Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), në bashkëpunim me AIS / Open Data Albania dhe me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy (WFD) në Shqipëri, organizoi sot një trajnim për përfaqësues të shoqërisë civile me temë: Vlerësimi Parandalues për Korrupsion, bazuar në metodologjinë e miratuar dhe zbatuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Westminster Foundation for Democracy Albania ka mbështetur më parë zbatimin e kësaj metodologjie në Shqipëri, duke përfshirë edhe vlerësimin e disa projektligjeve. Metodologjia, e ofruar përmes asistencës së WFD, është tashmë e përfshirë në procedurat formale të shqyrtimit të projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Ekspertë nga tetë organizata u trajnuan mbi procesin legjislativ dhe vlerësimin parandalues të akteve ligjore të Kuvendit.

Nisma do të vijojë me rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile përmes:

  • Trajnimit mbi metodologjinë Corruption Proofing of Legislation (CPL);
  • Mbështetjes teknike dhe mentorimit për hartimin e tre opinioneve ligjore;
  • Analizës së projektligjeve të reja që do të shqyrtohen dhe miratohen gjatë këtij sezoni parlamentar.

Këto opinione do të prezantohen përpara deputetëve, komisioneve parlamentare dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit.

Organizatat pjesëmarrëse përfaqësojnë fusha të ndryshme të aktivizmit dhe ekspertizës si sundimi i ligjit (Rule of Law), aktivizmi dhe të drejtat e njeriut, si dhe organizata mediatike të angazhuara në media cilësore dhe verifikim faktesh.

Metodologjia Corruption Proofing of Legislation (CPL) synon të identifikojë, që në fazat e hershme të procesit ligjvënës, elementët në projektligje që mund të krijojnë hapësira për korrupsion gjatë zbatimit apo interpretimit të tyre.

Kjo është një qasje sistematike, që mund të aplikohet nga Parlamenti, institucionet e specializuara antikorrupsion ose organizatat e shoqërisë civile.

Zbatimi i CPL kontribuon në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe cilësisë së legjislacionit që miratohet.