Organizata AIS/Open Data Albania i ka përcjellë Komisionit për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë sugjerime dhe komente mbi Projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, të publikuar për konsultim publik më 1 prill 2026.
Në shkresën e datës 15 prill 2026, AIS vlerëson iniciativën për hartimin e një kuadri të ri ligjor, por kërkon që transparenca, aksesi në informacion dhe publikimi i të dhënave financiare të partive politike të rregullohen në mënyrë më të plotë dhe të drejtpërdrejtë në ligj.
Sipas AIS, projektligji parashikon detyrime për hartimin, dorëzimin dhe publikimin e raporteve, por nuk përcakton në mënyrë shteruese strukturën, përmbajtjen dhe formatin e informacionit që duhet të bëhet publik. Organizata sugjeron që garancitë kryesore për transparencën të përcaktohen nga ligjvënësi dhe të mos delegohen kryesisht për rregullim përmes akteve nënligjore të KQZ-së.
Propozimet kryesore të AIS
AIS propozon që në ligj të përfshihen përkufizime të posaçme për aksesin e përforcuar në informacion, aksesin online dhe publikimin në kohë reale të të dhënave mbi financimin e partive politike. Informacioni duhet të publikohet në formate lehtësisht të gjetshme, të lexueshme, të shkarkueshme dhe të ripërdorshme.
Gjithashtu propozohet një nen i veçantë për transparencën, i cili të detyrojë partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të publikojnë online raportet financiare, të dhënat mbi pasurinë, të ardhurat, dhurimet, shpenzimet dhe detyrimet. Për partitë parlamentare kërkohet publikimi i librit të dhurimeve dhe i librit të shpenzimeve sipas furnitorëve.

AIS kërkon që Raporti Financiar Vjetor të përmbajë të dhëna të detajuara mbi:
- pasurinë, asetet, kapitalin dhe detyrimet;
- të ardhurat dhe shpenzimet e partisë dhe të strukturave të saj;
- çdo transaksion hyrës, burimin dhe kontribuuesin;
- shpenzimet sipas kategorive, faturave dhe furnitorëve;
- detyrimet e papaguara dhe të drejtat e arkëtueshme;
- titujt ekzekutivë në fuqi.
Raporti duhet të publikohet i plotë menjëherë pas dorëzimit në KQZ dhe publikimi i tij nuk duhet të kushtëzohet nga përfundimi i raportit të audituesit ligjor.

Financimi publik dhe kontrolli institucional
Në lidhje me Fondin Publik për Mbështetjen e Partive Politike, AIS sugjeron që shpërndarja e fondeve të bazohet më shumë në numrin e votave të marra dhe jo në numrin e mandateve. Organizata kërkon gjithashtu rishikimin e mënyrës së shpërndarjes së granteve për barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve.
AIS ngre shqetësim edhe për dispozitën që mund të ndalojë një parti të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të detyrimeve të papaguara, duke vlerësuar se një mekanizëm i tillë mund të përdoret në mënyrë të padrejtë ose të prekë partitë e vogla dhe joparlamentare.
Organizata kërkon që në mbikëqyrjen e financave të partive të përfshihen edhe institucione të tjera, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, ILDKPKI dhe administrata tatimore. Në veçanti, propozohet auditimi periodik nga KLSH i fondeve publike të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike.
Në përfundim, AIS kërkon që Platforma Elektronike për raportimin në kohë reale të mos trajtohet vetëm si një zgjidhje teknologjike, por si një regjistër elektronik shtetëror, i cili duhet të ketë rregulla të qarta ligjore për funksionimin, përdorimin dhe certifikimin e tij.
#FinancimiIPartive #Transparence #ReformaZgjedhore #KonsultimPublik #OpenDataAlbania #NdiqParate
