Nëse nuk merren masa emergjente, në vitet që vijnë Shqipëria do të duhet të paguajë fond për pensione pothuajse “sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku”.

Ministri shqiptar i Financave, në një nga daljet e tij të kursyera para mediave, deklaroi, jo pa mburje se “në 5-6 vite të shkuara shuma totale që paguhej nga buxheti, bashkë me kontributin, por edhe pjesa që jep buxheti drejtpërdrejt, ishte 54 miliardë lekë dhe vitin e kaluar ka shkuar mbi 134 miliardë lekë. Pra, kemi një rritje në një afat të shkurtër shumë të madh…”, etj.

Një deklarim i tillë duhet parë si dy anë të një medaljeje. Bukur, që financat publike paskan paguar rreth 300 % më shumë për skemat pensionale, po sa ka ndikuar kjo që përfituesit në nevojë ta ndjejnë si të tillë apo ka qënë thjesht një skemë asistencialiste? Në fakt, kjo është e tillë të paktën që nga viti 1991 dhe askush nuk vë dorën në plagë. Sepse kjo është një plagë e rëndë. Nga më të rëndat në ekonominë shqiptare!
 
Dështimi pensional dhe humbja e miliardave nga taksat

Vetëm pak kohë më parë Banka Botërore u shpreh për sistemin e pensioneve në Shqipëri. Ekspertët e saj deklaruan në Tiranë se “Sistemi i pensioneve në Shqipëri përballet me disa sfida” dhe se Banka Botërore ka “një kërkese nga qeveria shqiptare për t’i asistuar për reformen e pensioneve”.

Por Banka Botërore është  si Banka Botërore. Për të konsultuar qeverinë dhe për t’’i rekomanduar asaj ndërmarrjen e ndonjë lloj politike ajo ka nevojë së pari “për të bërë një diagnostikim të sistemit aktual, qëndrueshmërisë fiskale dhe nivelit të përfitimeve në planin afatgjatë, duke marrë në konsideratë parametrat e sistemit të pensioneve dhe indikatorët ekonomikë”. Kështu thotë Banka Botërore. Kjo histori është aq e vjetër sa tani është bërë më shumë se problematike.

Dhe jo thjesht se Qeveria mund të ndodhë që në një moment të caktuar mund të mos ketë para për të paguar në kohë pensionet dhe as në një moment të dytë kur (koha po afron edhe për këtë) numri i atyre që mbushin moshën e pensionit dhe duhet të pensionohen mund të rritet në mënyrë të frikshme. Duke mos folur këtu për masën e pensionimit, që për Shqipërinë dhe shqiptarët është qesharake, nisur nga niveli i çmimeve dhe ai i jetesës.

Qeveritë nuk e kanë parë si shqetësuese skemën e pensioneve, ndërsa kanë vijuar të paguajnë si askund tjetër miliona dollarë në vit transferta për Fondin Special të Sigurimeve Shoqërore. Këto miliona dollar, apo më mirë miliarda lekë dalin nga buxheti i shtetit dhe llogariten si diferencë midis të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shpenzimet për sigurimet shoqërore. Sipas ekspertëve të fushës, “një pjesë e madhe e kësaj shume shërben për të mbuluar deficitin në skemën e sigurimeve shoqërore, e cila në vetvete vuan nga pamjaftueshmëria e kontributeve të mbledhura për të përballuar pensionet e shpërndara”.
 
T’i biesh “gjoksit” sot se ke trefishuar këto transferta, do të thotë se je një përdorues nga më të këqinjtë e parave publike, të cilat mund të përdoren me më shumë efikasitet dhe produktivitet në një fushë tjetër që prodhon të ardhura. Por faktorët politikë të qeverisjeve të 20 viteve të fundit e kanë pranuar këtë si “të keqen më të vogël”, ndërsa askush nuk ka zë të flasë. Ekspertët thonë se, nëse nuk merren masa emergjente, në vitet që vijnë Shqipëria do të duhet të paguajë fond për pensione pothuajse “sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku”.

Subvencionimi, alias TRANSFERTA

Taksapaguesit shqiptarë kanë vijuar të paguajnë rregullisht miliona lekë për të financuar skemat deficitare të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Rritja e financimet është e tillë sa duket se do të barazohet me të gjithë planifikimin buxhetor të qeverisë për financimet publike të një viti të projekteve në fushën e infrastrukturës në rrugë shkolla e spitale, të marra së bashku. Kjo do të ndodhë shpejt. Ekspertët e BB-së, deklaruan në Tiranë se “me nivelin aktual të papunësisë, me numrin e paktë të kontribuesve dhe numrin e lartë të përfituesve që parashikohet të rritet akoma e më shumë, si dhe me tendencën e plakjes së popullsisë dhe reduktimin e lindjeve, rezulton se brenda një periudhe 4-vjeçare sistemi i pensioneve në vend rrezikon probleme të mëdha financimi”.
Në këto kushte zgjidhjet janë të kufizuara. Qeveria nuk ka treguar shënja të dukshme të rritjes së numrit të kontribuesve nëpërmjet formalizimit të tregut të puëns. Pavarësisht disa reformave në këtë fushë si ato që lidhen me deklarimet on-line të të puënsuarëve, rrijes së ndëshkimeve administrative dhe të gjobave etij, nuk ka ndonjë rritje të dukshme të këtij treguesi.

Në të njëjtën kohë skema “Pay As You Go”, që përdoret në vendin tonë, nuk stimulon formalizimin e pagave dhe deklarimin real të tyre. Individët po paguajnë përherë e më pak kontribute, ndërsa po marrin përherë e më shumë paga të larta. Sipas një studimi të bërë nga “BiznesAlbania”, pagat midis viteve 1997-2009 janë rritur si më poshtë (në sektorin privat, në vlerë dhe në për qindje). Ose duke i marrë së bashku për këtë grup vitesh, rezulton se pagan ë sektorin privat psh të industrisë është rritur 4.19 herë (419 %) në sektorin e ndërtimit 434 %, në sektorin e transportit, 425 %, e kështu me rradhë.

Por ky tregues i rritjes së pagës nuk reflektohet aspak në rritjen e kontributit. Skema aktuale nuk e bën të interesuar asnjërën palë të kontribuojë më shumë, për një pension më të lartë, sepse nuk e merr dot ata, pavarësisht nga kontributi. Kjo ka bërë që taksat tona të shkojnë tek kjo “gropë e zezë” e skemës jofunksionale.
 
A ka dritë në fund të tunelit të sigurimeve?

Reforma ka vetëm një emër: të jetë emergjente. Zgjidhja mund të vijë vetëm nga ndryshimi i skemës, por edhe nga përdorimi i skemave shtesë që janë të njohura, por që nuk janë duke u zhvilluar si ajo e pensioneve vullnetare private apo skema të tjera të njohura private. Nëse nuk ka dritë sot në tunel, kjo ka ndodhur se skema private nuk është parë në asnjë rast si zgjidhje e problemeve të sistemit të pensioneve. Tani është koha që të shihet pikërisht kjo gjë, me qëllim që ministrat tanë të financave të mos trefishojnë fondet e vdekura të pensioneve me para publike që mund të kenë dhe kanë eficensë më të lartë nëse përdoren aty ku duhen.