Ndotësit e ajrit mund të jenë grimca pluhuri, kimikate apo materiale biologjike, të cilat kanë efekte mbi organizmin e njeriut, mjedisin apo atmosferën. Disa nga grupet më të rëndësishme të indikatorëve të cilësisë së ajrit janë:

SO2, NOx dhe NH3 (amonjaku), të cilët shkaktojnë edhe shirat acide;

CO2, CH4 (metani), NO2, të cilët lidhen me emëtimin e gazrave;

PM10, LNP, që tregojnë masën e grimcave të ngurta në ajër.

Secili prej këtyre indikatorëve, shkaktohet nga arsye të ndryshme. Historikisht, ndotësit kryesorë të ajrit në Shqipëri kanë qenë industritë e kromit, bakrit, metalurgjiku celikut, cimentos dhe TEC-et,etj. Duke nisur që nga vitet ’90, një pjesë e madhe prej tyre u mbyll. Në vitet e fundit, ndotja ka ardhur kryesisht nga nxjerrja dhe përpunimi i naftës, prodhimi i cimentos, djegia e pakontrolluar e plehrave si dhe rritja e transportit.

Të dhënat mbi NO2 dhe SO2

Dioksidi i Azotit (NO2) dhe Dioksidi i Squfurit (SO2) janë pjesë përbërëse e smogut dhe shkaktarë të shirave acidë. Ata krijohen nga djegia e qymyrit, naftës dhe derivatëve të saj. Secili prej tyre depërton shumë lehtë në organizmin e njeriut dhe mund të shkaktojnë sëmundje të mushkrive, të rrisin mundësinë e marrjes së viruseve si dhe irritime të syve apo lëkurës. Në ndërveprim me diellin dhe ujin në atmosferë, këto dy gazra shndërrohen në acide, të cilat bien në tokë në formën e shiut acid apo borës.

Në Shqipëri, normat e lejuara të këtyrë gazrave në atmosferë janë përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 803, datë 4.12.2003, “Për miratimin e normave të cilësisë së ajrit”. Ato janë mesatarisht 60 µg/m3 në vit për secilin indikator, apo 50% më të larta se normat e përcaktuara nga Bashkimi Europian, i cili ka një mesatare prej 40 µg/m3 .

Burimi: Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Prezenca e NO2 në zonat urbane vjen kryesisht si pasojë e transportit dhe trafikut në rritje. Në një shikim të përgjithshëm, mund të thuhet se prezenca e ketyrë ndotësve është nën normat e vendosura nga Shteti Shqiptar, por edhe nën normën europiane. Listën e qyteteve më të ndotura me NO2 e kryeson Tirana dhe pas saj Durrësi dhe Fieri.  Një pamje më e qartë vjen nga raporti mjedisor për vitin 2009 i Ministrisë së Mjedisit, sipas të cilit zona e 21 Dhjetorit në Tiranë është mbi normat e lejuara nga BE me 12 µg/m3 apo 30% më shumë.

Situata me SO2-shin është gjithashtu brenda parametrave të lejuar nëpër qytete. Fieri vazhdon të ketë një normë të lartë, por edhe Elbasani, pasojë e industrive që kanë funksionuar në këto zona. Prezenca e SO2-shit është nën mesataren e BE-së, dhe në këtë ndihmon shumë prodhimi i energjisë elektrike nga burimet hidro. Ndërtimi i TEC-ve me qymyr do të sillte automatikisht një ndryshim të parametrave.

 

Burimi: Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në një shikim të shpejtë mund të thuhet se situata nuk paraqitet shumë problematike. Por duhen nënvizuar disa fakte: së pari, Shqipëria është në këto parametra pa qenë një vend i industrializuar. Madje, po të merrej në shqyrtim ky detaj mund të thuhet se parametrat janë relativisht të lartë pasi shkaktohen nga shumë pak faktorë. Pra, kush ndot në Shqipëri, ndot shumë.

Së dyti, të dhënat mbi indikatorët janë një mesatare e integruar për gjithë zonat e qytetit, duke përfshirë edhe rrethinat, të cilat ndikojnë në uljen e mesatares së ndotjes. Qendrat e qyteteve, pikat me shumë trafik, kanë një prezencë shumë më të lartë të gazrave dhe smogut. Për rrjedhojë, nuk duhet synuar në një mesatare të përgjithshme brenda parametrave të BE-së, por për indikatorë, në secilën zonë nën limitin 40 µg/m3.

Së treti, MMPAU nuk duhet të lërë jashtë fokusi qytetet të cilat po ndikohen jo pak nga fabrikat që punojnë afër tyre, si Kruja, psh. Matja e parametrave duhet bërë edhe për këto zona, në të cilat duhet të jetë në fuqi i njëjti rregull, për respektim të parametrave mjedisor.