Kompanitë më të mëdha të prokurimeve publike siguruan shumicën dërrmuese të të ardhurave nga tregu i prokurimeve gjatë vitit 2022, ndërsa pjesa më e madhe e kompanive operuese në tregun shqiptar nuk morën pjesë në tenderë. Të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik të analizuara nga BIRN tregojnë se nga totali prej gati 82 miliardë lekësh të prokuruara (713 milionë euro), dhjetë kompanitë më të mëdha kontraktuese morën 17% të parave ndërsa 50 kompanitë më të mëdha morën 55%. Nëse llogarisim shumat e përfituara nga 100 kontraktorët më të mëdhenj, ata morën bashkërisht 57 miliardë lekë ose 70% të totalit.

Gjithsej në Shqipëri vlerësohet se operojnë rreth 100 mijë kompani, nga të cilat, rreth 2260 ishin përfituese të tenderëve publikë. Nga këto, rreth 2160 kompani përfituan 30% të fondit të prokurimeve.