Nëse kryen një kërkim të thjeshtë në rrjet, informacionin për shkollat e reja apo të rikonstruktuara me fondet e Bashkimit Evropian në Shqipëri e gjen me lehtësi. Kërkimi i informacionit për shkollat që po ndërtohen me fondet publike nga ana tjetër (përfshirë informacionin publik mbi procedurat e financimit dhe rindërtimit), është një sfidë më vete. Sfidë, e cila shtrihet dhe në arsyetimin se si shkollat e ndërtuara me fondet e Bashkisë Tiranë kushtojnë pothuajse dyfish nga ato të ndërtuara me fondet e BE-së.

Rindërtimi i institucioneve arsimore të kryeqytetit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, një ndër katastrofat më të mëdha, natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë në dekadat e fundit, ishte ndër temat më të diskutuara në muajt që pasuan. Ky tërmet, përtej dëmeve madhore në infrastrukturën publike dhe në pronën private, pati një impakt të rëndë edhe në shkollat e qyteteve të prekura prej tij, një ndër të cilët ishte Tirana. Në postime të shumta në faqet zyrtare të Bashkisë së Tiranës dhe në ato të kryebashkiakut, Erion Veliaj, u premtua se shumë shkolla të kryeqytetit, të prekura nga ky tërmet, do të fillonin rikonstruksionin nga themelet dhe një numër tjetër shkollash do të riktheheshin në gjendjen e tyre të mëparshme në sajë të rikonstruksioneve të pjesshme.

Në të njëjtën kohë, edhe kryeministri Rama, në shumë raste gjatë viteve 2019 dhe 2020, ka premtuar se në sezonet e reja, shkollore, si ato të 2020-2021 dhe 2021-2022, fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisnin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se sa ato që kishin përpara tërmetit.

Në postimet e tij në mediat sociale kryeministri premton se “143 shkolla të reja me standarde europiane (do të jenë), të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të soj-sojshme, të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam.”, duke theksuar se brenda vitit 2020 të gjithë shkollat do të jenë gati për të pritur nxënësit e tyre. Këto premtime kanë ardhur, si në një kohë kur infrastruktura shkollore, edhe e paratërmetit ka qenë e amortizuar, po ashtu edhe në një periudhë parazgjedhore me premtime të shumta dhe me pritshmëri tejet të larta.

Nga një hulumtim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore del se, pavarësisht se po i afrohemi vitit të dytë pas tërmetit famëkeq, rreth 38 institucione arsimore pritet që të mos jenë të gatshme për të pritur nxënës në auditorët e tyre në vitin e ri shkollor, 2021-2022. Nga informacioni i marrë nga Bashkia e Tiranës, kjo e fundit pranon se në Tiranë janë ende në proces rindërtimi 38 objekte arsimore, 30 prej të cilave janë në proces rindërtimi dhe 8 po rikonstruktohen.

Ndër këto 38 shkolla është dhe gjimnazi i njohur “Sami Frashëri”. Kjo shkollë filloi procesin e rikonstruksionit në dhjetor të vitit 2019 dhe pritej që ndërtimi i saj të përfundonte në janar të vitit 2020, por shkolla që u shemb dhe po ndërtohet nga themelet, edhe në muajin qershor të këtij viti vijon të jetë në hapat e para të rindërtimit.

Gjimnazi “Sami Frashëri” është themeluar në vitin shkollor 1962-1963 dhe e ndjek pas një histori e gjatë suksesi në nivel kombëtar. Pas premtimeve fillestare për rindërtim dhe rihapje të shkollës brenda një afati të shkurtër, por që dështuan për t`u realizuar, më 29 tetor 2020 nisi hapja e themeleve për ndërtimin e shkollës së re, e cila pritet të jetë 2 herë më e madhe se godina e mëparshme.