte Garuese, Pjesmarrje Votues, Koalicione
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në sistemin zgjedhor “Proporcional Rajonal” të aplikuar për herë të parë në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, Partitë Politike prezantonin listat për Deputetë sipas Qarqeve përkatëse, bazuar në një renditje numerike përkatësisht nga numri 1 ( një) deri në numri fundor të parashikuar nga ndarja e mandateve në secilin qark. Lista  emërore  për kandidatët për Deputetë ishte e mbyllur dhe qytetari mund të votonte vetëm për subjektin politik përkatës. 

Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2013 u zhvilluan në aplikimin e të njëjtit sistem zgjedhor përkatësisht “Proporcional Rajonal” ku qytetari mund të votonte për subjektin politik përkatës, jo për emrin përkatës të Kandidatit për Deputet.

Në zgjedhjet Parlamentare të viteve përkatës 2009 dhe 2013 , ligji zgjedhor parashikonte mundësinë e krijimit dhe deklarimit të koalicioneve politike parazgjedhore ku secila prej Partive depozitonte dhe regjistronte  listën përkatëse të Kandidatëve për Deputetë, pavarësisht deklarimit si pjesëmarrës në koalicionin përkatës. 

Sistemi zgjedhor “Proporcional Rajonal” vijon të jetë ende në fuqi dhe mbi të njëjtin janë zhvilluar dhe dy zgjedhjet Parlamentare të radhës përkatësisht 2017 dhe 2021, gjithashtu.

Zgjedhjet e vitit 2017 u shënuan nga një  krizë paraprake politike polarizuese që zgjati në një periudhë thuajse 4 ( katër) mujore, përkatësisht Shkurt-Maj 2017. Tejkalimi i krizës politike shënoi një dakordësi politike dy-Partiake ( PS-PD) të momentit të fundit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku spikati garimi i secilës parti politike me logon politike përkatëse, pa koalicione para-zgjedhore, regjistrimi i të tillave ishte i pamundur për shkak të mbarimit të  afatit të përcaktuar ligjor. 

Zgjedhjet Parlamentare të zhvilluara më 25 Prill, 2021 mund të përcaktohen si të parat të tilla ku u prish tradita e konsensusit politik mes dy poleve kryesore Politike, i reflektuar në nenet e shtuara Kushtetuese që pengonin me ligj partitë pjesëmarrëse në një koalicion që të kishin listat e tyre të veçanta të Kandidatëve, por lista mund të ishte e njehsuar ku mund të përfshiheshin brenda të njëjtës, të gjithë përfaqësuesit e Koalicionit të deklaruar. Vendimi i mësipërm ishte rezultat i një votimi Kushtetues në seancën Parlamentare të mbajtur më 30 Korrik 2020, votim që tejkaloi “Marrëveshjen Politike më 5 Qershor 2020” ku u dakordësuan  disa ndryshime me konsensus politik në administrimin e procesit Zgjedhor dhe në përcaktimin e të quajtura “lista të hapura” , të tillat të realizuara pjesërisht për shkak të vendosjes së “herësit” prej 10.001 votash. 

Në Marrëveshjen e “5 Qershor 2020” , të nënshkruar me ndërmjetësimin e Ambasadës së SHBA ( Shtetet e Bashkuara të Amerikës), BE ( Bashkimi Europian) dhe MB ( Mbretëria e Bashkuar) nuk përcaktohej ndalimi i krijimit të Koalicioneve Para-Zgjedhore ku secila prej partive pjesëmarrëse në koalicion të kishte listën e saj të Kandidatëve, jo një listë të vetme prej 140 ( njëqind e dyzetë) kandidatësh.

Në zgjedhjet e vitit 2021, në ndryshim nga paraardhëset , përkatësisht 2013 dhe 2017, votuesi Shqiptar mund të votonte për subjektin politik përkatës dhe për Kandidatin/en të renditur në listën e përcaktuar nga subjekti politik. Në të njëjtën kohë, votuesi mund të votonte vetëm subjektin politik përkatës , nëse i njëjti nuk dëshironte të votonte asnjërin prej kandidatëve përkatës të të njëjtit subjekt. Kjo formë votimi u konsiderua si e njëjta me “lista të hapura” , por të njëjtat  nuk mund të quheshin tërësisht të tilla.

“Lista e hapur” mund të quhet pjesërisht e tillë sepse përfaqësimi nuk është tërësisht në bazë të numrit të votave që fiton secili prej kandidatëve në listën përkatëse emërore në rang qarku, kuptimi është që deputetët me mandat të fituar nuk renditen tërësisht në bazë të numrit më të madh të votave të fituara. Mekanizmi i të quajturit “herës” pengon të tillën renditje në bazë të votave të fituara nga emri përkatës në listë. Shembull si më poshtë;

 Nëse një kandidat , i njëjti i renditur në pozicionet fundore të listës, por me një numër më të lartë votash se të njëjtët e renditur brenda numrit total të mandateve që ka fituar Partia në rang qarku, nuk mund të fitonte  mandatin nëse nuk kalonte shifrën e parashikuar prej 10.001 votash ( dhjetëmijë e një). 

“Herësi” prej 10.001 votash parashikohet në skenarin politik kur një ose më shumë nga kandidatët e listës emërore Partiake,  i renditur në pozicionet që janë më poshtë numrit total të mandateve të fituar në një qark të caktuar arrin një numër të tillë votash (minimalisht 10.001) dhe i njëjti zëvendëson Kandidatin më pak të votuar që qëndron brenda renditjes që është në koherencë me numrin e mandateve të fituara nga Partia përkatëse. Kandidati që fiton 10.001 vota ( dhjetëmijë e një) nuk mund të zëvendësojë kandidatin e gjinisë më pak të përfaqësuar, por të njëjtin e gjinisë më të përfaqësuar, por me numër më të vogël të votave të fituara nominalisht.

“Pjesëmarrja në zgjedhje , numri i subjekteve pjesëmarrës nga viti 2009 dhe një interpretim i shkurtër logjik“ 

Viti 2009 është konsideruar si procesi zgjedhor i parë ku filloi aplikimi i “Sistemit Zgjedhor Proporcional Rajonal”.  Në zgjedhjet e këtij viti u lejua deklarimi i Koalicioneve Para-Zgjedhore njëjtë si në zgjedhjet pasardhëse 2013. 

Pjesëmarrja në votime në këto zgjedhje, përkatësisht 2009 ishte 50.77 përqind dhe në 2013 ishte 53.31 përqind . Në të njëjtën kohë, numri i subjekteve politike garuese , në vitin 2009 ishte 48  ( dyzet e tetë) nga të cilat 5 ( pesë) prej tyre fituan votat e nevojshme që  të ishin parti Parlamentare dhe në vitin 2013 ishte 66 ( gjashtëdhjetë e gjashtë) nga të cilat 7 (shtatë) prej tyre mundën të fitojnë përfaqësim në Parlament.

Në zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare të vitit 2017 dhe 2021, pjesëmarrja në zgjedhje ishte përkatësisht 46.76 përqind (2017) dhe 46.29 përqind ( 2021). Në të njëjtën kohë, numri i subjekteve politike garuese ( parti ose koalicione) është përkatësisht 18 ( tetëmbëdhjetë) në 2017 dhe 12 ( dymbëdhjetë) në 2021.

Bazuar në shifrat më lartë, subjekt interpretimi mbi pjesëmarrjen e ulët në dy proceset e fundit zgjedhore Parlamentare ( 2017 dhe 2021) është ndalimi i paraqitjes së listave emërore të kandidatëve të secilës parti që mund të grupohej në një koalicion të madh. 

Nëse Praktika e përmendur më lartë do të ndryshonte , përmes ndryshimit të modalitetit të Koalicionit ose përmes një sistemi zgjedhor politikisht gjithë- përfshirës në mundësi të barabartë garimi,  do të inkurajonte pjesëmarrjen e subjekteve politike të quajtura si “parti të vogla”  apo të quajturat “parti/lëvizje të re” në përballjet zgjedhore përmes listave të plota të kandidatëve për deputetë. Një numër më i madh subjektesh politike garuese do të ndikonte në një rritje të pjesëmarrjes në zgjedhje për shkak të një numri më të gjerë alternativash që mund ti ofrohen votuesit (alternativa,  kupto subjekte politike apo kandidatë nominalë), nga ana tjetër mund të nënvizojmë që subjektet politikë në koherencë të veprimit politik me kandidatët përfaqësues zotërojnë një motivim më të madh për tu drejtuar elektoratit. 

Një ndër arsyet kryesore të pjesëmarrjes më të lartë qytetare në zgjedhje dhe në të njëjtën kohë të subjekteve politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme 2009 dhe 2013 , mund të jetë mundësia për secilën parti politike që të prezantojë listën e saj të kandidatëve dhe të lejohet përfshirja në koalicion para-zgjedhor me listën përkatëse të Partisë. 

Shembull, viti 2009 dhe viti 2013

Sistemi zgjedhor i aplikuar në Republikën e Shqipërisë, “Proporcional Rajonal” nuk është i favorshëm për garimin kombëtar, por të tillin Rajonal, që do të thotë që Subjekti Politik është i favorizuar nëse fuqia politike të njëjtit bazohet në Rajone ose zona zgjedhore, jo në nivel Kombëtar. 

Në një koalicion parazgjedhor me 10 ( dhjetë) Parti Politike përkatëse , secila prej këtyre partive mund të prezantojë listën me 140 Kandidatë , dhe secila prej votave të fituara, pavarësisht numrit që fiton secila parti mund të llogaritet në totalin e votave që fiton koalicioni  ( do të thotë që në këtë koalicion angazhoheshin rreth  1400 kandidatë pavarësisht listës së mbyllur , që përbënin përpjekjen e përbashkët për të rritur numrin e votuesve dhe në të njëjtën kohë do të thotë një pjesëmarrje më e lartë qytetare në zgjedhje)

Shembull, viti 2017 dhe viti 2021

Tërësisht e kundërta me skenarin e përmendur më lartë, është aplikimi i formulës së quajtur “pa koalicione” ku Partitë mund të paraqesin listën me 140 Kandidatë , por nuk mund të grupohen në Koalicion; – nga ana tjetër, nëse Partitë vendosin të prezantohen në Koalicion, të njëjtat nuk mund të prezantojnë lista të veçuara me 140 ( njëqind e dyzetë) Kandidatë secila , por një listë të përbashkët me vetëm 140 ( njëqind e dyzetë) Kandidatë. 

Një listë e përbashkët me 140 ( njëqind e dyzetë) Kandidatë shkurajon shumë prej subjekteve zgjedhore që të regjistrohen  në zgjedhje ose niveli i angazhimit do të ishte i ndryshëm nga skenari ku secila prej Partive do të kishte Listën e saj të Kandidatëve. Pra, 1400 ( njëmijë e katërqind) Kandidatë përbëjnë një energji të ndryshme elektorale në raport me 140 ( njëqind e dyzet) të tillë.  

Pse një Sistem Zgjedhor Proporcional Kombëtar? ( Interpretim i shkurtër teorik).

Në një sistem tërësisht Proporcional, mund të kemi një përfaqësim të plotë të vullnetit të votuesit , proporcionalisht sipas numrit të votave të fituara nga partitë apo kandidatët përkatës. Ka një dallim mes zonave zgjedhore dhe numrit të mandateve që mund të ketë zona përkatëse, numër mandatesh për zonën që mund të përcaktohet nga numri i votave që ka marrë kandidati përkatës. 

Mbetet utopike që të realizohet një përfaqësim tërësor i vullnetit të votuesit duke llogaritur brenda rezultatit secilën mbetje matematikore, por në rastin e Sistemit Proporcional Kombëtar mund të përmendet formula “ Sainte-Lague dhe Schepers”, e tilla nënkupton një metodë llogaritjeje pa tendencë llogaritëse favorizuese ndaj subjekteve politike garuese, të tillë të konsideruar si të “mëdhenj” dhe të “vegjël” në kuptimin e fuqisë përkatëse zgjedhore ku si referencë konsiderohen rezultatet e mëparshme zgjedhore. 

Një element i rëndësishëm mbi shkallën e përfaqësimit Parlamentar të Partive Politike pjesëmarrëse mbetet çështja e vendosjes së “Pragut zgjedhor”, i njëjti teorikisht do të shmangte një heterogjenitet ekstrem politik të Parlamentit. Padyshim, mendimi i shprehur më lartë mbetet në konsideratë për sistemet politike me demokraci të konsoliduara, por nga ana tjetër mbi sistemet politike me “demokraci në zhvillim”, vendosja e një pragu të ulët zgjedhor përkatësisht (1.5 ose 2 përqind) do të shmangte rrezikun e qeverisjeve nga një parti e vetme apo vendimeve arbitrare të shumicave politike Parlamentare. 

Sistemi Zgjedhor Proporcional Kombëtar inkurajon një përfaqësim të gjerë politik Parlamentar dhe dekurajon krijimin e shumicave qeverisëse , të tilla të krijuara përmes inkurajimit matematikor të formulave llogaritëse. Në të njëjtën kohë, Sistemit Zgjedhor Proporcional Kombëtar do të lehtësonte ndryshimin politik apo pjesëmarrjen në Parlament të lëvizjeve të reja Politike , të tillat të mbështetura politikisht nga flukse qytetare. 

Përfaqësimi i gjerë Parlamentar mbetet një premisë për një konsultim të gjerë politik vendimmarrës mes aktorëve politikë Parlamentarë. Përtej të konsideruarit të faktit “ të pjesëmarrjes së gjerë në Parlament” si një “derë e hapur” drejt krizave dhe paqëndrueshmërisë , një “demokraci nën presion pozitiv nga aktorët politik-ushtrues” do të ishte më e shëndetshme se e njëjta nën qëndrueshmërinë politike të një aktori politik të vetëm që do të parandalonte apo pengonte ndryshimin.

Open Data Albania po publikon ketë hulumtim si pjesë e artikujve në kategorinë procese zgjedhore, kategori ku shfaqen te dhëna, vizualizime dhe mendime mbi aspekte te Proceseve Zgjedhore.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ardit Gjinali